Vazhdon të “ushqehet” dezinformata që vaksinat shkaktojnë sterilitet, mjeku Disha: Nuk është e vërtetë, vaksinohuni të gjithë

Përmes një titulli sensacional, autori i dezinformatës të publikuar në “News225media” ka arritur që të mashtrojë mbi 300 persona të cilët kanë “pëlqyer” dezinformatën në Fejsbuk. Në këtë rast, autori keqinterpreton një dokumentar të realizuar nga një televizion gjerman në Serbi në lidhje me procesin e imunizimit dhe i gënjen qytetarët se në këtë dokumentar “zbulohet” se të vaksinuarit nuk mund të lindin fëmijë. Për këtë, biseduam me mjekun Liridon Disha i cili në mënyrë kategorike demanton këtë informatë, thotë se nuk ka asnjë studim serioz që e konfirmon këtë.

Për çfarë flet dokumentari?

dokumentarin e realizuar nga shtëpia kredibile mediatike “ARTE Documentary”, e cila më pas është keqinterpretuar nga ana e konspiracionalistëve, në asnjë moment nuk flitet për mundësinë që vaksinat kundër Kovid-19 shkaktojnë sterilitet.

Autori i dezinformatës për të nxjerrë një lajm sensacional, ka shpikur këtë pjesë të dokumentarit dhe më pas ka keqinformuar masën. Kjo mënyrë e të “informuarit” nuk i ndihmon procesit të imunizimit kolektiv dhe mund të shkaktojë frikë te njerëzit që vendosin të marrin armën e vetme që kemi aktualisht kundër virusit korona, vaksinën.

Sandra Petrusic, gazetare.
Sandra Petrusic, gazetare.

Po, në këtë dokumentar flitet për mundësinë e fshehjes së numrit real të të vdekurve nga virusi korona, nga ana e qeverisë serbe. Hulumtimi i gazetares Sandra Petrusic, e cila intervistohet në këtë dokumentar, tregon se autoritetet shëndetësore në Serbi fshehin rreth 60% të vdekjeve.

“Sipas hulumtimit tim, rreth 60% të vdekjeve të shkaktuara nga virusi korona fshihen nga ana e autoriteteve shëndetësore, sipas kësaj, në Serbi duhet të ketë 2 deri në 3 herë më shumë të vdekur se sa raportohen” thotë gazetarja Sandra Petrusic në këtë dokumentar.

Se vaksinat nuk shkaktojnë sterilitet, e konfirmon edhe mjeku Liridon Disha

Liridon Disha thekson se nuk ka asnjë studim kredibil dhe serioz që mbështet dezinformatën se këto vaksina shkaktojnë sterilitet, ndërkaq shtoi se pretendimi për një gjë të tillë nuk mund të jetë i saktë sepse këto vaksina nuk ka asnjë vit që kanë dalë në përdorim dhe është shumë herët për gjykime të tilla.

Liridon Disha, mjek.
Liridon Disha, mjek.

“Lajmet se këto vaksina shkaktojnë sterilitet te njerëzit nuk janë të vërteta! Pikë së pari sepse për të qenë i vërtetë një lajm i tillë, shkencëtarëve u duhet kohë që ta vërtetojnë. Këto vaksina nuk ka as një vit që kanë dalë në përdorim dhe kjo kohë është shumë e shkurtër për të dhënë gjykime të tilla.

Arsyeja tjetër pse këto janë lajme të rrejshme është edhe fakti se nuk ka asnjë studim serioz që e konfirmon këtë, ndërsa studime të tilla janë bërë shumë” theksoi Liridon Disha, mjek.

Disha për Portalb.mk shtoi se procesi i nxjerrjes në treg të këtyre vaksinave është aq i ndërlikuar, sa thuajse është e pamundur që të shkaktojë ndonjë efekt kaq negativ te njerëzit, ai shtoi se kryesorja është që të gjitha nga këto vaksina prodhojnë antitrupa mbrojtës nga virusi korona.

“Vaksinat ku der Corona Virusit të ri janë vaksina shumë të sigurta sepse ato paraprakisht janë testuar në njerëz dhe si rezultat, shumë pak njerëz kanë pas efekte anësore. Procesi i nxjerrjes në treg të një vaksine është shumë i ndërlikuar sepse një vaksinë e re duhet të kalojë shumë etapa dhe ‘filtra’ për t’u përzgjedhur si efikase dhe e sigurt për aplikim në popullatë.

Vaksinat që përdoren sot kundër Corona Virusit të ri, janë të llojeve të ndryshme dhe ato ngjashëm (ndonjëra më pak e ndonjëra më shumë) krijojnë imunitet ndaj Corona Virusit duke e nxitë organizmin të prodhojë antitrupa” tha Liridon Disha, mjek.

Ai shtoi se dëshmi e gjallë që këto vaksina janë të sigurta dhe nuk janë të rrezikshme, është fakti se vetë personeli mjekësor është vaksinuar dhe kështu apeloi te qytetarët që të vaksinohen në mënyrë masive.

Çfarë thonë studimet?

Komiteti i Vaksinimit dhe Imunizimit në Mbretërinë e Bashkuar këshillon gratë shtatzëna të vaksinohen kundër Covid-19 në të njëjtën kohë me njerëzit e së njëjtës moshë ose grup rreziku. Në SHBA, 90 mijë gra shtatzëna janë vaksinuar kundër Covid-19 me vaksina nga prodhuesit “Pfizer” dhe “Moderna” dhe nuk është identifikuar asnjë problem i sigurisë së vaksinave!

Ajo që dihet sigurt është se gratë shtatzëna që sëmuren me Covid-19 rrezikojnë më shumë të përfundojnë në kujdes intensiv sesa gratë e së njëjtës moshë që nuk janë shtatzëna. Gratë me Covid-19 kanë 2 deri 3 herë më shumë gjasa të lindin foshnjat e tyre më herët sesa gratë pa Covid-19.

Udhëzimet për gratë shtatzëna në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë zyrtarisht se gratë shtatzëna me sëmundje bashkëshoqëruese janë në një rrezik edhe më të lartë të vuajnë nga komplikime serioze nga Covid-19. Faktorët e rrezikut për gratë shtatzëna janë problemet me imunitetin, diabetin, presionin e lartë të gjakut, sëmundjet e zemrës dhe astmën, mbipesha nëse janë më të vjetra se 35 vjeç, nëse janë në një shtatzëni të mëvonshme prej 28 javësh.

Vaksinat kundër Covid-19 u ofrojnë grave shtatzëna mbrojtjen më të mirë kundër një sëmundjeje që mund të jetë serioze në shtatzëninë e mëvonshme. Doza e parë e vaksinës Covid-19 do t’ju japë mbrojtje të mirë. Për mbrojtje më të gjatë, ju duhet një dozë e dytë dhe nuk duhet ta vononi atë, thonë zyrtarisht autoritetet shëndetësore britanike.

Kolegji Mbretëror i Gjinekologëve dhe Obstetërve sugjeron që nëse gratë shtatzëna që kanë marrë dozën e parë të vaksinës Covid-19 kanë kaluar pa pasoja, atëherë ato duhet të marrin edhe dozën e dytë.

Ndryshe, se një lajm është publikuar vetëm për sensacion në këtë rast dallohet edhe nga vetë titulli, i cili përmban fjalë si “shokuese”, andaj, këshillohen lexuesit që të anashkalojnë këto dezinformata dhe të informohen vetëm nga mediet kredibile apo ekspertët e fushës, mjekët, në lidhje me pandeminë me Kovid-19.

Disklejmer Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button