RMV, partitë shqiptare në pushtet mbështesin “Ballkanin e Hapur”, opozita vlerëson se është e dëmshme për rajonin

Partitë shqiptare në vend kanë qëndrime të kundërta sa i përket iniciativës së Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë për bashkëpunim rajonal të emëruar “Ballkani i Hapur”, Partitë shqiptare në pushtet përkrahin këtë iniciativë dhe janë në një linjë me Qeverinë sa i përket kësaj çështje. Ata vlerësojnë se iniciative të tilla për bashkëpunim rajonal janë pozitive dhe në të mirë të perspektivës së vendit. Bujar Osmani nga BDI, i pyetur nga Portalb.mk gjatë pres konferencës së përbashkët me homologen e tij nga Kosova, tha se, qëndrimi i partisë së tij nuk dallon shumë nga ai shtetëror dhe kjo iniciativë është një përpjekje për të qenë vlerë e shtuar në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

“Tash unë jam këtu në funksion të ministrit të Jashtëm, qëndrimet partiake do t’i jap në parti, por sido qoftë nuk mendoj se dallojnë nga qëndrimet shtetërore nga qëndrimet që i kemi ne si parti në drejtim të asaj se rajoni ka nevojë për bashkëpunim më të thellë, ka nevojë për defalementim të tregut. Në rajon ka mbi 70 iniciativa, secila me kontributin e vet për të qenë vlerë e shtuar për të thelluar bashkëpunimin. Edhe këtë iniciativë të fundit, e shoh si një përpjekje për të qenë vlerë e shtuar në kuadër të bashkëpunimit rajonal, pa tentuar që të neutralizojë efektin e iniciativave tjera rajonale. Për të liruar potencialin e nevojshëm në rajon, çdo iniciativë rajonale duhet të jetë inkluzive apo gjithëpërfshirëse. Nuk do të thotë që s’duhet të bëjmë përpjekje që çdo ide e re të analizohet dhe të tentohet tek ajo gjithëpërfshirja. Për një të tillë, duhet të bëhen analiza të shumta, të thella shkencore, për të parë të gjitha aspektet e cilës do iniciativë me qëllim që vendet tona, të ketë informata sa më të shumta për vendimet që i marrin në bazë të këtyre parametrave shkencor”, deklaroi Osmani.

Ndërkohë, nga Lëvizja Besa janë përgjigjur shkurt se, hapja e perspektivave të reja pa kufizime, kontribuon në zhvillimin e shtetit.

“Çdo hapje e perspektivave të reja pa kufizime burokratike do të çojë përpara zhvillimin e vendit tonë dhe të gjithë rajonit”, thanë nga kjo parti.

Nga ana tjetër opozita shqiptare është shprehur kundër kësaj iniciativa. Udhëheqës i departamentit për politikë të jashtme në këtë parti, Arben Fetahu ka thënë për Portalb.mk se, çfarëdo projekti për integrim rajonal duhet të bazohet ne Procesin e Berlinit, ku përfshihen gjashtë shtetet e rajonit si të barabartë. Çdo gjë tjetër sipas tij, është e dëmshme për rajonin.

“Si opozitë shqiptare, jemi prononcuar publikisht disa herë rreth projektit të Mini Shengenit dhe ato qëndrime janë në domenin publik. Parimisht, jemi për thellimin e bashkëpunimit rajonal mirëpo besojmë se projektet e tilla duhet të zhvillohen në kuadër të Procesit të Berlinit si mekanizëm i lehtësuar nga BE ku garantohet pjesëmarrje e barabartë për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Pra, poblemi me Mini Shengenin nuk është te ideja por te zbatimi i projektit. Problemi me këtë nismë është se ajo zhvillohet paralelisht me Procesin e Berlinit dhe nuk është e koordinaur me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Andaj, ajo po rezulton si integrim asimetrik me logjikë përjashtuese meqë gjysma e vendeve janë jashtë.  Sa i përket pjesëmarrjes së Maqedonisë së Veriut, vlerësojmë se qeveria i është ngjitur valles pa plan dhe për të kamufluar dështimet e njëpasnjëshme me integrimet evropiane. Është shqetësuese heshtja e partive shqiptare në pushtet, veçanërisht BDI-së e cila udhëheq me punët e jashtme, karshi këtij projekti që përjashton Kosovën”, tha Fetai.

Ndërkaq, nga Alternativa kanë thënë se, integrimi evropian nuk duhet të zëvendësohet me subintengrim. Ata po ashtu  janë shprehur kundër nismave rajonale ku nuk bën pjesë Kosova.

“Si e para, ne e kemi thënë disa herë se asnjë ide tjetër, si minishengeni ballkanik ose Open Balkans, nuk duhet të jetë substituim për integrimin në Bashkimin Europian. Interesi ynë parësor është ky dhe ne nuk duhet ta zëvendësojmë integrimin e tillë me subintegrim. Sa i takon idesë konkrete, është herët që ta gjykojmë me terma të prerë, megjithëse nuk është mirë që ndërtohen agjenda rajonale duke përjashtuar Kosovën dhe nuk na pëlqen fakti që Shqipëria e Kosova nuk janë bashkë në një agjendë”, thanë nga kjo parti.

Ndryshe, dje në Shkup u mbajt konferenca rajonale për iniciativën “Ballkani i Hapur” i cili paraprakisht quhej “Mini Shengen”, në të cilën morën pjesë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama dhe presidenti serb, AleksandarVuçiq. Qëllimet kryesore që synon t’i arrijë nisma për bashkëpunim rajonal janë lëvizja e lirë e qytetarëve, pa ndalesa në pikat kufitare mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, liria e shërbimeve përmes njohjes së kualifikimeve profesionale, vendosja e sistemit pa leje për transferimet ndërkompani, liria e mallit dhe e shërbimeve.

Pjesëmarrësit kanë nënshkruar memorandumet e para në kuadër të kësaj iniciative rajonale. Ato kanë nënshkruar marrëveshje për mbrojtje dhe shpëtim nga katastrofa në Ballkanin Perëndimor, memorandum për mirëkuptim për bashkëpunim në lidhje me qasjen e lirë në tregun e punës në BP dhe memorandum për mirëkuptim dhe bashkëpunim për lehtësimin e importit, eksportit dhe qarkullimit të mallrave në BP. Kujtojmë se, kësaj iniciative nuk i janë bashkangjitur tre shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Mali i Zi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button