Tearcë, tre muaj para zgjedhjeve filloi ndërtimi i kanalizimit fekal, paratë nga Qeveria

Tre muaj para zgjedhjeve lokale, atëherë kur edhe i mbaron mandati i tretë kryetarit të Komunës së Tearcës, Isen Asani, sot në shoqërim të ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, por edhe drejtorit të Institut të Shëndetit Publik, Shaban Memeti dhe zëvendësministrit të Drejtësisë, Agim Nuhiu u shënua fillimi i aktiviteteve për ndërtimin e kanalizimit fekal në vendbanimin Tearcë, raporton Portalb.mk.

Në prag të zgjedhjeve lokale, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor me të cilën udhëheqë Naser Nuredini i ka siguruar mbi 840.000 euro për ndërtimin e kanalizimit fekal në Tearcë. Bashkëpartiaku i tij, kryetari i Komunës tha se ky investim bëhet me përkrahje të pushtetit qendror dhe politikës programore të BDI-së.

“Sot jemi dëshmitar të bëjmë promovimin e një investimi shumë serioz me përkrahje të pushtetit qendror dhe të politikës programore të BDI-së për të gjithë qytetarët në nivel shtetëror”, tha Asani duke theksuar se si komunë me dokumentacion themelor janë të përgatitur për të vazhduar pa humbur kohë.

Kohë kanë mbetur më pak se tre muaj, atëherë kur do të mbahen zgjedhjet lokale, ndërkaq ministri Nuredini nuk ishte konkret në atë se kur do të fillojë apo mbarojë ky projekt.

“Komuna e Tearcës është në punim të dokumentacionit për vendbanimet tjera dhe kur do të jenë gati ato do të fokusohemi që sa më shpejtë të jenë në qeveri për financim nga buxheti qendror”, tha Nuredini.

This slideshow requires JavaScript.

Kryetari i Komunës foli edhe për disa nga fshatrat e Tearcës që nuk janë të kyçura në sistemin e komunës dhe me mjete vetanake mirëmbahen.

“Vendbanimet që janë jashtë sistemit që menaxhohen, ne kemi insistuar që të kyçen në sistem, por ka pasur mosmarrëveshje, më së shumti janë të interesuar mos të hyjnë në sistem ata që duan anarki, dhe këtë e them me përgjegjësi të madhe. Vendbanimet që janë në sistem nuk kemi problem, vendbanimet janë në kuadër të ndërmarrjes komunale. Ne do të punojmë në këtë drejtim ku asnjë vendbanim të jetë jashtë ndërmarrjes publike në kuadër të komunës për arsye se sot jemi dëshmitar se kemi filluar me ndërtimin e kanalizimit të ujërave të zeza. Nuk mund të shkojnë në mënyrë të veçantë”, tha Isen Asani.

Në këtë aktivitet të sferës së infrastrukturës dhe ekologjisë, të pranishëm ishin funksionarët e BDI-së nga sfera e drejtësisë dhe shëndetësisë, gjegjësisht zëvendësministri i Drejtësisë, Agim Nuhiu dhe drejtori i Institutit të Shëndetit Publik të RMV-së, Shaban Memeti.

Ndryshe, projekti parashikon ndërtimin e një rrjeti kanalizimesh në 26 rrugë me gjatësi totale prej rreth 11,7 km. Të mirat nga ndërtimi i kanalizimit fekal për këtë vendbanim janë: Tejkalimi i problemeve të shkaktuara nga mungesa e një sistemi për bartjen e ujërave të zeza komunale; parandalimi nga ndotja e tokës bujqësore; kushtet themelore të infrastrukturës për jetë cilësore; mbrojtja e ujërave nëntokësorë, puset dhe mjedisit jetësor në përgjithësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button