RMV, përndjekja në internet po shndërrohet në vepër penale, ndryshimet në kodin penal kaluan në Qeveri

Qeveria miratoi ndryshimet në Kodin Penal me të cilat parashikohet vepër e re penale “Përndjekje” dhe e cila bart sanksione të rrepta për shqetësime edhe përmes internetit, tha dje ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq. Nëse këto ndryshime ligjore kalojnë në Kuvend, kjo vepër do të dënohet me gjobë në para, por edhe me burgim deri në tre vjet, transmeton Portalb.mk.

“Tani, ai i cili do të përcjellë, ndjekë në mënyrë të paautorizuar, apo do të përzihet në jetën personale të një personi tjetër apo nëse vendos ose tenton të vendosë kontakt të padëshiruar duke lëvizur në hapësirën ku ndodhet ai person, me keqpërdorimin e të dhënave personale, me përdorimin e mjeteve të informimit dhe mjeteve të tjera të komunikimit, apo do të abuzojë psiqikisht, shqetësoj apo frikësoj do të dënohet me të holla apo dënim me burg deri në tre vjet”, tha Mariçiq në konferencën e djeshme për media.

Ai tha se bëhet fjalë për zbatimin e Konventës së Stambollit dhe në mënyrë ligjore përcaktohet mbrojtja e grave dhe futen vepra të reja penal që nuk kanë ekzistuar deri më tani në vendin tonë, ndërsa me to ligjërisht mbrohen gratë nga ngacmimet dhe sulmet.

Në mënyrë shtesë, këto ndryshime ligjore sulmi ndaj gazetarëve do të trajtohet njësoj si sulm ndaj një zyrtari.

“Në të ardhmen, sulmi ndaj gazetarëve do të trajtohet njëjtë sikur sulm ndaj një personi zyrtar. Vendosim dënime të ashpra edhe për kërcënime dhe sulme ndaj gazetarëve. Në mënyrë shtesë, prokuroria në të ardhmen do të veprojë sipas detyrës zyrtare gjatë rasteve të këtilla. Me këto ndryshime i vendosim fund praktikave të kaluara të mosndëshkueshmërisë për dhunë ndaj gazetarëve, praktikë kur gazetarët ishin të frikësuar, shantazhuar, të mbyllur, të gjykuar joformalisht në frikë të vazhdueshme nga hakmarrja politike dhe institucionale për shkak të kryerjes së punës së tyre në mënyrë profesionale”, deklaroi Mariçiq.

Po ashtu, janë propozuar edhe ndryshime për përgjegjësi qytetare për fyerje dhe shpifje, ku ka ulje të konsiderueshme të shumës që do ta paguajnë gazetarët apo mediat, nëse eventualisht humbasin rast gjyqësor për fyerje apo shpifje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button