Mungesa e sundimit të ligjit brenda BE-së e frenon zgjerimin e saj me vendet kandidate

raportin e dytë të Komisionit Evropian mbi sundimin e ligjit në BE që u publikua mbi një javë më parë janë adresuar një sërë kritikash lidhur me sundimin e ligjit në disa vende të saj. Në këtë këndvështrim, se a mundet që raportet e tilla shqetësuese të ndikojnë në zgjerimin e BE-së dhe kur dihet se ka kritika për vendet anëtare, çfarë mund të presim në të ardhmen për Maqedoninë e Veriut e cila është vend-kandidat për anëtarësim, ekspertët për Portalb.mk, janë me mendime të ndara.

Sipas Malinka Ristevska Jordanovës, situata aktuale në Maqedoni nuk ofron bazë për tërheqjen e një paraleleje me vendet më të kritikuara të përmendura në Raport. Megjithatë, nëse kthehemi vetëm disa vjet prapa, thotë ajo, ne kishim një situatë të karakterizuar nga shembujt dhe praktikat më negative sesa raportet mbi sundimin e ligjit në BE. Përveç kësaj, pozicionimi i partive politike në vend në spektrin më të gjerë politik evropian dhe veçanërisht partneritetet me partitë qeverisëse në vendet e përmendura ngre pragun e vigjilencës.

Malinka Ristevska Jordanova

“Përmbajtja e disa shteteve anëtare të BE-së ndaj zgjerimit sigurisht që lidhet me pengesën në procesin demokratik që po ndodh në disa shtete të reja anëtare të BE-së – veçanërisht Poloninë dhe Hungarinë, të cilat janë kritikuar më ashpër në raportet për qeverisjen se së drejtës në BE dhe që është edhe më problematike – nuk reagojnë ndaj kritikave të institucioneve të BE -së. Megjithatë, interpretimi i skepticizmit të zgjerimit do të ishte shumë i thjeshtuar nëse do të bazohej vetëm në këta shembuj. Këto dy vende ishin ndër “të preferuarat” në procesin e fundit të zgjerimit, prandaj askush nuk parashikonte se ata do të bëheshin “problemi”. Nga ana tjetër, vetë Raporti i BE -së tregon se pavarësisht standardeve të larta të BE -së në këtë fushë, ato nuk duhet të merren si të mirëqena – prandaj është krijuar ky instrument parandalues, i cili përfshin të gjitha shtetet anëtare”, shprehet Malinka Ristevska Jordanova nga Instituti për Politika Evropiane.

Sidoqoftë, shprehet ajo, procesi i pranimit sigurisht që do të jetë i gjatë dhe kompleks, kështu që rezistenca ndaj pengesave në demokraci dhe sundimin e ligjit dhe, nga ana tjetër – qëndrueshmëria e ndryshimeve pozitive do të jetë vazhdimisht në test.

Nga ana tjetër Dimitar Nikollovski nga Eurothink vlerëson se konkluzionet në këtë raport nuk zbulojnë fenomene të reja në BE. Sfidat me të cilat ballafaqohet Brukseli në aspektin e gjyqësorit, korrupsionit dhe lirisë së medias në disa shtete anëtare tregojnë vetëm kontradiktat dhe pafuqinë institucionale për të ndërmarrë veprime konkrete.

Dimitar Nikollovski, Eurothink

“Problemet brenda BE-së do të pasqyrohen në vetë zgjerimin. Pamundësia për të vepruar në mënyrë efektive kundër shteteve anëtare do të thotë shtrëngim të kritereve për ata që mund të veprohet, përkatësisht vendet kandidate. Problemi ynë me Bullgarinë ka vënë në plan të dytë reformat dhe situatën e përgjithshme me demokracinë, por debatet brenda BE-së do të kthehen përsëri drejt nesh si kandidatë. Pres që zvarritjet e procesit tonë të pranimit do të përkojë edhe me futjen e kritereve më të rrepta për ne”, thotë Nikollovski.

Përndryshe, raporti i dytë e ka mbajtur metodologjinë e raportit të parë dhe i mbulon fushat e sistemit të drejtësisë, kornizën anti-korrupsion, pluralizmin dhe lirinë e medieve, si dhe çështje të tjera institucionale që kanë të bëjnë me mekanizmat e kontrollit dhe baraspeshës. Sikurse vitin e kaluar, përveç raportit të përgjithshëm për të gjithë Bashkimin Evropian, raporte të veçanta u botuan për secilin nga 27 vendet anëtare.

Hungaria dhe Polonia, për të cilat tashmë janë ngritur procedura në bazë të nenit 7 paragrafi 1 i Traktatit të BE-së i ashtuquajturi mekanizëm parandalues për sundim të ligjit – mbeten këmbëngulës edhe në injorimin e kritikave edhe të rekomandimeve të Raportit. Polonia nuk zbaton as masat e përkohshme të Gjykatës së drejtësisë të BE-së që kanë të bëjnë me pavarësinë e gjyqtarëve. Kritika e KE kanë të bëjnë edhe me përkeqësimin e pozitës së gazetarëve dhe përgjithësisht konstatohet se sistemi i baraspeshës dhe kontrollit është nën “presion serioz”. As autoritetet hungareze nuk reagojnë as ndaj kritikave të KE, veçanërisht për kërcënimin e mëtejshëm ndaj pavarësisë së gjyqësorit, për pavarësinë dhe pluralizmin e medias, si dhe për presionin mbi organizatat joqeveritare që janë kritike ndaj Qeverisë.

Shqetësojnë kritikat serioze ndaj shtetit që ishte lider i rajonit të Evropës Juglindore dhe kryesues aktual i BE – Sllovenia. Në Raport konstatohet përkeqësim të gjendjes me pavarësinë dhe pluralizmin e medieve, si dhe frikësim të gazetarëve.

Sa i përket Bullgarisë, pavarësisht faktit se e ka miratuar Planin e veprimit lidhur me Raportin e BE-së për sundimin e ligjit, konstatimet e raportit praktikisht tregojnë se reformat në drejtësi “vendnumërojnë”, ndërsa politikat anti-korrupsion nuk rezultojnë në zgjidhjen e lëndëve të profilit të lartë të korrupsionit.

Disa vende, ndërkohë, kanë reaguar ndaj kritikave kryesore të raportit të BE-së të vitit të kaluar. Këtu përfshihen, së pari, Sllovakia dhe Malta, të cilat kanë ndërmarrë masa, veçanërisht për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit.

Efektet e tilla të Raportit të KE për sundimin e ligjit u japin të drejtë kritikëve dhe mbështetësve të këtij mekanizmi. Kritikët marrin shembullin e vendeve që qëndrojnë të shurdhër ndaj kritikave nga KE dhe theksojnë se praktikisht nuk ka sanksione për “të pabindurit”, se ato janë shumë të ngadalta ose BE nuk i përdor as sanksionet që i ka në dispozicion. Ky debat nuk është vetëm teorik, sepse testi i vërtetë do të jetë zbatimi i sundimit të ligjit për përdorimin e fondeve të BE-së. Deklaratat nga Věra Jourová, nënkryetare e Komisionit për vlera dhe transparencë dhe komisioneri për drejtësi Didier Reynders, tregojnë qartë se theksi do të vihet në sanksione, jo vetëm në parandalimin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button