Lloji Delta është më infektiv, mund të bëhet dominant, por vaksinat mbrojnë nga format e rënda të sëmundjes

Lloji Delta i koronavirusit, i cili për herë të parë u shfaq në Indi, në vjeshtë rrezikon të bëhet lloji dominant, paralajmërojnë autoritetet shëndetësore. Ky lloj është përhapur në të gjithë botën, duke shkaktuar një mori të rasteve të reja në disa vende, ndërkohë që disa vende kanë filluar të vendosin edhe kufizime të reja, shkruan Vërtetmatësi.

Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor amerikan për sëmundjet infektive dhe drejtor i Institutit kombëtar për alergjitë dhe sëmundjet Infektive, javën që shkoi llojin Delta e quajti „kërcënimin më të madh” për eliminimin e Kovid-19 në Shtetet e Bashkuara.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi për këtë.

Pas 11 javësh rënieje të numrit të infektimeve në Evropë, ne kemi përsëri rritjen e tyre si rezultat i llojit Delta të virusit, i cili do të bëhet dominant në fund të gushtit, por ndryshe nga viti i kaluar tani kemi vaksina efektive dhe mundësi për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm, tha Hans Kluge nga OBSH pasi vizitoi Qendrën e vaksinimit kundër Kovid-19 në Lubjanë.

Çfarë dihet deri më tani për llojin Delta?

OBSH në maj llojin Delta e shpalli si një „lloj shqetësues”. Ky emërtim përdoret kur ka prova të fuqishme se një lloj është më infektiv, shkakton sëmundje më të rëndë ose zvogëlon efikasitetin e vaksinave ose barnave. Hulumtimet sugjerojnë që lloji Delta, i njohur zyrtarisht si B.1.617.2, është më infektiv nga të gjitha llojet e njohura deri më tani, përfshirë këtu edhe llojin Alfa, i cili për herë të parë u zbulua në Mbretërinë e Bashkuar. Autoritetet shëndetësore në Britani, ku lloji Delta përbën më shumë se 95 përqind të rasteve të reja të Kovid-19, edhe pse studimet janë ende në vazhdim, thanë se ky lloj mund të jetë 40 deri në 60 përqind më i transmetueshëm se sa lloji Alfa.

Le të themi se keni 10 persona me 20 kontakte të ngushta. Tek njëri lloj, mund të infektohen pesë nga ata kontakte të ngushta. Nëse varianti i dytë është 50% më infektiv, ai numër do të jetë për 50% më i lartë. Pra, në këtë rast, mund të presim që 7.5 nga ato kontakte të infektohen, pasi të keni përllogaritur statusin e vaksinimit dhe nëse kanë pasur një infeksion të mëparshëm, tha Dr. David Dowdy, profesor i epidemiologjisë në Shkollën e shëndetit publik Bloomberg pranë Johns Hopkins

 A shkakton lloji Delta pasqyrë ose simptoma  më të rënda të sëmundjes?

Nevojiten më shumë kërkime, por ka sinjale që lloji Delta mund të shkaktojë sëmundje më të rëndë. Në një studim të botuar më 14 qershor në revistën „The Lancet“ u shqyrtua ndikimi i llojit Delta në Skoci, ku ai është bërë dominant. Studiuesit kanë zbuluar se rreziku nga hospitalizimi nga Kovid-19 ishte dy herë më i lartë tek pacientët e infektuar me Delta, për dallim nga ato të infektuar me llojin Alfa.

Studijuesit britanikë kanë raportuar një ndryshim në simptomat që mund të lidhen me llojin Delta. Të dhënat nga aplikacioni, të cilin e kanë shkarkuar  më shumë se 4 milion njerëz në Mbretërinë e Bashkuar për të raportuar simptoma në bazë ditore, pastaj statusin e vaksinimit dhe informacione të tjera demografike, zbuluan se simptomat më të shpeshta të Kovid-19 tani janë dhimbja e kokës, dhimbja e fytit, rrjedhja nga hundët dhe ethet – ngjashëm si ato që njerëzit i kalojnë gjatë një ftohjeje më të rëndë.

A janë efikase vaksinat ndaj këtij lloji?

Vaksinat e përdorura duket se sigurojnë mbrojtje të mirë kundër llojit Delta, dhe shumica e shkencëtarëve janë dakord se individët që kanë pranuar të dyja dozat e vaksinës ka të ngjarë që të përballen me një rrezik më të ulët.

