ASH i “mirëpret” mërgimtarët përpara deponisë që me ditë të tëra s’e ka pastruar Komuna e Tetovës (VIDEO)

Aleanca për Shqiptarët (ASh) sot doli me reagim për deponitë e krijuara në Tetovë, pasi që me ditë të tëra qytetarët, por edhe mediat alarmuan për mospastrimin e mbeturinave në qytet nga ana e autoriteteve lokale, njofton Portalb.mk

Partia opozitare sot në një pres konferencë “mirëpritën” mërgimtarët në Tetovë përpara një deponie të krijuar në rrugë, e cila me ditë të tëra nuk është pastruar.

“Më vjen shumë keq që me këtë fotografi që është prapa meje duhet t’ju them mirë se keni ardhur në Tetovë, por megjithatë kjo është pamja e përditshme e jonë. Kjo fotografi na i vret sytë për çdo ditë jo vetëm këtu, por në çdo cep të qytetit. Mirë se keni ardhur, por Tetova nuk ka ndryshuar aspak. Janë po të njëjtat pamje, është po e njëjta situatë, por dhe pak më keq sesa e keni lënë ju. Ne bashkërisht me ju duhet ta bëjmë ndryshimin, duhet ta ndryshojmë Tetovën medoemos, nuk duhet ta lëmë që Tetova të përfundojë në këtë mënyrë”, tha Muzafer Etemi nga ASh.

Ata shtojnë se Komuna e Tetovës po i ndërron drejtorët e Ndërmarrjes Publike Komunale – Tetovë, vazhdimisht, por gjendja mbetet e njëjtë, dhe, sipas tyre kjo nuk duhet të tolerohet nga banorët.

“Është kohë pushimesh, është kohë e nxehtë, këtu të gjithë ne e ndjejmë kundërmimin e gjërave që qelben këtu dhe ekziston mundësia që të përhapet epidemi”, shtuan nga ASh.

LEXO: Mbyllni hundët edhe sot, NPK premtoi se nesër do t’i pastrojë mbeturinat në Tetovë (VIDEO)

Ditëve të fundit, gjithandej në qytetin e Tetovës ka pasur mbeturina të grumbulluara, të cilat nuk janë pastruar nga autoritetet komunale. Pos, mbeturinave të amvisërive, qytetarët kanë hedhur edhe gjësende shtëpiake, mobilje e madje edhe materiale ndërtimore.

Nga kabineti i drejtorit të Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK), gjatë ditës së djeshme për Portalb.mk thanë se deponitë e krijuara në Tetovë do të pastrohen gjatë ditës së sotme. Njëri prej lokacioneve që dje raportoi Portalb.mk është pastruar, por sipas banorëve aty vazhdon të vijë erë e keqe, pasi që vendi dhe rruga ku kanë qenë mbeturinat nuk është larë.

Kjo nuk është hera e parë që në qytetin e Tetovës mbeturinat grumbullohen në forma të tilla, Portalb.mk muajin e kaluara raportoi për grumbullimin e mbeturinave në zonën rreth Postës së vjetër, ku të njëjtat më pas u pastruan. Megjithatë, në po të njëjtin vend sërish janë mbledhur mbeturina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button