Rebalanci i buxhetit u miratua, Besimi thotë se do të ketë më shumë para për shëndetësi, pensione dhe paga

Parlamenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut e miratoi sot rebalancin e buxhetit për vitin 2021, i cili, sipas ministrit të financave Fatmir Besimi, nënkupton më shumë të ardhura buxhetore, më shumë fonde për shpenzime kapitale, masa për të mbështetur ekonominë dhe qytetarët për shkak të krizës me koronavirusin, shëndetësinë, bujqësinë, për pagesa të rregullta të pagave dhe pensioneve dhe të drejta sociale, njofton Portalb.mk.

Të hyrat e përgjithshme me ndryshimet dhe plotësimet e Buxhetit të Maqedonisë slë Veriut për vitin 2021 janë planifikuar në nivelin 222,5 miliardë denarë dhe ato janë rreth 10 miliardë denarë ose 4.7% më të larta se parashikimet fillestare të Buxhetit. Shpenzimet totale janë planifikuar në nivelin prej 268,8 miliardë denarë ose për 8,6% më të larta, pra për rreth 21,2 miliardë denarë në krahasim me planin. Të hyrat dhe shpenzimet e planifikuara supozojnë një deficit në vlerë prej 46,2 miliardë denarë, ose 6.5 % e BPV-së.

“Rebalanci për vitin 2021 e reflekton gjendjen ekonomike, shqetësimet në lidhje me përdorimin e fondeve publike dhe drejtimit të tyre drejt realizimit të synimeve të përcaktuara, si dhe angazhimit në përballjen me pandeminë”, tha ministri i financave Fatmir Besimi në shpjegimin e rebalancit të buxhetit.

Tre miliardë denarë shtesë janë siguruar për sektorin e bujqësisë, 685 milionë denarë për mbrojtjen e mjedisit përmes Programit të ri për Zhvillim të gjelbër, 416 milionë denarë plotësues për sektorin social për pagesën e kompensimeve për mbrojtje fëmijëve dhe të drejtave sociale, 200 milionë denarë për ushqim të studentëve, si dhe për rimbursim të TVSH -së 880 milionë denarë.

Shpenzimet kapitale janë planifikuar në një nivel prej rreth 30 miliardë denarë ose 5,7 miliardë denarë më të larta se plani për vitin 2021. Me ndryshimet dhe plotësimet e  Buxhetit për vitin 2021, u bë ridizajnim i shpenzimeve me një pjesë më të madhe të shpenzimeve kapitale në totalin e shpenzimeve, ku rritja prej 24 % e shpenzimeve kapitale është rezultat i sigurimit të fondeve të nevojshme për realizimin e një pjese të masave të Qeverisë, si 615 milionë denarë për kredi pa interes përmes Bankës për zhvillim për sektorët më të prekur, 300 milionë denarë për një skemë të garancisë së kredisë përmes Bankës për zhvillim, 610 milionë denarë për krijimin e një Fondi mbështetës të eksportit përmes Bankës për zhvillim, 500 milionë denarë shpenzime kapitale për zhvillimin rural IPARD, 90 milionë denarë për investime në objekte sportive, 60 milion denarë për një lagje sociale në Strumicë dhe 120 milionë denarë për Qarkoren në rrugën Slloveneçka, 55 milion denarë për kopshte dhe qendra sociale, 123 milion denarë për rindërtimin e institucioneve shëndetësore publike, kanë theksuar nga Ministria e financave

“Buxheti është likuid. Realizim i të ardhurave është i shkëlqyer, që ishte një nga bazat rebalancit, ndërsa shpenzimet realizohen rregullisht dhe në kohë brenda parashikimeve dhe pritshmërive. Të ardhurat nga fillimi i vitit janë rritur me 15,6 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, tha Besimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button