U themelua Institucioni publik që duhet të mbrojë dhe menaxhojë me Malin Sharr

Qeveria e themeloi Institucionin publik që do të menaxhojë dhe mbrojë Parkun kombëtar të Malit Sharr. Ky institucion do të duhet të zbatojë Planin për menaxhim të parkut, i cili është hapi i fundit i madh për të siguruar mbrojtje të plotë dhe të mirëfilltë të burimeve natyrore të këtij rajoni, njofton Portalb.mk.

Një pjesë e malit Sharr u shpall park kombëtar në fillim të këtij muaji pasi Parlamenti e miratoi Ligjin për shpallje të një pjese të Malit Sharr për zonë të mbrojtur në kategorinë II. Me këtë, vendi e fitoi parkun e katërt kombëtar, përveç Mavrovës, Galiçicës dhe Pelisterit, ndërsa i pari që u shpall pas pavarësisë së shtetit.

Me Malin Sharr u rrumbullakua rajoni i mbrojtur që shtrihet në tre shtete dhe e mbulon një zonë të mbrojtur ndërkufitare me një sipërfaqe totale prej 244.617 hektarë. Parku kombëtar në Kosovë është që nga viti 1986, ndërsa në Shqipëri ekziston zonë e mbrojtur Korabi në kategorinë e parkut natyror që nga viti 2011. Parku Kombëtar i Mavrovës dhe parku i sapo shpallur i Malit Sharr u shtohen atyre zonave, ashtu që e gjithë zona me vlera të jashtëzakonshme biologjike dhe estetike fitojnë mbrojtje integrale.

Plani për menaxhim të Sharrit duhet të miratohet brenda një viti dhe me të do të përcaktohen të gjitha aktivitetet e lejuara dhe të ndaluara. Ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, me mbështetjen e Unionit Ndërkombëtar për mbrojtje të natyrës (IUCN), përmes Programit të Kombeve të Bashkuara për mbrojtje të natyrës, tashmë po punojnë në terren, me popullatën vendase dhe subjektet ekonomike, për të gjetur zgjidhjen më të mirë dhe të përgatisin tekstin e planit. Procesi i miratimit të këtij dokumenti parashikon mbajtjen e debateve publike, në të cilat mund të dëgjohet opinioni publik në lidhje me vendimet për mbrojtjen dhe menaxhimin e Sharrit.

Nga Qeveria informojnë se me miratimin e Vendimit për themelimin e Institucionit publik për menaxhim dhe mbrojtje të Parkut Kombëtar Mali Sharr, do të vendoset regjim i mbrojtës të Sharrit dhe do të merren masa për mbrojtjen e zonave të krijuara në parkun kombëtar .

Ministri i mjedisit jetësor Naser Nuredini para do kohe fundit paralajmëroi se renxherë me përvojë do të ruajnë Parkun Kombëtar Mali Sharr dhe do të kujdesen për mbrojtjen e burimeve natyrore dhe botës së egër.

Ndër aspektet më të rëndësishme për mbrojtjen e zonës është ndalimi i ndërtimit të hidrocentraleve të vogla dhe zgjidhja e problemit me ndërtimet pa leje, por edhe prerjet ilegale, gjuetia pa leje, gërmimi i rrugëve të reja, shndërrimi i tokës dhe të tjera. Nuredini njoftoi se janë duke u zhvilluar negociata me koncesionarët e hidrocentraleve në të cilat do të bëhen përpjekje për të hequr dorë nga ndërtimi i objekteve energjetike dhe se ndërtimet ilegale në zonën e mbrojtur mbeten të paligjshme.

Institucioni i ri publik do të ketë për obligim të ndalojë dhe kontrollojë këto procese, ndërsa nga ana tjetër të edukojë popullatën dhe të promovojë mënyra pozitive dhe të qëndrueshme për zhvillim të rajonit. N zonën e Parkut të ri hyjnë 30 fshatra me pak më shumë se 26.000 banorë, të cilët do të jenë në gjendje të zhvillojnë eko-turizmin rural, mënyra tradicionale të përgatitjes së ushqimit, krijimin e markave lokale të ushqimit, hapjen e restoranteve ose rritjen e produkteve bujqësore, të gjitha këto në kuadër të ruajtjes së vlerave të burimeve natyrore të Sharrit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button