Lloje ekzistuese të Kovidit, të prezantuara si të „ardhshme dhe të planifikuara“

Postimi i shpërndarë në Facebook është manipulativ dhe i pavërtetë. Llojet e Kovidit: eta, jota, kapa dhe lambda, tashmë janë zbuluar dhe po mbikëqyren nga OBSH -ja. Por, përkundër fakteve, ky njoftim manipulon që ato në mënyrë të njëpasnjëshme sërish do të publikohen në media, gjoja si një plan për të hutuar publikun dhe për ta ruajtur tensionin artificial, shkruan Vertetmatësi.

Po recenzojmë një postim në Facebook, në të cilin në mënyrë të rreme pretendohet se llojet e Kovidit, domethënë mutacionet e koronavirusit, janë të “planifikuara” dhe, për më tepër, do të publikohen një nga një në muajt e ardhshëm. Në postimin që është subjekti i interesit tonë, ekziston një listë në të cilën janë shkruar shkronja të alfabetit grek, të cilat simbolizojnë një lloj mutacioni të koronavirusit, dhe pranë tyre ka një datë, kur pretendohet se do të bëhet publikimi i atyre mutacioneve për publikun.

JU LUTEM SHIKONI TABELËN SE KUR PLANIFIKOHEN VIRUSET sipas UNIVERSITETIT JOHN HOPKINS nën partonatin e Forumit ekonomik botëror. Datat – janë ditët kur viruset do të publikohen në media. Vaksina KOVID19 nuk parandalon sëmundjet – por instalon një sistem operativ në trupin tuaj që do të manipulohet nga një sistem me mikrovalë delta (5G), shkruan në postim.

Gjithashtu thuhet se vaksinimi do të bëhet i detyrueshëm “nga shtatori i vitit 2021 dhe do të përsëritet derisa të bëhesh një ngrënës i padobishëm!”, thuhet në postim.

Janë zbuluar disa mutacione të Kovidit: eta, jota, kapa dhe lambda

Do të fillojmë me radhë. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vendosi t’i emërtojë llojet e koronavirusit, pra mutacionet e tij, sipas shkronjave të alfabetit grek. Arsyeja e këtij vendimi është që publiku jomjekësor të mund t’i ndjekë më lehtë mutacionet dhe informacionet në lidhje me ato.

Për momentin, sipas informacioneve zyrtare nga OBSH, subjekti i interesit të saj janë disa mutacione: eta, jota, kapa dhe lambda. Të katër mutacionet, nën emrat eta, jota, kapa dhe lambda, janë të shënuara në listën e publikuar në postim, por manipulimi ndodh në pjesën ku pretendohet është planifikuar që ato të publikohen në të ardhmen! Dhe, në fakt, këto katër mutacione (eta, jota, kapa dhe lambda), jo vetëm që janë zbuluar tashmë, por janë gjithashtu edhe nën studim të OBSH -në.

Eta u zbulua në 17 mars të vitit 2021, jota në Shtetet e Bashkuara në mars të vitit 2021, kapa në Indi në prill të vitit 2021, dhe lambda në Peru në qershor të vitit 2021. Që këto mutacione tashmë ekzistojnë,e publikoi vetë OBSH në faqen e saj të internetit.

Por në postimin që po recenzojmë, ngjallet panik se gjoja bëhet fjalë për një planifikim të ardhshëm për lëshimin në qarkullim të këtyre llojeve, gjë kjo që nuk ka asnjë lidhje me realitetin.

Për llojin eta thuhet se do të publikohet në medie në shtator të vitit 2021, por për  këtë lloj tashmë është raportuar gjerësisht në media dhe tashmë është zbuluar.

Për mutacionin jota thuhet se do të publikohet në media në nëntor të vitit 2021, por ai  tashmë është zbuluar dhe shpjeguar.

Për llojin kapa gjithashtu është  njoftuar se është gjetur edhe pse në postim në mënyrë të rreme thuhet se do të publikohet në media në dhjetor të këtij viti.

Sa i përket llojit lambda, mediat botërore tashmë po e shpjegojnë atë gjerësisht, edhe pse në postim thuhet se do e publikojnë në vitin 2022.

Nga këta katër shembuj për katër mutacione të Kovidit mund të konkludohet se afatet kohore të dhëna në postim janë të rreme, pra nuk bazohen në fakte, gjë që vërtetohet lehtë, sepse mutacionet tashmë ekzistojnë dhe tashmë janë nën mbikëqyrje të OBSH-së. Trendi që dëshiron të imponohet në postim është që ta bindë publikun se ekziston një kornizë kohore për zbulimin e njëpasnjëshëm të llojeve të kovidit, si pjesë e një plani për ta mbajtur botën në tension të vazhdueshëm që të blihen vaksina vazhdimisht. Sidoqoftë, llojet e reja janë një realitet dhe vaksinimi është një strategji globale për t’u mbrojtur kundër tyre.

Vetëm 0,02% e të vaksinuarve janë infektuar me Kovid-19

Në postim thuhet se vaksina nuk e parandalon sëmundjen. Por ajo që tregon përvoja me vaksinën e deritanishme është se ajo parandalon format e rënda të sëmundjes dhe parandalon hospitalizimin. Për shembull, nga Ministria e shëndetësisë së RMV-së informojnë se nga gjithsej 330.320 qytetarë që kanë pranuar të dyja dozat e vaksinës, 96 kanë rezultuar pozitiv pas pranimit të dozës së dytë. Kjo do të thotë se vetëm 0,02 % e tyre janë infektuar me Kovid, që e vërteton edhe një herë nevojën për vaksinim. Nga ato 96 pozitivë, 56 janë infektuar brenda një periudhe më pak se 21 ditë pas pranimit të dozës së dytë të vaksinës. Vetëm 13 nga të infektuarit kanë përfunduar në spital.

Pjesa e tretë më e palogjikshme e postimit është ajo në të cilën pretendohet se „vaksina kundër Kovidit në trupin tuaj ju instalon një sistem operativ që do të manipulohet nga një sistem me mikrovalë delta (5G)”?!
Nuk është e qartë se çfarë nënkuptohet me një sistem me mikrovalë. Është e qartë se me vaksinimin kundër Kovidit qytetarët as nuk do të monitorohen dhe as nuk do të instalohet në trupin e tyre kurrëfarë çipi dhe për këtë temë kemi shpjeguar më shumë në këtë recenzion.

Për shkak të të gjitha fakteve të paraqitura, postimin që e recenzuam ne e konsiderojmë si të pavërtetë. Llojet e Kovidit as nuk janë planifikuar dhe as nuk do të publikohen në mënyrë të njëpasnjëshme në media si një plan për të hutuar publikun dhe për të mbajtur një tension artificial, por ato ekzistojnë dhe tashmë po monitorohen.

 

Disklejmer Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button