RMV, filloi monitorimi i rasteve gjyqësore të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq ka marrë pjesë në ngjarjen për shënimin e aktiviteteve për monitorimin e proceseve gjyqësore në fushën e krimit të organizuar dhe korrupsionit, një projekt rajonal i Misionit të OSBE-së dhe BE-së në Maqedoninë e Veriut, njofton Portalb.mk.

“Sinqerisht besoj se ndjekja e rasteve gjyqësore të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar me të vërtetë mund të jetë një prej mënyrave për arritjen e rezultateve pozitive. Do ta rrisë përgjegjësinë në punën e prokurorëve dhe gjykatësve, njëkohësisht do ta përforcojë luftën kundër korrupsionit, por edhe do ta rrisë besimin e qytetarëve tek institucionet dhe në shtetin e tyre”, theksoi ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq.

Sipas tij, fakti që ne jemi shteti i parë në rajon, i cili nga BE kërkoi që menjëherë të filloi iniciativa për monitorim të lëndëve për korrupsion të lartë, tregon se Qeveria ka qëllim të sinqertë për drejtësi joselektive dhe procese gjyqësore transparente.

Ambasadori i Misionit të OSBE-së në Shkup, Klemens Koja, ka deklaruar se do t’i vëzhgojnë afërsisht 50 raste të krimit dhe korrupsionit të mesëm dhe të lartë.

“Metodologjia është përpunuar në pajtueshmëri me praktikat e mira të OSBE-së për ndjekjen e gjykimit. Në mënyrë specifike është dizajnuar që t’u përgjigjet qëllimeve të projektit, mundëson edhe kornizë krahasuese rajonale, përfshirë edhe zhvillimin e mjeteve të domosdoshme për ndjekje të gjykimit”, tha Koja.

Sipas tij, projekti njëkohësisht do t’u ndihmojë gjykatave, prokurorive dhe institucioneve në zbatimin e ligjit, t’i përforcojnë kapacitetet e tyre nëpërmjet rekomandimeve të detajuara dhe t’u mundësojnë analiza dhe rekomandime nëpërmjet të së cilave do të identifikohen çështjet sistematike në procesuimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Projekti gjithashtu do t’i identifikojë problemet dhe zbrazëtirat dhe do të kontribuojë në zhvillimin e politikave me të cilat ato do të zgjidhen. Institucionet relevante do të kenë dobi nga marrja e mbështetjes nëpërmjet ndërtimit të kapaciteteve dhe përmirësimit në strukturën institucionale dhe krijimin e politikave”, tha Koja.

Euroambasadori Dejvid Gir tha se sistemi efikas dhe korrekt është pjesë thelbësore e sundimit të së drejtës në çdo vend.

“Pa sundim të së drejtës, korrupsioni dhe krimi i organizuar dalin jashtë kontrollit. Shteti mund të robërohet nga interesat personale. Rritet pakënaqësia e opinionit, duke sjellë pasiguri dhe jostabilitet. Nuk dua të them më shumë, atë e keni parë më herët. Dhe ne atë e kemi parë, shumë vende, të cilat janë anëtare të BE-së kanë qenë dëshmitarë të sistemit të dobët gjyqësor. Për këtë sundimi i së drejtës është një prej fondamenteve ndaj së cilës është themeluar BE-ja”, tha Gir.

Vëzhgimi i proceseve gjyqësore do të fillojë në korrik të vitit 2021 dhe do të zgjasë deri në dhjetor të vitit 2023.

Projektin në fjalë, ministri Mariçiq e ka përmendur para më shumë se tre muajve në intervistë për Portalb.mk.

Ai tha se RMV ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të vendoset monitorim i 50 rasteve në vit, raste këto që kanë të bëjnë me korrupsionin e lartë dhe kriminalitetin dhe pritet që monitorimi të fillojë nga muaji shtator. Pjesë e monitorimit, sipas tij do të jetë edhe rasti “Lagjja e Trimave” në Kumanovë.

Monitorimi vjen pasi gjashtë gjykime në rastet e ish PSP-së, të cilat u zgjatën katër vjet, u kthyen këtë muaj nga e para për shkak të shkarkimit të një gjyqtari dhe pensionit të një anëtari të porotës.

Reformat në gjyqësor janë ndër parimet kryesore të autoriteteve qeveritare, duke e pasur parasysh se Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë bisedimet – a të njëjtat do të ndalohen menjëherë nëse gjyqësori vazhdon me praktikën e vjetër – jo-transparencë, jo-profesionalitet, anshmëri, pabarazi apo ndikim të pushtetarëve në vendimet e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button