RMV, partitë në pushtet të bashkuar kundër opozitës edhe në zgjedhjet lokale

Partitë që përbëjnë qeverinë aktuale të Maqedonisë së Veriut do t’i bashkojnë forcat e tyre për të garuar kundër partive opozitare edhe në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor. Sipas paralajmërimeve, ata do të garojnë në koalicion parazgjedhor. LSDM dhe BDI veç më kanë bërë publike koalicionin e tyre. Nëpërmjet një fotografie të postuar në rrjetin social Facebook, liderët e dy partive më të mëdha në Qeveri, javën e kaluar njoftuan për marrëveshjen e tyre që të garojnë së bashku në zgjedhjet lokale.

Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev, deklaroi së fundmi se në zgjedhjet lokale do të garojë së bashku edhe me partitë PDSH dhe BESA.

Të pyetur nga Portalb.mk nëse ka ndonjë marrëveshje për këtë, nga Lëvizja Besa deri në këto momente kanë zgjedhur të heshtin.

Nga ana tjetër, edhe te partitë opozitare janë shfaqur sinjale për bashkëpunim në zgjedhje. Deputeti i VMRO – DPMNE-së, Antonio Milloshoski ditë më parë deklaroi se ka gatishmëri për bashkëpunim me Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën, duke thënë se komunikimi është i rregullt edhe në nivel të Kuvendit edhe jashtë Kuvendit.

“VMRO DPMNE, pavarësisht zhvillimeve në partitë e tjera politike apo koalicionet, që muaj më parë theksoi se te ne ka gatishmëri për bisedime me Aleancën dhe Alternativën për bashkëpunim për koalicion para rrethit të parë dhe gjithashtu për bashkëpunim për koalicion mes dy rretheve zgjedhore. Kemi sinjale se ajo gatishmëri ekziston edhe tek ata dhe shpresojmë se në bazë të programeve dhe kandidatëve të mirë në më shumë komuna do të mund t’i harmonizojmë ato bashkëpunime të ardhshme”, tha ai.

Edhe nga partia Aleanca për Shqiptarët thanë sot për Portalb.mk se janë të hapur për bashkëpunime me partitë e tjera, por nuk kanë konkretizuar se me cilën parti do të mund të bëhej ky bashkëpunim.

“Për sa ju takon koalicioneve, Aleanca për Shqiptarët është në koalicion me Alternativën, por mbetemi të hapur për mbështetje të ndërsjellë nga subjektet që do të pranojnë kandidatët tanë dhe programet për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve në çdo komunë”, thanë nga ky subjekt.

Sa i përket emrave të kandidatëve, LSDM ka publikuar publike një pjesë të kandidatëve. Sipas listës së publikuar, Pero Kostadinov do të jetë për Vallandovë, Milikije Halimi për Haraçinën, Bllagojço Shapov për Bogdancin, Velimir Smilevski për Butelin, Marjan Janev për Vasilevën, Zoran Zimbakov për Bosillovën, Sasho Jankovski për Vevçanin, Ivica Dimitrov për Vinicën, Robert Peshovski për Gradskon, Goran Trajkovski për Dellçevën, Llaze Petrov për Demir Kapinë, Ango Angov për Dojranin, Borçe Gievski për Zelenikovën, për Karbincin do të kandidojë Jordan NacevFilip Temellkovski për Kisella Vodën, Bllagojçe Iliev për Konëen, Tome Hristoski për Krushevën, Ace Vellkovski për Llozovën, Medat Kurtovski për Mavrovë-Rostushën, Lube Kuzmanoski për Novacin, Kostadin Georgievski për Ohrin, Sllavço Pandurski për Pehçevën, Dragan Anastasov për Probishtipin, Zhivko Gosharevski për Resnjën, Zhaklina Jovanovska për Nagoriçanin e Vjetër, Sashko Nikollov për Shtipin dhe Petre Shilegov për Qytetin e Shkupit.

Aleanca për Shqiptarët ka konfirmuar se në tre komunat ku kryetarët janë nga ky subjekt politik, të njëjtit do të kandidohen  përsëri, ndërsa për pjesën tjetër të komunave do të bëhen analiza nëpër degat partiake.

“Me vendim të Kryesisë Qendrore, tre kryetarët aktual të komunave nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, Isen Shabani dhe Albon Xhemaili do të rikandidohen në Gostivar, Vrapçisht dhe Bogovinë”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët.

Nga VMRO – DPMNE, në pyetjen e Portalb.mk nuk kanë bërë të ditur emra, por thanë se shumica do të jenë njerëz të ri.

“VMRO – DPMNE do të bëjë koalicion me të gjithë të cilët me të vërtetë dëshirojnë ta ndryshojnë realitetin e dhimbshëm. BDI dhe LSDM si në krim pajtohen edhe në pushtet. VMRO – DPMNE qaset me seriozitet drejt zgjedhjes së kandidatëve të cilët do t’iu përgjigjen sfidave. Atë që mund ta theksoj është se për dallim nga kandidatët e LSDM-së, bëhet fjalë për përqindje më të madhe të njerëzve të ri me energji dhe dëshirë të jashtëzakonshme që t’i ndihmojnë shtetit, komunës dhe para së gjithash qytetarëve”, theksuan nga kjo parti.

Lufta më e ashpër sa i përket komunave me shumicë shqiptare, do të jetë për Komunën e Tetovës dhe Çairit, ku aktualisht qeverisë BDI. Me Komunën e Tetovës në dy mandatet e fundit ka qeverisur Teuta Arifi, e cila përballet me kritika të ashpra nga aktivistët dhe qytetarët, për shkak se nuk ka arritur që të përmbush premtimet e bëra dhe nuk ka arritur të nxjerrë nga kaosi këtë komunë. Por, edhe përkundër kësaj, BDI synon që sërish ta fitojë këtë komunë. Një situatë e ngjashme është edhe me Komunën e Çairit, ku kryetar është Visar Ganiu. Edhe në këtë komunë nuk është punuar në përputhje me premtimet e bëra. Banorët e kësaj komune vazhdojnë të përballen me probleme të parkingut, kaos në trafik, mungesë të kanalizimit atmosferik dhe ngjashëm. Ganiu në platformën e tij parazgjedhore, premtoi se do të merret me zgjidhjen e këtyre problemve, megjithatë ato kanë mbetur të pazgjidhura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button