fbpx

Partitë propozojnë 10 kandidatët e parë për këshill komunal mos të kenë prag të votave, për të pavarurit kushte më të vështira

Propozimi i harmonizuar mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së për lista të hapura në zgjedhjet e ardhshme, në kuadër të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, është cilësuar si diskriminues nga iniciativat e pavarura dhe partitë opozitare. Sipas propozimit për lista të hapura, kandidatët për këshilltarë komune që janë në krye të listës do të zgjedhen automatikisht, në bazë të përllogaritjeve propocionale, ndërsa kandidatët që janë të radhitur më poshtë në listë, duhet të kalojnë pragun e votave prej 3 % për t’u zgjedhur. Në këtë mënyrë, një kandidat që është i radhitur më poshtë, mund të ketë më shumë vota se një kandidat që ndodhet në krye të listës, por nuk do të mund të zgjedhet këshilltar nëse nuk e kalon pragun e caktuar në këtë propozim, njofton Portalb.mk. Gjithashtu, për kandidatët e pavarur do të kërkohet dhejtëfish më shumë nënshkrime për kandidim.

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Syrija Rashidi, i cili është përfaqësues i Aleancës për Shqiptarët në grupet punuese, deklaroi për Portalb.mk se fillimisht kanë kontestuar këtë propozim, por më pas janë pajtuar.

“Bëhet fjalë për një propozim të cilin ne e kemi kontestuar, sepse ne kemi qenë për lista të hapura plotësisht. Mirëpo, kur futesh në bisedime, ato kanë edhe konsensusin edhe marrëveshjen edhe kompromisin. Propozohet një variantë për lista të hapura që, për ne nuk janë plotësisht të hapura, megjithatë është një hap përpara për të arritur ndoshta në zgjedhjet e radhës për të qenë plotësisht të hapura. Bëhet fjalë për lista të hapura kur ka një konsensus prej 3 për qind të votave nga trupi votues që duhet të marrë një kandidat për të dalë në krye të listës. Do ta shohim si do të jetë debati në Kuvend, a do të kalojë ligji me këtë propozim apo jo, a e mbështesin të gjithë deputetët dhe varësisht prej kësaj do të deklarohemi”, tha Rashidi.

Sipas këtij propozimi, të harmonizuar mes LSDM-së dhe VMRO – DPMNE-së, listat e pavarura të kandidatëve për këshilltar do të duhet të mbledhin nënshkrime prej 2 përqind nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në një komunë, që do të thotë se tani kandidatët duhet të mbledhin shumë më shumë nënshkrime se sa që parashihet aktualisht me ligj.

Listat e pavarura “Më mirë për Tetovën” dhe “Qyteti i gjelbër human” nëpërmjet një reagimi të postuar në rrjetin social Facebook, kanë thënë se, LSDM dhe VMRO-DPMNE janë të frikësuara nga këto lista andaj po i pengojnë të marrim pjesë në zgjedhje.

“Me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për të cilat kanë arritur marrëveshje këtë javë, në vend të një numri fiks të nënshkrimeve që duhet të grumbullojnë listat e pavarura për të garuar në votime, kjo shifër përcaktohet në 2% të trupit votues. Në realitet, kjo do të thotë që një listë e pavarur për të kandiduar kryetar komune ose këshilltarë të qytetit të Shkupit, në vend të 1000 nënshkrimeve, siç parasheh ligji aktual, do të duhet të mbledhë gati 10,000 nënshkrime! 10 HERË MË SHUMË NËNSHKRIME SE MË PARË, për të garuar në zgjedhje lokale! Përveç kësaj, nënshkrimet mblidhen ekskluzivisht gjatë orarit të punës, në zyrat e vogla rajonale të KSHZ-së, në një kohë kur shumica e qytetarëve janë në pushime verore. A mund të jetë kjo një rastësi?”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata po ashtu, kanë paralajmëruar se, së bashku me listat e tjera të pavarura, do të përdorin të gjithë mekanizmat që kanë në dispozicion për të parandaluar “këtë shkelje brutale të demokracisë dhe për të treguar se ata kanë diçka për t’u frikësuar”.

Ndërkaq, ndryshimet për Kodin Zgjedhor duhet të miratohen para se Kuvendi të shkojë në pushim, duke pasur parasysh se zgjedhjet lokale do të mbahen në tetor dhe mbetet shumë pak kohë.

Rashidi në deklaratën për Portalb.mk tha se ka një marrëveshje partiake e cila sipas tij, pritet që të vendoset në njërën nga seancat parlamentare të kësaj jave.

Ndërkaq, nga Ministria e Drejtësisë, konfirmuan për Portalb.mk se po bëhen përpjekje që ndryshimet të miratohen para se Kuvendi të shkojë në pushim.

“Grupi punues ende bisedon për këto çështje, për ndryshimin e modelit zgjedhor. Ka pajtueshmëri për të implementohen tërësisht rekomandimet OSBE/ODIHR, do të thotë ato do të implementohen sigurt. Qëllimi i Ministrisë së Drejtësisë është që ndryshimet të miratohen me konsensus sa më të gjerë që është e mundur mes partive politike. Po bëhen përpjekje që ndryshimet në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet lokale të miratohen para se Kuvendi të shkoj në pushim. Rezultati varet nga disponimi dhe vullneti i partive politike”, thanë nga Ministria e Drejtësisë.

Nga Qeveria thanë për Portalb.mk se ende nuk kanë marrë ndonjë propozim sa i përket kësaj çështje dhe as nuk është diskutuar në seancë qeveritare për ndryshimet kushtetuese.

Një vit më parë, Ministria e Drejtësisë formoi grup punues për përgatitjet e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, me qëllim përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por edhe që të hapet diskutim rreth çështjeve politike dhe ndryshimit të modelit zgjedhor. Bëhet fjalë për përmbushje të rekomandimeve të përmbajtura në Raportin Final të ODIHR për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vitin 2020.

Negociatat e grupit punues, pas një ndërprerje disa muajshe, filluan sërish punën pas takimit që zhvilluan kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Ato pas këtij takimi deklaruan se janë dakorduan për ndryshimet në modelin zgjedhore, në mesin e të cilave janë të përfshira edhe listat e hapura.

Dy liderët gjatë këtij takimi, u dakorduan që të inkurajojnë negociatat, përkatësisht grupet parlamentare kanë biseduar për ndryshimet e tjera në Kodin Zgjedhor, ndryshimin e modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore, apo nëse ka propozime të reja. Më tej, lista të hapura në zgjedhjet e ardhshme lokale, zgjedhje të kryetarit të komunë në rrethin e parë me atë që do të jetë e mjaftueshme një përqindje e caktuar nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në atë komunë ku zgjedhet kryetari dhe në fund është votimi nga diaspora në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, jashtë përfaqësive diplomatike dhe implementimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Aktualisht, Maqedonia e Veriut është e ndarë në 6 zona zgjedhore të cilat zgjedhin nga 20 deputet secila. Prej vitesh ekziston debati që vendi të kalojë në një zonë të vetme zgjedhore, gjë e cila do t’i jepte shansin edhe partive të vogla për të konkurruar dhe për të thyer monopolin e partive të mëdha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button