Dy të punësuar në komunën e Karposhit u pushuan nga puna pasi u rrahën me bashkëshortët e tyre në rrugë

Dy të punësuar në Komunën e Karposhit u pushuan nga puna pasi dje me bashkëshortët e tyre u rrahën pranë Komunës. Bëhet fjalë për një punonjëse në Sektorin për mbështetje për Këshillin e Komunës së Karposhit dhe kolegun e saj nga Sektori për burime njerëzore, transmeton Portalb.mk.

Zënka filloi së pari mes punonjëses në Komunë dhe gruas së kolegut të saj. Pastaj bashkëshortët u bashkëngjitën, pas çka filloi rrahja, ndërsa i punësuari në Komunë sulmoi burrin e koleges me mjet të mprehtë.

Nga Komuna e Karposhit për Sdk.mk thonë se ngjarja ka ndodhur afër qendrës tregtare “Leptokaria”, dhe jo në hapësirat e Komunës dhe se rasti është raportuar në polici dhe ishte thirrur ndihma e shpejtë.

“Bëhet fjalë për persona të cilët janë të punësuar me kontratë të përkohëshme. Të punësuarit shkelën të gjitha standardet dhe normat etike për punë profesionale dhe të përgjegjshme. Prandaj, Komuna e Karposhit mori vendim për ndërprerje të kontratës së punës për personat që ishin pjesë e këtij rasti”, thonë nga Komuna e Karposhit.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme konfirmojnë rastin, duke thënë se dje në orën 11:30 ishte raportuar se në rrugën Dragisha Misoviq, pas një debati paraprak, S.А. (34),  me një mjet të mprehtë i shkaktoi lëndime V.K. (37) të dy nga Shkupi.

“I dëmtuari menjëherë u transferua në SP 8 Shtator, ku iu dha ndihma mjekësore. S.A. rreth orës 18, u paraqit vetë në Njësinë për krimit të dhunshëm në Stacionin Policor Kisella Vodëv dhe me të u realizua bisedë. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë procedurë përkatëse”, thonë nga MPB.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button