fbpx

Ergin Borova notoi 13.5 km në liqenin e Ohrit për fëmijët me nevoja të posaçme (VIDEO)

Në Strugë të enjten u mbajt një aktivitet për senzibilizim për fëmijët me nevoja të posaçme. Këtë herë aktiviteti ishte më ndryshe dhe mori një vëmendje të madhe. Ergin Borova realizoi një maratonë noti për bamirësi prej 13.5 kilometrash në liqen, nga Ohri deri në Strugë. Ergini, si një mërgimtar nga Holanda, çdo vit vjen për pushime verore në Strugë, me idenë për të kontribuar për vendin e tij. Ai ka një nip i cili është me nevoja të posaçme, i quajtur Armend. Duke parë vështirësitë me të cilat përballet nipi i tij gjatë përditshmërisë në Strugë, Ergini mendoi se edhe sa të tjerë si Armendi ka në atë vend. Kjo e bëri që ai të realizojë  iniciativën për të ndihmuar fëmijët me nevoja të posaçme, shkruan Portalb.

“Qëllimi se përse e kombinova notin me senzibilizimin e temës për fëmijët me nevoja të posaçme është se kjo temë nuk bisedohet aq sa duhet. Ka një fjalë të urtë afrikane që thotë “Për të rritur një fëmijë të duhet një fshat. Mirëpo, për të rritur një fëmijë me nevoja të posaçmentë duhet një komunitet.”. tha Ergin Borova.

Gjatë qëndrimit në Holandë, Ergini hapi një fondacion online të quajtur carefordisabledkids.com, që do të thotë përkujdesje për fëmijët me nevoja të  posaçme. Qëllimi i fondacionit është që të mblidhen mjete financiare për përkrahjen e iniciativave që kanë të bëjnë me këtë çështje.

“Dikush më pyeti pas notit se a e kisha të vështirë t’i kaloja 13 kilometra, për moshën që kam? Unë i thash që është shumë e mundimshme. Mirëpo, unë e di që ka prindër që kanë fëmijë me nevoja të posaçme që çdo ditë e kanë si një maratonë noti Ohër-Strugë. Mendoj që kjo që bëra, zgjoi humanizmin te njerëzit. Prekem shumë kur shoh se sa njerëz preken nga  vetë iniciativa. U emocionova jashtëzakonisht shumë kur arrita në Strugë, pas 13,5 kilometra not. Ky aktivitet është shumë i veçantë dhe i rëndësishëm për mua, por, edhe për gjithë komunitetin.” u shpreh Borova.

Për të realizuar një projekt të këtillë, normalisht që fshihet edhe një ekip i madh. Ergini gjeti një përkrahje të madhe nga vendasit e tij. Të gjithë e mirëpritën këtë iniciativë dhe u ofruan për të ndihmuar. Një ndër to ishte edhe Edi Kela, e cila tha:

“Me Erginin nuk njihesha personalisht. Por, me motrën e tij Renatën njiheshim prej më herrët. Për iniciativën me not u informova nga statusi që publikoi motra e tij. Menjëherë sa e pash, i shkruajta dhe i thash që unë mund t’ju ndihmoj për gjithçka që ka nevojë. Iniciativa e Erginit është një gjë hyjnore. Ka gjëra në jetë për të cilat duhet më shumë përkushtim dhe humanizmin që e kemi brenda nesh, shpeshherë për shkak të jetës moderne e harrojmë. Në bisedë e sipër me Erginin ne po arrijmë të ndërtojmë diçka të bukur.tha Edi Kela.

Ergini gjithashtu mori iniciativën për ndërtimin e qendrës për fëmijët me nevoja të posaçme në Strugë. Në këtë qendër do të mbahen aktivitet ditore, sepse çdo fëmijë me pengesa ka nevojë që të ushtrojë. Përveç kësaj, në një pjesë të qendrës do të mund të jetojnë fëmijët, me ndihmën e profesionistëve të kësaj fushe. Deri më tani janë kryer bisedime me Komunën e Strugës, e cila e ka aprovuar projektin, por, ndihmë të madhe do të japin edhe kompanitë private.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button