Mosbesimi mes shteteve dhe dilemat strategjike

Pasi Bashkimi Evropian (BE) i kushtëzoi vendet e Ballkanit Perëndimor, tre liderët e rajonit Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandër Vuçiç nga “Shengeni Ballkanik”, një ide testi për SHBA-të dhe BE-në, së fundi dolën në skenë duke paraqitur një tjetër të quajtur si “Open Balkan”. Nuk ka dilema se Ballkani dhe banorët e rajonit duhet të hapen dhe të largohen të gjitha pengesat burokratike dhe administrative, duke filluar nga qarkullimi i mallrave, njerëzve dhe hapjes së tregut të punës, veçse treguesit e parë të këtij unioni “gjeo-ekonomik” e që më tepër është gjeopolitik, sugjerojnë se më së shumti këtu do të pësojë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Për të parë qëllimet dhe objektivat e unioneve duhet t’i referohemi historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare e cila na lehtëson interpretimin e aleancave ushtarake, ekonomike dhe blloqeve. Aleancat çdo herë kanë qenë pjesë qendrore e strategjive afatgjate të shteteve për të vazhduar dominimin politik, ushtarak dhe ekonomik. Bota antike na mëson se Sparta nuk do të ishte në gjendje të pushtonte dhe shpartallonte Athinën po të mos kish funksionuar sistemi i aleancave që në atë epokë historike të dy superfuqitë Sparta dhe Athina i ngritën. Nga “Dialogu Milean” (416) P.E.S., mund të nxirren disa përfundime të mendimit strategjik se si lidhjet trashigimore të mbretërive kanë luajtur rol të rëndësishëm në antikitet në gjetjen dhe ruajtjen e aleancave.

Në kohën e sotit, sistemi i marrëdhënieve ndërkombëtare ka pësuar një transformim të thellë në mënyrën ndërtimit të miqësive duke u nisur nga aleancat ushtarake, nismat, unionet dhe blloqet gjeopolitike të karakterit fetarë dhe ideologjik. Ndryshimet e mëdha që filluan me ish presidencën e Donald Trampit e bënë edhe më të fuqishme diplomacinë kineze duke ofruar kredi financiare në Ballkan. Kurse Rusia me shumë pak mjete arriti të rimëkëmbet shpejt duke futur në lojë aktorë si Serbinë, e cila hap pas hap ka arritur të projektojë fuqi të butë në hapësirën e dikurshme të ish-Jugosllavisë dhe më gjerë deri në Shqipëri.

Shtetet si Serbia dëshirojnë të funksionojnë jashtë unioneve të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore, për arsye të nivelit të lartë të besueshmërisë që ekziston në Beograd se mund të bëhen nyja e Fuqive të Mëdha dhe njëkohësisht të jenë përfituesit e burimeve natyrore.

Në veçanti politika e Beogradit dhe nxitja që shtetet fqinjë tu bashkohen politikave ekspansioniste ekonomike serbe, prodhojnë disa imazhe se si do të duket Ballkani në dekadat e ardhshme. Serbia një shtet me traditë në fushën e politikës së jashtme dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, unionin “Open Balkan” do ta përdorë si vegël ekonomike dhe kuptohet politike për të ndërtuar një hapësirë të re vakumi e cila do të pritet mirë nga Rusia.

Një nismë e tillë jashtë Procesit të Berlinit është një shuplakë për Gjermaninë e cila tash pas “Nord Stream“- 2 do të jetë me tepër e angazhuar me veprimet ruse dhe nuk do të jetë aq e interesuar se çka ndodhë në Evropën Juglindore. Gjithsesi se nismat e tilla kinse për një treg të hapur shfaqin dyshime për prapaskenat e shteteve se pse tani “Open Balkan” po shfaqet si projekt i së ardhmes së vendeve të WB-6.

SHBA e cila shumë çështje i kanë lënë në duart të BE-së dhe Serbisë, do të duhet të alarmohet se treshja rajonale ka gjasa të jetë kokëçarja e ardhshme e Uashingtonit, pasi që ky union ka gjasa të marrë formë serioze dhe të përfshihet në investimet e palës kineze ose të garancive të sigurisë ruse. Imazhi më i dëshirueshëm dhe i pëlqyeshëm do të ishte sikur ”Open Balkan” të përfshinte edhe Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën.

Unioni i fragmentuar në pamje nënkupton se ideatori dhe drejtuesi i këtij projekti refuzon shtetësinë dhe integritetin e këtyre shteteve. Tani e tutje qeveritë në Prishtinë, Podgoricë dhe në Sarajevë duhet të mendojnë se çka më tej pas refuzimit për t’iu bashkuar këtij projekti ballkanas. Çdo zgjidhje e cila kërkohet jashtë dollarëve amerikanë dhe eurove që burojnë nga Frankfurti, vënë në dyshim për qëllimet e shteteve që janë pjesë e këtij unioni. Këtu sigurisht se i rrisin dilemat, pasi e bëjnë ambientin e sigurisë të Ballkanit Perëndimor të vrazhdë dhe me kthesa ashtu njëjtë siç e kemi hasur historikisht para dhe pas shpërbërjes së Perandorisë Bizantine dhe Osmane. Gjithashtu duhet vënë në dukje dilemat e qeverive për hyrje apo jo në unione, për të mbajtur ose jo qëndrim neutral ndaj çështjeve strategjike dhe qasjeve të reja ndaj zgjidhjeve të konflikteve. “Open Balkan” ka një GDP prej rreth 90 bilion dollarë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button