RMV, sulmet ndaj gazetarëve do të trajtohen si sulme ndaj personave zyrtarë, parashihen dënime deri në 3 vjet burg

Ata të cilët në të ardhmen do të sulmojnë gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë apo do të pengojnë kryerjen e detyrës së tyre, do të mund të dënohen deri më 3 vjet burg. Këtë e parashohin ndryshimet e reja ligjore që sot u propozuan nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, shkruan Portalb.mk.

Numri një i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, në konferencën e sotme për media ku prezantoi ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, tha se sulmi i gazetarëve do të trajtohet si sulm ndaj personit zyrtar dhe me këtë sipas tij, do të rritet dukshëm siguria e gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve.

“Në të ardhmen, sulmi ndaj gazetarëve do të trajtohet njëjtë sikur sulm ndaj një personi zyrtar. Vendosim dënime të ashpra edhe për kërcënime dhe sulme ndaj gazetarëve. Në mënyrë shtesë, prokuroria në të ardhmen do të veprojë sipas detyrës zyrtare gjatë rasteve të këtilla. Me këto ndryshime i vendosim fund praktikave të kaluara të mosndëshkueshmërisë për dhunë ndaj gazetarëve, praktikë kur gazetarët ishin të frikësuar, shantazhuar, të mbyllur, të gjykuar joformalisht në frikë të vazhdueshme nga hakmarrja politike dhe institucionale për shkak të kryerjes së punës së tyre në mënyrë profesionale”, deklaroi Mariçiq.

Po ashtu, janë propozuar edhe ndryshime për përgjegjësi qytetare për fyerje dhe shpifje, ku ka ulje të konsiderueshme të shumës që do ta paguajnë gazetarët apo mediat, nëse eventualisht humbasin rast gjyqësor për fyerje apo shpifje.

“Konkretisht, gazetarët në të ardhmen do të paguajnë maksimalisht 400 euro dëmshpërblim për fyerje dhe shpifje, për dallim nga ligji aktual ku kjo shumë ishte 2000 euro. Me ndryshimet e propozuara, për redaktorët dëmshpërblimi nuk guxon të jetë më i madh se 2000 euro, për përkujtim, me ligjin aktual ajo është 10 mijë euro, ndërkaq për personin juridik, nga 15 mijë euro shuma ulet në 5000 euro maksimalisht dëmshpërblim”, deklaroi Mariçiq.

Ministri i Drejtësisë informoi se, si pjesë e këtyre ndryshimeve do të jenë edhe ndëshkimi për shqetësime seksuale. Përkatësisht, me ndryshimet e propozuara, ai i cili do të përcjellë, ndjekë në mënyrë të paautorizuar, apo do të përzihet në jetën personale të një personi tjetër apo nëse vendosë ose tenton të vendosë kontakt të padëshiruar duke lëvizur në hapësirën ku ndodhet ai person, me keqpërdorimin e të dhënave personale, me përdorimin e mjeteve të informimit dhe mjeteve të tjera të komunikimit, apo do të abuzojë psiqikisht, shqetësoj apo frikësoj do të dënohet me të holla apo dënim me burg deri në tre vjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button