fbpx

Zjarret masive pyjore morën tre jetë në Turqi, dhjetëra të plagosur (FOTO)

Zjarret masive pyjore në qytetin bregdetar të Mesdheut të Turqisë, Antalya, kanë marrë tre jetë njerëzish, transmeton Anadolu Agency (AA).

Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) përmes një deklarate tha se tre persona humbën jetën dhe 122 të tjerë u prekën nga zjarret në qarkun Manavgat. Trajtimi i 58 personave vazhdon në spitale, shtoi AFAD.

Shumë shtëpi, vende pune, hambare, tokë bujqësore, serra dhe automjete u dëmtuan për shkak të zjarrit, tha AFAD duke shtuar se 12 ekipe po kryejnë aktualisht vlerësimin e dëmeve.

Gjysmëhëna e Kuqe Turke dërgoi një tendë të kuzhinës fushore, pesë automjete hotelerike dhe njësi ushqyese me një kapacitet për 20.400 persona.

“Zjarret në Manavgat të Antalyas janë nën kontroll, por ka një zjarr aktiv në qarkun Akseki i cili shpërtheu mbrëmë, u tha gazetarëve në Antalya ministri i Bujqësisë dhe Pyjeve, Bekir Pakdemirli.

Pakdemirli tha se një 82-vjeçar, i cili ishte i vetëm në shtëpi, humbi jetën ndërsa përpjekjet e evakuimit ishin duke u zhvilluar në fshatin Kepezbeleni të Akseki-t. Ai u bëri thirrje vendasve që të respektojnë paralajmërimet.

Mustafa Yigit, guvernatori i Manavgat i tha AA se 10 persona u shpëtuan në digën Oymapinar.

“Ata u prekën nga tymi dhe u dërguan në spital”, tha ai, duke shtuar se ata nuk janë në rrezik për jetën.

Më herët, Pakdemirli tha se kishte 10 persona të bllokuar në digën Oymapinar ndërsa disa lagje janë evakuuar.

“Ambulancat dhe ekipet e AFAD-it janë në rrugë për qytetarët tanë në digën Oymapinar. Rruga është e hapur, ata do të përpiqen t’i evakuojnë”, tha Pakdemirli.

Ai tha se në përpjekjet për vënien nën kontroll të 10 zjarreve janë angazhuar gjithsej 1.832 pjesëtarë, tre aeroplanë, 29 helikopterë dhe 458 cisterna uji.

Ministria e Bujqësisë dhe Pyjeve ka angazhuar gjithashtu një helikopter pa pilot për shuarjen e zjarrit në Manavgat. Helikopteri pa pilot, i projektuar për të mbështetur pikën e kontrollit përmes kamerës termike dhe sensorëve të tij me rezolucion të lartë, mund të qëndrojë në ajër deri në tetë orë.

Pakdemirli dhe ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu kontrolluan zonën e zjarrit, e cila shpërtheu në katër pika të ndryshme në qarkun Manavgat të mërkurën dhe u përhap në një zonë të gjerë.

“Ne shpresojmë që zjarret si në Manavgat dhe në pjesë të ndryshme të Turqisë të vihen nën kontroll dhe të shuhen”, tha Çavuşoğlu.

This slideshow requires JavaScript.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button