„Моderna“ publikoi se vaksina e saj është efikase ndaj llojit Delta. Rezultatet bazohen në mostrat e gjakut të marra nga persona që kanë pranuar të dyja dozat e vaksinës, tek të cilat është dëshmuar prania e antitrupave kundër disa prej llojeve në qarkullim, përfshirë këtu edhe llojin Delta.

Edhe pse nuk janë publikuar rezultate të hollësishme për të gjitha vaksinat në dispozicion, rezultate të ngjashme premtuese janë fituar edhe për vaksinat „Pfizer-Biontek“ dhe „Astra-Zeneka“. Një analizë e publikuar më 14 qershor nga „Shëndeti Publik në Angli” tregon se dy doza të vaksinës „Pfizer-Biontekjanë 96 përqind efikase kundër hospitalizimit nga lloji Delta, dhe dy doza të vaksinës „Astra-Zeneka”  92 përqind efikase.

Qendra kombëtare hulumtuese për epidemiologji dhe mikrobiologji „Gamaleya“ dhe Fondi Rus i investimeve direkte (RDIF) kanë publikuar rezultate nga studimi për neutralizimin e aktivitetit të serumeve nga njerëzit e vaksinuar me vaksinën „Sputnik V” kundër varianteve të reja të Sars-Cov 2.

Vaksinimi me Sputnik V prodhoi antitrupa mbrojtës për të neutralizuar llojet e reja, përfshirë këtu llojin Alfa B.1.1.7 (të identifikuar për herë të parë në Britaninë e Madhe), Beta B.1.351 (të identifikuar për herë të parë në Afrikën e Jugut), Gama P.1 (të identifikuar për herë të parë në Brazil).), delta B.1.617.2 dhe B.1.617.3 (të identifikuar për herë të parë në Indi) dhe llojet endemike në Moskë B.1.1.141 dhe B.1.1.317 me mutacione në pjesën e lidhjes së receptorëve (RBD), publikoi Gamaleya” .

Sa i përket mbrojtjes që e ofrojnë vaksinat kineze, Dr. Aleksandar Petliçkovski nga Instituti i imunologjisë thotë  se ato bëhen në mënyrë tradicionale dhe, sipas tij, duhet të mbrojnë nga të gjitha llojet e koronavirusit.

Teorikisht, vaksinat kineze me bazë virusin e inaktivuar duhet të sigurojnë mbrojtje më të gjerë sesa vaksinat moderne të bazuara në ARN ose teknologjinë adenovirus, sepse tek kinezet i gjithë virusi përdoret si antigjen ose substancë imunizuese. Kjo do të thotë që vaksina kineze do të shkaktojë antitrupa të ndryshëm. Eshtë e vërtetë se numrat, përqendrimi i antitrupave, të cilët ne i masim pas vaksinimit me vaksinën kineze është më i ulët se ato të shkaktuara nga vaksinat moderne. Por vaksinat kineze ofrojnë një mbrojtje më të gjerë, më diverse, e cila duhet të jetë në favor të mbrojtjes më efikase kundër llojeve të ndryshme të virusit. Sepse, nëse vaksina moderne stimulon prodhimin e vetëm një lloji të antitrupave, nëse ai antigjen i veçantë ndryshon në një nga llojet, efikasiteti i kësaj vaksine pritet që të jetë më i ulët. Tek vaksinat kineze, me të cilat presim që të krijohen më shumë antitrupa të ndryshme, realisht fitojmë një mbrojtje më të mirë, tha Petliçkovski për Kanal 5.

Çfarë thonë përvojat?

Ministria e shëndetësisë në Izrael kohët e fundit njoftoi se vaksina „Pfizer” ishte më pak efikase në parandalimin e infeksionit dhe simptomave të Kovid-19, por vuri në dukje se vaksina mbetet shumë efikase në parandalimin e formave serioze të sëmundjes. Rënia e efikasitetit të vaksinës „Pfizer” përkon me përhapjen e llojit Delta dhe heqjen e masave restriktive në Izrael.

Efikasiteti i vaksinës në parandalimin e infeksionit dhe simptomave të sëmundjes nga 6 qershori ka rënë në 64 përqind, thanë nga Ministria e shëndetësisë në Izrael. Njëkohësisht, vaksina u tregua 93 përqind efikase në parandalimin e hospitalizimit dhe formave të rënda të Kovid-19.

