RMV, pragu për listat e pavarura është në kundërshtim me rekomadimet e OSBE/ODIHR

Rekomandimi i OSBE/ODIHR është standardizimi i numrit të kërkuar të nënshkrimeve për kandidatët e pavarur në zgjedhjet vendore në maksimum një përqind të votuesve komunalë, që është në kundërshtim me pretendimet e Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë se ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor janë në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, transmeton Portalb.mk.

Propozimi i Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, i cili tashmë ka hyrë në procedurë parlamentare, parashikon që kandidatët e pavarur në zgjedhjet lokale të duhet të mbledhin nënshkrime prej dy përqind të votuesve në komunë. Në mënyrë shtesë, OSBE/ODIHR rekomandon që procesi i mbledhjes së nënshkrimeve të thjeshtohet, pasi sipas tyre nënshkrimi para përfaqësuesve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor në disa zona mund të ketë efekte penguese ose frikësuese për disa votues, diçka që nuk parashikohet në propozimndryshimet e Kodit Zgjedhor.

“Nga kandidatët e pavarur kërkohet të mbështesin kandidaturën me nënshkrime nga 100 deri në 1.000 votues, në varësi të numrit të votuesve në komunë, që është ekuivalent me 0.2 deri në 4.8 përqind të votuesve me të drejtë që jetojnë në komunën përkatëse. Kjo pasqyron mundësinë e barabartë të qytetarëve për t’u zgjedhur dhe është në kundërshtim me praktikat e mira, të cilat rekomandojnë që nënshkrimet në mbështetje nuk duhet të kalojnë një përqind të votuesve të regjistruar. Pozitive është që, siç është rekomanduar më parë nga OSBE/ODIHR, votuesit tani mund të nënshkruajnë në mbështetje të më shumë se një kandidati. Megjithatë, nënshkrimet ende duhet të mblidhen në prani të përfaqësuesve të KShZ-së . Në komunitetet e vogla, kërkesa të tilla mund të kenë efekte penguese ose frikësuese për disa votues. Standardizimi i numrit të kërkuar të nënshkrimeve për kandidatë të pavarur përmaksimum prej një përqind të votuesve të regjistruar duhet të konsiderohet në përputhje me praktikën e mirë ndërkombëtare. Përveç kësaj, siç është rekomanduar më parë, duhet të mendohet edhe për sigurimin e metodave alternative të mbledhjes së nënshkrimeve me qëllim që të zvogëlohet potenciali i frikësimit”, thuhet në raportin e OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e fundit lokale në 2017.

Sdk.mk iu drejtua Misionit të OSBE -së në Shkup dhe mori përgjigje se rekomandimet janë ato të listuara në raport.

“Misioni i OSBE -së në Shkup punon me qeverinë dhe institucionet publike të Maqedonisë së Veriut në të gjitha nivelet për të mbështetur përmirësimin e vazhdueshëm të proceseve demokratike. OSBE/ODIHR publikon rregullisht raporte të disponueshme për publikun që përfshijnë rekomandime për reformën zgjedhore dhe punën në partneritet me institucionet përkatëse dhe palët e interesuara”, thuhej në përggjigjen e Misionit.

Kryeministri Zoran Zaev më 27 korrik, duke njoftuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, tha se nuk bëhet fjalë për marrëveshje midis LSDM-së, VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, por të gjitha partitë politike kanë marrë pjesë në përgatitjen e projektligjit dhe shtoi se në hartimin e këtyre ndryshimet ligjore janë respektuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, përfshirë rekomandimin për unifikimin e pragut për dorëzimin e nënshkrimeve për listat e pavarura.

Një ditë më vonë, Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq tha se propozimi fillestar i Ministrisë së Drejtësisë ishte që pjesëmarrja të ishte 1 përqind, por për të, parti që ministri nuk donte t’i përmendëte dolën me propozime prej 3 përqind dhe 5 përqind nënshkrime të siguruara, të verifikuara në noter dhe të dorëzuara në KShZ, kështu që ishte arritur në 2 përqind.

Dje, kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski tha se dy përqind janë për shkak të kërkesës së partive në pushtet.

Ndërkohë, Komisioni për Antikorrupsion vlerëson se ndryshimet e propozuara të Kodit Zgjedhor për rritje të pragut të mbledhjes së nënshkrimeve për kandidatët e pavarur, janë korrupsion politik dhe shkelin sundimin e së drejtës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button