Rruga për në shtëpi

Gjatë këtij muaji të nxehtë korriku duhej të bëj një udhëtim deri në Zagreb për të marrë pjesë në një konferencë. Udhëtimi me makinë ishte i lehtë dhe i shpejtë në shkuarje. Ashtu si edhe prisja, kthimi ishte pak më i vështirë, për shkak të pritjeve të gjata në kufi. Rreth pesë orë pritje në kufijtë që i ndajnë vendet në ato të UE dhe në ato të Ballkanit Perëndimor. Pritje të gjata në kohë të nxehtë me diell. Pritje që duken panfund rrugës për në shtëpi.

Gjatë atyre orëve të gjata të pritjes, shikoja përreth për të parë fytyrat e të tjerëve që prisnin në rradhë. Fytyra të lodhura nga rruga e gjatë dhe nga viti i mundimshëm plot me punë dhe me halle. Fytyra të qeta dhe të lumtura që më në fund, pas më shumë se një viti, kthehen në vendlindje për t’u takuar me të afërmit, për të kaluar pak çaste në shtëpitë e tyre për të cilat kanë punuar aq shumë dhe  ikanë lënë të mbyllura aq gjatë, për t’u takuar me familjarët dhe me miqtë, për të treguar respekt ndaj institucionit kryesor shoqëror, familjes. Diaspora e gjithë rajonit e kalon këtë rrugë dhe këto kufinj gjatë muajve të verës. Shqiptarët nga të gjitha vendet e Maqedonisë së Veriut dhe nga Kosova përbëjnë numrin më të madh të udhëtarëve. Poashtu mund të shkohësh një pjesë të mirë të diasporës turke duke kaluar në këto rrugë.

Ajo që më la më së shumti përshtypje kur vrojtoja fytyrat e lodhura të udhëtarëve, ishte që aty dukej qartë malli për shtëpinë. Sepse ka vetëm një vend ku njeriu ndihet në shtëpi, dhe ky është vendi ku flitet gjuha e nënës, vendi ku mund të jesh vetvetja, vendi ku nuk duhet të kesh kujdes se dikush të akuzon se je shumë i zhurmshëm, vendi ku e bën gjumin më të rehatshëm në botë duke e ditur që të gjithë ata që i do janë afër teje. Ky mall ishte shumë i dukshëm në secilën fytyrë që e shikoja atë ditë të shtune, ky mall u jepte atyre njerëzve qetësinë që të përballen me sfidat e rrugës dhe me orët e gjata të pritjes. Ky mall është ajo forcë magnetike që i bën gjithë këta njerëz ta marrin rrugën e gjatë dhe të mundimshme për në shtëpi, si salmonët kur me mundim notojnë kundër rrjedhës së lumit, me të vetmin qëllim, të arrijnë në vendin ku kanë lindur dhe prej ku e kanë nisur udhëtimin e tyre nëpër botë.

Ndonjëherë, kur ecim ose vozisim në rrugët e stërmbushura të qyteteve tona gjatë verës, kur zemërohemi nga tollovia, kur na irriton pritja në rradhë për t’u ulur në lokalin e preferuar, është mirë ta kujtojmë rrugën e gjatë që diaspora jonë e bën dhe rradhët e gjata që ajo i pret në kufi për t’u kthyer në shtëpi të paktën një here në vit ose dy here e shumta, rrugën që e bëjnë kundër rrjedhës së lumit, vetëm për të kaluar disa çaste të shkurta në vendlindje, vetëm për t’u ndjerë në shtëpi për disa ditë të numëruara që kalojnë shpejt dhe ndër presionin e pyetjes më irrituese për ta: “Sa do të rrish?” Duhet pasur respekt për kohën që ata vendosin ta kalojnë me ne, kur munden lirisht të shkojnë në pushime luksoze në destinacione shumë ekzotike, të cilat janë shumë më të qasshme nga vendet ku ata jetojnë. Ata vendosin që ato ditë të pakta pushimi që i kanë t’i kalojnë me ne, dhe ky veprim duhet çmuar dhe vlerësuar lartë.

Gjatë kthimit ata përballen me rreziqet e një rruge të gjatë, duke qenë se shumica e tyre udhëtojnë nga vende të largëta të Evropës veriore ose perëndimore. Gjatë kthimit ata përballen edhe me faktin që kufitarët shfrytëzojnë rastin që t’i trajtojnë si vendas të shteteve  jashtë Unionit Evropian, duke i bërë që të presin në rradhë të gjata, së bashku me të gjithë të tjerët, edhe pse makinat e tyre mbajnë targat e qyteteve të UE ku ata punojnë. Për më tepër, ata përballen me lodhjen e rrugës, dhe jo rallë shihni aksidente të tmerrshme që ndodhin mu para syve tuaj. Ditën kur unë udhëtojoja drejt shtëpisë, makina kaloi pranë autobusit që kishte dalë nga rruga, në afërsi të Nova Gradishkës. Një javë më vonë, një autobus tjetër plot me udhëtarë u rrokullis në afërsi të Slavonski Bordit, dhe jetën e humbën dhjetë udhëtarë ndërsa u plagosën shumë të tjerë, qëllimi i vetëm i të cilëve ishte pikërisht kalimi i disa ditëve në shoqërinë e më të dashurve, familjarëve dhe miqve. Rreziku që populli e përshkruan në fjalën e urtë “Udha vade s’ka.” është gjithmonë aty, rëndon si shpata e Damoklit mbi secilin udhëtar që mer rrugën e kthimit në shtëpi.

Dua t’u shpreh ngushëllime të sinqerta të gjithë familjarëve të viktimave të tragjedisë së Slavonski Brodit ndërsa të mbijetuarve u dëshiroj shërim të shpejtë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button