Dhuruesja e yjeve

Jojo Moyes për mua është njëra ndër shkrimtaret e preferuara. Më pëlqen pa masë stili i saj i lehtë gjatë trajtimit të temave të rënda. Më pëlqen humori i saj anglez në situata ku shumë të tjerë do të shihnin vetëm tragjedi. Më pëlqen ndjeshmëria me të cilën i përshkruan raportet e komplikuara njerëzore. Më pëlqejnë fjalitë e shkurtra dhe romanet me mesazhe të përjetshme. Më pëlqen stili në të cilin ajo shkruan.

Takimin e parë me Jojo Moyes e kisha rreth dy viteve më parë, në një shtëpi malore në Greqi, ku kishim shkuar të kalojmë një fundjavë. Më pëlqen kur në apartamentin që e prenotojmë gjejmë edhe libra për të lexuar. Gjithmonë më intrigon mënyra se si pronarët e apartamentit i përzgjedhin librat që do i lënë mbi raft për mysafirët e tyre që do të qëndrojnë pak ditë aty. A thua vallë i zgjedhin librat që i lënë aty sipas preferencave të veta? A thua janë libra të harruar që nuk e kanë pasur mendjen kurrë ti lexojnë? A thua janë libra që u kanë lënë mbresë atyre dhe duan që këto mbresa t’ua kalojnë edhe mysafirëve? Nëse është kjo e fundit, atëherë mund të them që kanë sukses të plotë. Sepse ajo fundjavë Tetori e vitit 2019, është ngulitur në kujtesën time si fundjave kur lexova librin me tregime të shkurta të Jojo Moyes “Paris for one”. Ishte dashuri në shikim të parë, dhe që nga ajo ditë, gjithmonë kur shoh libra të kësaj autoreje, i marr për ti lexuar dhe i lexoj në një frymë.

E tillë ishte për shembull trilogjia “Unë më parë se ti”, “Pas teje” dhe “Ende unë”. Një tregim i paharrueshëm për të drejtën e jetës, jetës kualitative dhe vdekjes. Libër i mrekullueshëm që shqyrton thellësinë e emocioneve të njeriut në situata të vështira dhe për shumë njerëz të papërballueshme. Një trilogji që e trajton procesin e shërimit nga trauma të rënda si që është humbja e një personi të dashur. Një përmbledhje librash që flet mbi forcën e njeriut, mbi bukurinë e jetës dhe mbi dëshirën për të jetuar. Jojo Moyes në librat e saj gjithmonë i jep një rendësi të veçantë periudhës së adoleshencës, sidomos vështirësive me të cilat të rinjtë përballen. Këto tema i trajton në librin “Pas teje” dhe në librin “Kali valltar”. Libra të mrekullueshëm për ta kuptuar botën e adoleshentëve që shpesh është një mister për të rriturit, pavarësisht që ata vetë e kanë kaluar më herët atë periudhë të jetës. Normalisht, secila kohë i ka sfidat e veta, dhe të jesh adoleshent në vitet ’80, ’90, ’00, ’10 dhe ’20 nuk është e njëjta gjë.

Libri i fundit që lexova nga Jojo Moyes ishte pafundësisht mbresëlënës. Quhet “Dhuruesja e yjeve” dhe trajton një projekt i cili ka qenë aktiv në SHBA nga viti 1935 deri në vitin 1943. Projekti i iniciuar nga Zonja e pare e atëhershme, Eleanor Roosevelt ka pasur qëllim që gra vullnetare të dërgojnë libra deri në vendbanimet më të largëta të SHBA në mënyrë që të mundësojnë edhe njerëzit në vendet e largëta rurale të kenë qasje deri tek librat, megjithëse nuk mund të bëjnë vizita të përjavshme në bibliotekë. Ky projekt është quajtur Biblioteka e grave kalorëse, sepse gratë i kanë dërguar librat në rajone malore, duke shfrytëzuar kuajt si mjet transporti. Libri trajton mënyrën si është jetësuar ky projekt kaq ambicioz në shtetin Kentaki. Jojo Moyes me mjeshtëri të rrallë trajton tema të ndryshme që kanë të bëjnë me rajonin e Kentakit, gjatë periudhës mes dy luftërave botërore që botërisht njihet si periudhë e depresionit të madh dhe varfërisë.

Ajo trajton temat sociale të varfërisë me të cilën përballen njerëzit e thjeshte duke u munduar të sigurojnë ekzistencën. Ajo po ashtu trajton problemin e eksploatimit të forcës së punës në minierat në Kentaki. Ajo trajton temat familjare të raporteve mes njerëzve, të cilat ndryshojnë nga familja në familje, dhe në një vend mund të shohësh familje të varfëra por shumë funksionale dhe të lumtura, në një vend tjetër mund të shohësh familje të varfëra dhe të lumtura por të goditura nga tragjedi të ndryshme, dhe jo rrallë mund të shohësh familje të pasura që jetojnë me të gjitha të mirat materiale por me raporte shumë të këqia ndërnjerëzore. Moyes në këtë libër e trajton problemin e dhunës në familje dhe prezencën e saj në shumë vende, edhe aty ku më së paku mund të merret me mend. Moyes e trajton problemin e diskriminimit gjinor në mënyrë mjeshtërore, dhe po aq mjeshtërisht e trajton problemin e racizmit dhe segregacionit.

Katër gra të reja kalorëse, të cilat japin yje në formë librave për fëmijët, gratë dhe burrat e vendeve më të largëta në Kentaki, kjo po që është një storje interesante dhe impresionuese. Temat që trajtohen në aspektin social dhe familjar janë aq të ngjashme me tregimet dhe novelat e Migjenit, për po të njëjtën periudhë në Shqipëri. Problemet e diskriminimit jehojnë në të njëjtën mënyrë edhe sot e kësaj dite, jo vetëm në Kentaki por edhe në shumë vende tjera. Prandaj në këtë libër mund të gjenden shumë gjëra që na bëjnë të reflektojmë për forcën e karakterit njerëzor, për lakminë dhe poshtërsinë e njeriut, dhe mbi të gjitha për mënyrën e funksionimit të një shoqërie.

“Dhuruesja e yjeve” është libër që ia vlen të lexohet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button