Laboratori shtetëror për mjedis jetësor do të certifikohet për të matur ndotjen e ajrit

Laboratori shtetëror për mjedis jetësor do të certifikohet për matjen e ndotjes së ajrit nga burimet e stacionuara. Ky institucion ka certifikatë për sistemin e cilësisë sipas standardit ISO 17025 për laborator të akredituar dhe vitin e kaluar dhe e ka përfunduar procesin e akreditimit për gjashtë metoda për cilësinë e ujit dhe një metodë për zhurmën. Ndërsa, muajin e kaluar, procedura për metodën e parë për ajër filloi zyrtarisht me blerjen e një instrumenti të ri për matjen e emetimeve nga burimet e palëvizshme, shkruan Meta transmeton Portalb.mk.

Ministria e Mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor informon se varësisht nga fakti a do të ketë vërejtje, procedura pritet të përfundojë më se shpejti deri në janar, kurse më së voni deri në maj të vitit të ardhshëm.

“Për të përfshirë, gjegjësisht për të certifikuar metodë të re, ajo duhet të paraqitet në Institutin e akreditimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e pastaj kontrollohet dhe i shtohet metodave të akredituara. Nëse Instituti ka ndonjë vërejtje ose mospërputhje, jep afat deri në tre muaj për mënjanim, para se të merret certifikata. Për sa i përket metodave për cilësi të ajrit, laboratori do të raportojë të paktën një”, venë në pah nga ministria.

Instrumenti i ri, për të cilin u shpall prokurim publik muajin e kaluar, do të përdoret për të matur emetimet e ajrit nga burimet e palëvizshme. Veç kësaj, nga ministria informojnë që, si pjesë e Projektit rajonal të IAEA – RER7011, është blerë edhe një instrument tjetër, i cili tashmë është instaluar në Laboratorin qendror dhe do të përdoret për zbulim dhe analizim të karbonit të zi në fraksionet e PM10 dhe PM2.5.

“Ky instrument do të mundësojë analizën e përqendrimeve të metaleve të rënda në fraksionet e grimcave PM10, për të përcaktuar sektorët kryesorë të ndotjes, industria, transporti, familjet … dhe do të na mundësojë të vendosim përparësitë e masave për të zvogëluar ndotjen e ajrit”, informojnë nga Ministria të mjedisit jetësor.

Akreditimi i Laboratorit shtetëror për matjen e emetimeve në ajër ishte një nga kërkesat që më së shumti janë përsëritur nga organizatat mjedisore dhe u përfshi në një nga amendamentet e buxhetit për këtë vit, të cilat u paraqitën në Parlament nga aktivistët ekologjikë nga O2 Iniciativa.

Ambientalistët kanë kërkuar prej vitesh të përshpejtohet procesi i akreditimit të Laboratorit qendror për matje të cilësisë së ajrit për të ndihmuar Inspektoratin shtetëror për mjedis jetësor në dokumentimin e rasteve të ndotjes së ajrit.

Laboratori ekziston për më shumë se katër dekada dhe është pjesë e Ministrisë që nga themelimi në vitin 1995, por matjet e tij për parametrat e ndryshëm të ndotjes deri më tani nuk janë konsideruar prova të qëndrueshme, veçanërisht në procedurat gjyqësore kundër ndotësve në funksion të inspektimit për mjedisin jetësor.

Deri më tani, inspektorëve u është dashur të mbështeten në matjet e bëra nga vetë objektet industriale, ose të dërgojnë mostra në laboratorë të akredituar privatë. Për shkak se këta laboratorë shpesh angazhoheshin nga vetë kompanitë, shoqatat mjedisore dhe publiku profesionist venin në pah konfliktin e mundshëm të interesi dhe animin gjatë përcaktimit të situatës faktike me matjet e ndotjes së ajrit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button