Përse gjithë ky pluhur për përfshirjen e përkatësisë etnike në lejenjoftime?

Maqedonia e Veriut që nga 8 shtatori i vitit 1991, kur shpalli mëvetësinë pas shpërbërjes së federatës jugosllave, nuk synoi demokratizimin e mirëfilltë si gjithë vendet tjera që shpëtuan nga kthetrat e diktaturave moniste.  Kjo sepse arkitektët e shtetit pro forma demokratik, qenë besnikët e rritur me idetë dhe parimet e sistemit totalitar komunist, qenë ideatorët dhe përpiluesit e Kushtetutës, sipas së cilës: Maqedonia është shtet nacional (kombëtar) i maqedonasve, në të cilin sigurohet barazia qytetare dhe bashkëjetesa me shqiptarët, turqit, vllehët, romët dhe kombësitë/ pakicat tjera të vendit. Si i këtillë dokumenti themeltar i shtetit të ri, i miratuar pa vullnetin e shqiptarëve, u bë gjenerator krizash e përplasjesh të vazhdueshme ndëretnike, të cilat parësia përpiqej t’i qetësojë me ekspedita të dhunshme, që, për nga brutaliteti, shkuan përtej ekspeditave famëkëqia rankoviqiste. Përpjekjet e këtilla për të disilpinuar shqiptarët dhe për t’i shndërruar ata në qytetarë të rendit të dytë sipas modelit serb kulminuan me konfliktin e vitit 2001, pas të cilit ndryshuan për të mirë disa gjëra, po, mjerisht ne s’u bëmë shtetformues dhe për pasojë akoma sot e lusim sovranin për disa të drejta elementare të uzurpuara me ligje diskriminuese, që gjejnë mbështetje në Kushtetutën, e cila, fjala vjen, Gjuhën shqipe e njeh si gjuhë që e flasin 20 % e popullatës së vendit.

Natyrisht, shqiptarët që, për nga lashtësia, për nga kompaktësia territoriale, për nga mundësitë dhe për nga numri disa herë më i madh se i gjithë bashkësive të tjera, nuk do të duhej të gëzonin statusin aktual, për të cilin kanë faje konkrete, veçmas parësia e tyre (respekt përjashtimeve!) që e ka shfrytëzuar dhe e shfrytëzon pushtetin për t’u pasuruar, jo për të luftuar për të drejtat tona legjitime. Në këso rrethanash, kur pushteti faktik në duart e tjetrit, shndërron në renegat çdo lakmitar të pacipë favoresh, duke e forcuar në njërën anë shtetin njënacional pa obligime serioze për të zbatuar si e do demokracia ligjet e miratuara, si ai i përdorimit të gjuhëve, kurse në anën tjetër propagandon shtetin e qytetarëve të barabartë, të cilët bëkan sakrilegj nëse kërkojnë të përfshihet në lejenjoftime edhe përkatësia etnike.

Zhurmën aktuale lidhur me këtë çështje e nxit kreu i shtetit. Kështu z. Zaev, i njohur nga publiku me luhatshmërinë e qëndrimeve, në një deklaratë të vetme është edhe pro edhe kundër kërkesës për përfshirjen e përkatësisë etnike në lejenjoftime, sepse kjo rënka ndesh me ligjet e Bashkimit Evropan. I dyzuar dhe konfuz është dhe z. Pendarovski, i cili gjithashtu njëkohësisht i referohet përvojës evropiane lidhur me dokumentet zyrtare të qytetarëve, shpreh mendimin personal kundër përfshirjes së përkatësisë etnike në lejenjoftime, të cilën megjithatë nuk do ta pengojë nëse miratohet në Kuvend në mënyrë të rregullt.

Pas këtyre deklaratave qeshite radhiten dokrat kundër miratimit të ligjit për lejenjoftimet e reja të analistëve gjithollogë, që ditën kritiokojnë pushtetin e natën ndajnë kulaçin e favoreve me pjesën më hajditë të tij. E në fund fare kapardisen bushmanët e facebook-ut që s’dinë tjetër pos të shajnë e të pjekin serbes në dhoma gazi indianët.

Çudi e madhe! Shteti i çudirave respektuaka legjislaturën e BE-së për çështjet që i shkojnë për hoshafi, kurse nuk ua fut fare ligjeve të saj që nuk i shndërrojnë etnitë në përqindje dhe që nuk njohin etni biblike që u jep e u merr sipas qejfit të drejta të tjerëve.

Ç’janë këto marrëzira shkëlqesia juaj?!  A jeni në këto poste për të ndërtuar shtetin e së drejtës, shtetin e etnive dhe qytetarëve të barabartë, shtetin stabil multietnik, multikulturor e multifetar apo për t’na vozitur lakadredhaz drejt mjerimeve të reja që po e boshatisin vendin nga të rinjtë që janë ngirë me premtimet tuaja pordha.

Ose pranojeni hapur se nuk prish asnjë punë përfshirja e grafës për përkatësinë etnike ose pranojeni se keni frikë nga numri real i qytetarëve me përkatësi të ndryshme etnike e religjioze, të cilëve në shtetet që pretendojnë se kanë përmbushur njëpërnjë kushtet për anëtarësim në BE nuk duhet t’ua cënojë kush të drejtën për t’u deklaruar si shqiptarë, bullgarë, serbë, turqë, torbeshë, vllehë, romë, boshnjakë, kroatë… Të paktën mos ngrini kaq pluhur për lejenjoftimet, sepse të gjithë e dinë se këto rrena i keni për të fshehur para masave skajshmërisht të varfëruara vjedhjen e të ardhmes dhe bukës së tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button