fbpx

Iniciativa “Ballkani i Hapur”, Bujar Osmani e sheh përpjekje për vlerë të shtuar, Donika Gërvalla të rrezikshme

Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës kanë qëndrime të kundërta në lidhje me iniciativën e “Mini Shengenit”, apo ashtu siç dje u riemërua në konferencën rajonal ne Shkup “Ballkani i Hapur”, në të cilën Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia u bënë bashkë me qëllim për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave në këto shtete. Ministri i Jashtëm i RMV-së, Bujar Osmani, thotë se ashtu sikur iniciativat tjera, është një përpjekje për të qenë vlerë e shtuar në kuadër të bashkëpunimit rajonal, ndërkaq ministrja e e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Shvarc, thotë se kjo iniciativë është e rrezikshme pasi që e përçon mesazhin se rajoni ka alternativë tjetër pos BE-së, raporton Portalb.mk.

“Në rajon ka mbi 70 iniciativa, secila me kontributin e vet për të qenë vlerë e shtuar për të thelluar bashkëpunimin. Edhe këtë iniciativë të fundit, e shoh si një përpjekje për të qenë vlerë e shtuar në kuadër të bashkëpunimit rajonal, pa tentuar që të neutralizojë efektin e iniciativave tjera rajonale. Për të liruar potencialin e nevojshëm në rajon, çdo iniciativë rajonale duhet të jetë inkluzive apo gjithëpërfshirëse. Nuk do të thotë që s’duhet të bëjmë përpjekje që çdo ide e re të analizohet dhe të tentohet tek ajo gjithëpërfshirja. Për një të tillë, duhet të bëhen analiza të shumta, të thella shkencore, për të parë të gjitha aspektet e cilës do iniciativë me qëllim që vendet tona, të ketë informata sa më të shumta për vendimet që i marrin në bazë të këtyre parametrave shkencor”, tha ministri Osmani, pas takimit me homologen e tij kosovare GërvallaShvarc.

Sipas tij, kjo iniciativë duhet të kalojë nëpërmjet analizave të shumta shkencore për t’i parë benefitet politike, ekonomike që mund t’i ketë dhe pastaj secili vend të marrë vendim në kuadër të këtyre analizave.  

Gërvalla-Shvarc e ritheksoi qëndrimin e Prishtinës zyrtare se një iniciativë e tillë është e rrezikshme, duke e pasur parasysh përçimin e mesazhit se rajoni ka alternativë tjetër pos BE-së, por edhe se ekziston procesi i Berlinit në të cilin Kosova është i barabartë me pesë shtetet tjera të rajonit.

Pa ia mohuar të drejtën të marrë vendimet e tij se në cilën iniciativë do të marrë pjesë, me kë
dëshiron të bëjë koalicione të vogla apo të mëdha, si Republikë e Kosovës iniciativën e Novisadit apo Minishengenit, që nga dita e djeshme e Ballkanit të Hapur e konsiderojmë të rrezikshme, sepse krijohet përshtypja sikur përçohet mesazhi sikur kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët drejt BE-së. Përçimi i këtij mesazhit është më i rrezikshëm se sa vonesat që mund të ndodhin gjatë procesit tonë të integrimit. Kemi një proces të përbashkët rajonal, jemi të gjitha vendet e rajonit, quhet procesi i Berlinit. Aty kemi disa vite që përpiqemi të shtyjmë përpara marrëveshjet të cilat i prekin të gjithë qytetarët tanë, në këtë inciativë Republika e Kosovës është partner i barabartë me 5 shtetet e tjera të Ballkanit”, tha Gërvalla Shvarc.

Sipas saj, hapja e iniciativave paralele, të cilat në thelb nuk paraqesin diçka të re është e rrezikshme se si ne e shohim veten në rajon, por edhe si shihemi nga BE-ja. Ajo gjithashtu shtoi se synimet gjeostrategjike të shteteve ballkanike nuk janë të njëjta.

Ndryshe, dje në Shkup u mbajt konferenca rajonale për iniciativën “Ballkani i Hapur” i cili paraprakisht quhej “Mini Shengen”, në të cilën morën pjesë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama dhe presidenti serb, AleksandarVuçiq. Qëllimet kryesore që synon t’i arrijë nisma për bashkëpunim rajonal janë lëvizja e lirë e qytetarëve, pa ndalesa në pikat kufitare mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, liria e shërbimeve përmes njohjes së kualifikimeve profesionale, vendosja e sistemit pa leje për transferimet ndërkompani, liria e mallit dhe e shërbimeve.

Pjesëmarrësit kanë nënshkruar memorandumet e para në kuadër të kësaj iniciative rajonale. Ato kanë nënshkruar marrëveshje për mbrojtje dhe shpëtim nga katastrofa në Ballkanin Perëndimor, memorandum për mirëkuptim për bashkëpunim në lidhje me qasjen e lirë në tregun e punës në BP dhe memorandum për mirëkuptim dhe bashkëpunim për lehtësimin e importit, eksportit dhe qarkullimit të mallrave në BP.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button