fbpx

EPOKA E DOBISHMËRISË

Globalizimi, përparimet teknologjike dhe shtimi i kërkesave të tregut të punës e kanë ndryshuar mënyrën e jetesës së njerëzve, por edhe konceptin tradicional të arsimit.

Përkundër koncepteve arsimore, që imponohen në shekullin e ri, bota moderne ende nuk e ka gjetur modelin e duhur arsimor, i cili i duhet kohës sonë.

Shtetet në tranzicion bëjnë eksperimente dhe miratojnë ligje, por sistemi arsimor, në të gjithë ciklet, nuk i jep rezultatet e dëshiruara. Madje flitet edhe për “revolucionarizim” në arsim. Por, fjala “revolucion” nuk i shkon arsimit dhe kulturës.

Institucionet arsimore prestigjioze janë konservatore dhe sërish gjenden në kulmet e rangimeve për sa i përket cilësisë në arsim, kundrejt institucioneve që eksperimentojnë me “sistemet e reja” sezonale.

Sot kemi gjithnjë e më pak individë me formim të lartë intelektual dhe kjo ndodh për shkak të dominimit të konceptit për masivizimin e arsimit.

Konceptet aktuale kritikohen nga një pjesë e madhe e qytetarëve. Ata tek të arsimuarit e kërkojnë autoritetin moral, i cili, përveç kontributit në profesion, duhet të ndikojë edhe në proceset shoqërore. Pra, të jetë njëfarë udhërrëfyesi.

Sot humben autoritetet morale, të cilëve u janë frikësuar autoritetet politike. Madje, thuhej se Rusia e kishte Carin dhe Tolstoin.

Fernand Braudel, në librin Gramatika e qytetërimeve (përktheu Fatos Kongoli, Tiranë, 2008), shkruan edhe për arsimin në qytetërimin tonë.

Arsimi, sipas tij, është bërë utilitar, kurse sistemi arsimor prodhon intelektualë në seri për të cilët ka nevojë, duke filluar nga mësuesi deri tek inxhinieri, madje deri te profesori universitar.

Kjo kulturë e shumicës, në këtë kohë përbotësimi, është e pranishme kudo dhe ky është “fakt i qytetërimit masiv“.

Në të gjithë vendet shumë të industrializuara të botës, arsimi duke u përgjithësuar, priret drejt specializimit dhe në rrafshin e kulturës së përgjithshme drejt rënies së nivelit […] Në vend të elitës së ngushtë intelektuale dhe masës së madhe të analfabetëve të qytetërimeve tradicionale, qytetërimet moderne përkrah të njëjtës elitë dhe një sasie të vogël analfabetësh, propozojnë një masë njerëzish për të cilët arsimi ka interes vetëm si mjet pune dhe jo si formim i lartë intelektual”, shkruan Braudel. (f. 536-538)

E njëjta gjë ndodh edhe në art. Dikur artistët i shërbenin ideologjisë, sot u shërbejnë producentëve. Dominojnë spektaklet dhe formatet e ndryshme argëtuese. Kemi seriale, filma me dhunë, lot dhe dënesje, sepse pëlqehen nga shumica. Pre e kulturës masive kanë rënë edhe regjisorët. Ata u nënshtrohen kërkesave të producentëve, të cilët gjithçka e shohin si përfitim material.

Artistët e aftë, për të dhënë një mesazh më të thellë dhe njëkohësisht për t’i plotësuar interesat e produksioneve, shpesh e përdorin teknikën e kodit të dyfishtë: njërin kod për masën e gjerë dhe kodin tjetër për recipientin e kultivuar.

Jetojmë në kohën e kulturës së masave. Kohën e kulturës elitare do ta kujtojmë me nostalgji, për sa kohë qytetërimi masiv po e ngulfat kulturën.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button