Ministria nuk specifikoi nivelin e mëparshëm të mbrojtjes nga vaksina, e as nuk dha ndonjë detaj tjetër. Sidoqoftë, zyrtarët e ministrisë në maj publikuan në raport se dy doza të vaksinës „Pfizer” sigurojnë më shumë se 95 përqind mbrojtje kundër infeksionit, hospitalizimit dhe formave të rënda të sëmundjes.

Asnjë person i vaksinuar në Kroaci nuk ka vdekur  nga pasojat e infeksionit me koronavirus, tregojnë të dhënat nga Instituti kroat i shëndetit publik, raportoi „Jutarnji List”.

Analiza është bërë mbi bazë të të dhënave për të gjithë personat e vaksinuar deri më 10 maj, gjithsej 882,120, statusi i të cilëve u kontrollua tre javë më vonë, pra më 1 qershor. Nga të gjithë personat e vaksinuar, 8,423 janë infektuar pas pranimit të dozës së parë, numër ky që është më pak se 1% e të gjithë vaksinuarve. 1,146 njerëz janë infektuar pas rivaksinimit. Nga ata që kanë pranuar dy doza të vaksinës, në spital janë shtruar 149 ose 13 përqind e atyre që janë infektuar pavarësisht vaksinimit, ndërsa sa i përket atyre që kanë pranuar një dozë të vetme dhe që janë infektuar, në spital janë shtruar rreth 9% të tyre. Nuk ka raste të vdekjes, gjë që tregon qartë se vaksinimi është mbrojtja më e sigurt, shkruan „Jutarnji list”.

A do ketë nevojë edhe për një dozë të tretë „booster“ të vaksinës?

Nga kompania „Pfizer“ dhe „Biontek“ bëjnë të ditur ka ardhur koha që të analizohet mundësia për një vaksinë të tretë shtesë, meqënëse veprimi i vaksinës së tyre kundër koronavirusit do jetë më i vogël 6 muaj pas vaksinimit.

Siç dihet tashmë, nga të dhënat për zbatimin praktik, të mbledhura nga Ministria izraelite e shëndetësisë, efekti mbrojtës i vaksinës kundër infeksionit dhe sëmundjeve simptomatike 6 muaj pas dozës së dytë të vaksinës zvogëlohet, thuhet në një deklaratë të përbashkët të dy kompanive.

Bazuar në të dhënat e disponueshme deri më tani,  ka shumë mundësi që të ketë nevojë për„një dozë e tretë brenda 6 deri në 12 muajsh pas vaksinimit të plotë”. Në të njëjtën kohë, dy kompanitë farmaceutike supozojnë se doza e tretë do të sigurojë mbrojtjen më të madhe nga të gjitha llojet e deritanishme të koronavirusit, pra edhe nga lloji Delta, thuhet në deklaratë.

Agjencia e ushqimit dhe barnave në SHBA (FDA) dhe Shërbimi shëndetësor i SHBA në një deklaratë të përbashkët iu përgjigjën dekaratës së „Pfizer“ dhe „Biontek“ në mënyrë të përmbajtur:

Sipas të dhënave të deritanishme, amerikanët të cilët kanë pranuar dy dozat e vaksinës nuk kanë nevojë për vaksinim shtesë, por ne jemi të gatshëm të japim edhe doza të tjera nëse provat shkencore tregojnë se ka nevojë për një gjë të tillë. Autoritetet shëndetësore amerikane po e shqyrtojnë këtë çështje, por nuk mbështeten vetëm tek të dhënat e kompanive farmaceutike, thuhej në deklaratë.

Nga Agjencia evropiane e barnave (ЕМА) dolën me qëndrimin se për mbrojtje nga lloji Delta i koronavirusit nevojiten dy doza të vaksinës. Rregullatori evropian gjithashtu u bëri thirrje vendeve që t’i përshpejtojnë programet për vaksinim, ndërkohë që lloji shumë infektiv Delta po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën.

Sipas të dhënave të para, për mbrojtje adekuate kundër llojit Delta duhen dy doza të vaksinës kundër Kovid-19. Respektimi i orarit të rekomanduar të vaksinimit është qenësor për të arritur nivelin më të lartë të mbrojtjes, thanë nga EMA në një deklaratë.

Disklejmer Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button