Me 95 vota “për” u miratua Rezoluta e VMRO-DPMNE-së për “vijat e kuqe” në bisedimet me Bullgarinë

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e ka miratuar Rezolutën e dorëzuar nga opozitarja VMRO-DPMNE për pozitat në bisedimet me Bullgarinë. Ajo është votuar me 95 vota “për” dhe 1 “të përmbajtur”, njofton Portalb.mk.

“Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë me propozim të VMRO-DPMNE-së është miratuar deklarata për linjat e kuqe maqedonase ndaj Bullgarisë! Gjuha maqedonase është gjuhë e ndryshme nga të tjerat. Populli maqedonas ka kulturë dhe histori me të cilën mund të krenohet dhe nuk do të lejojmë që askush të na e kontestojë”, shkruajti në rrjetet sociale, nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski, pas miratimit të Rezolutës.

Kjo re rezolutë vjen pasi që Bullgaria e bllokoi integrimin evropian të RMV-së, nën arsyen se gjuha maqedonase është dialekt i bullgarishtes, ndërkaq shteti i Maqedonisë së Veriut është formuar pas Luftës së Dytë Botërore. Shumica qeverisëse paraprakisht njoftoi se nuk do ta pranojë rezolutën nëse emri kushtetues nuk përfshihej në të. Në lidhje me këtë, një grup deputetësh nga shumica paraqitën amendament i cili fut prapashtesën Veri në Rezolutën e dorëzuar të VMRO-DPMNE-së për “vijat e kuqe” kombëtare.

LSDM theksoi se për ta thelbi i rezolutës për vijat e kuqe me Bullgarinë është plotësisht i pranueshëm pa asnjë ndërhyrje, por lënia jashtë e prapashtesës “Veri” në emrin e shtetit do të ishte shkelje e Kushtetutës.

Draft -rezoluta, ndër të tjera, parasheh që negociatat të zhvillohen në mënyrë të barabartë dhe parimore, me respektimin e duhur të të drejtës ndërkombëtare, pa asnjë kushtëzim nga njëra anë ose nga ana tjetër, dhe me respekt për dinjitetin e popullit maqedonas.

Të respektohen autoktonia e popullit maqedonas dhe vazhdimësia e tij historike, gjuhësore, kulturore dhe fetare.

Gjuha maqedonase dhe diversiteti i saj dialektor kanë vazhdimësinë e tyre hapësinore dhe vazhdimësinë e tyre kohore.

“Identiteti maqedonas merr legjitimitetin e tij nga traditat, zakonet, kujtesa kolektive, mentaliteti, gjuha, vetëdija e artikuluar e veçantisë etnokulturore, integriteti kolektiv, respektimi i institucioneve tradicionale fetare dhe tregimi i përkatësisë në një zonë të caktuar gjeografike. Procesi i integrimit evropian të vendit tonë të vazhdojë në frymën e respektit dhe vlerësimit reciprok të përpjekjeve të bëra nga ne për të përmbushur kriteret. Të zbatohen Konventat ndërkombëtare pozitive dhe përgjithësisht të pranuara dhe Deklaratat e OKB-së për të drejtën e vetëvendosjes dhe të drejtat dhe liritë e njeriut. Të respektohet vullneti i shprehur pa kushte i popullit maqedonas, veçantia e tij etnike dhe shpirtërore”, thuhet ndër të tjera në propozim-rezolutën e VMRO -PDMNE-së.

Në fund të qershorit, pritej që Maqedonia të marrë dritë jeshile nga të gjitha vendet anëtare të BE-së për miratimin e kornizës negociuese dhe për rrjedhor fillimin e negociatave me BE-në, por përsëri u bllokua nga Bullgaria.

Ndërkohë, bisedimet midis dy vendeve për zgjidhjen e ngërçit pritet të fillojnë pas formimit të një Qeverie në Bullgari, pasi aktualisht ky vend është me qeveri teknike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button