24 Hungari: Gruevski hapi kompani në Budapest me adresë në Shkup, biznes me porcelan, qelq dhe produkte për pastrim

Ish kryeministri Nikolla Gruevski, i cili u arratis nga Maqedonia në Hungari mes një procesi gjyqësor për korrupsion dhe mori azil në vjeshtën e vitit 2018, me adresë në Distriktin 5, e fitoi edhe të drejtën e votës në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm në Budapest, shkruan në faqen e parë portali hungarez 24.hu. si hyrje në lajmet se Gruevski e ka hapur biznesin e tij me qeramikës në Hungari, transmeton Portalb.mk.

Portali thekson se ka pasur shumë reagime nga opozita në Hungari, për atë që pikërisht po e bën ish-shefi i qeverisë së Maqedonisë në këtë vend, ndërsa deri më tani është njoftuar vetëm zyrtarisht se Gruevski “është punësuar si këshilltar Ministrit të Jashtëm hungarez për çështjet e Ballkanit Perëndimor “.

Portali zbulon se Gruevski ka hapur biznes privat në Hungari. Kompania e tij, ICIC Kft, është regjistruar në Pecel, periferi e Budapestit më 15 korrik, dhe ai është drejtori dhe themeluesi i kompanisë. Aktiviteti i saj kryesor është menaxhimi i biznesit dhe biznes konsultime, por kompania gjithashtu merret me shitje me shumicë të porcelanit, produkte të qelqit dhe produkte pastrimi. Edhe pse dihet se Gruevski jeton në Hungari, ai e ka dhënë adresën e Shkupit si selinë e tij, ndërsa avokati Katalin Hornjik është regjistruar si përfaqësues ligjor i autorizuar, shkruan portali.

Në artikullin mbi biznesin e ri të Gruevskit në Hungari, portali jep detaje nga biografia e tij, punën në Bankën Ballkanike, Bursën Maqedonase, bashkëpunimin me Matav të Hungarisë, ministrinë e financave kur u vendos taksa e vlerës së shtuar dhe më vonë fushata “Blini produkte të Maqedonisë”.

“Por ai nuk bleu vetëm produkte maqedonase për vete, por edhe Mercedes”, shkruan portali, duke shtuar se për shkak të kësaj çështje ai u arratis nga Shkupi dhe u dënua me dy vjet burg. “Gruevski bleu një automjet të blinduar me para të shtetit, ndikoi prej ku të blihet makina dhe u akuzua për korrupsion” vë në pah 24.hu.

“Pse Gruevski mori azil në Hungari?” A ka lidhje kjo me politikën e Orbanit për Ballkanin, për të ndërtuar sistemin e tij federal? pyet portali dhe shton se Orban së bashku me kryeministrin slloven Janez Jansa dhe Gruevski janë anëtarë të të ashtuquajturës “Treshi i Ohrit” të cilët u takuan në vitin 2017 në Shkup. “Kryeministri hungarez ka vendosur marrëdhëniet më të mira  me këta dy politikanë të vendeve pasardhëse të ish Jugosllavisë (megjithëse ai ka marrëdhënie të shkëlqyera edhe me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq)”, shkruan portali.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button