Grubi dhe Gërvalla: Mbledhje të përbashkët qeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në shtator

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi ka pritur në takim zëvendëskryeministren dhe ministre për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla.

Grubi dhe Gërvalla konstatuan se marrëdhëniet biletarele në mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe se ky bashkëpunim i mirë do të vazhdojë në të ardhmen me realizimin e projekteve të përbashkëta në sfera të ndryshme që kanë për qëllim thellimin e bashkëpunimit ekonomik.

Nga kabineti i zëvendëskryeministrit Grubi theksojnë se bashkë me Gërvallën u dakorduan që mbledhja e përbashkët në mes dy qeverive, asaj të Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës të mbahet në gjysmën e parë të muajit shtator të këtij viti.

Grubi dhe Gërvalla mes tjerave kanë diskutuar edhe mbi gjendjen aktuale në rajon, bashkëpunimin rajonal si dhe procesin e integrimit të vendeve të Ballaknit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Alternativë e Republikës së Maqedonisë së Veriut por edhe i rajonit mbetet Bashkimi Evropian, ne si vend kemi bërë hapa shumë të guximshëm në aspektin politik, kemi finalizuar reformat e kërkuara dhe presim që Bashkimi Evropian t’i vlerësojë këto arritje, ndërkohë që punojmë në ngritjen e standardit jetësor për qytetarët”, ka theksuar kështu në takim, Grubi.

Seanca e përbashkët mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ishte planifikuar që të mbahej më 25 janar, në kohën kur kryeministër i Kosovës ishte Avdulla Hoti. Megjithatë, me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë më 14 shkurt seanca u prolongua. Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamet Hoxha, pat deklaruar atëherë për Portalb.mk se, menjëherë pas formimit të qeverisë, do të vazhdojë koordinimi mes palëve për caktimin e një date të re për mbajtjen e seancës.

Edhe pas formimit të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti, gjatë një takimi me ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, Shpresa Jusufin, në muajin prill, u pajtuan për mbajtjen e një mbledhjeje të përbashkët qeveritare.

Po ashtu, ishte paralajmëruar se, gjatë kësaj seance do të nënshkruhen shumë marrëveshje, mes të cilave edhe marrëveshja për pikë të përbashkët kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button