4 muaj me vonesë dhe ende nuk është gati aplikacioni për identifikimin elektronik që parashikon nxjerrjen e dokumenteve prej celularit

Republika e Maqedonisë së Veriut, bëhet një nga vendet e para në botë, ku e gjithë popullata do të ketë mundësinë e identitetit elektronik. Ky është premtimi i autoriteteve qeveritare më 7 shkurt të vitit 2020, gjatë nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit me “MasterCard-in”, kur asokohe me Ministrinë e Shoqërisë Informatike ka udhëhequr Damjan Mançevski. Jemi nga fundi i muajit korrik të vitit 2021 dhe ky premtim ende nuk është i prekshëm për qytetarët, pasi që ende nuk ka mbaruar aplikacioni për identifikimin digjital të qytetarëve, shkruan Portalb.mk.

Premtimet e autoriteteve ishin që qytetarët, nëpërmjet celularëve, gjegjësisht aplikacionit të kenë mundësi që t’i skanojnë dokumentet personal, letërnjoftimin apo pasaportën. Gjegjësisht aplikacioni nëpërmjet kamerës së celularit do të bëjë identifikimin e personit dhe pastaj i njëjti do të ketë mundësi që të nxjerrë dokumente përkatëse pa pasur nevojë që të shkojë në sportele. Sipas autoriteteve qeveritare, shërbimi i këtillë do të mundësojë zëvendësimin e letrës dhe stilolapsit me dokumente elektronike, nënshkrime elektronike dhe aprovime nëpërmjet telefonave celularë.

Për çështjen në fjalë, Portalb.mk, para dy muajve u interesua për të kuptuar se pse aplikacioni i njëjtë ende nuk është gati, ndërkaq autoritetet thanë se po punohet në lidhjen e platformave në siste.

“Shërbimi është vendosur, a për momentin punohet në realizimin e sistemit. Që të jetë i qasshëm duhet që të kryhet mbindërtim i sistemit nëpërmjet lidhjes së platformave. Pritet që shërbimi të jetë i qasshëm në periudhën e ardhshme, varësisht prej asaj se kur do të mbarojë lidhja e platformave në sistem”, thanë më 15 maj nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Portalb.mk, sërish kontaktoi me autoritetet qeveritare për t’i pyetur për realizimin e projektit në fjalë megjithatë ata na drejtuan për te Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, të cilët thanë se nga mesi i gushtit do të bëhet integrimet e para.

“Për sa i përket sistemit të identifikimit elektronik, harmonizimi i disa teknikaliteteve ka marrë më shumë kohë se ç’duhet. Po bëhen takime të vazhdueshme mes Mastercard me bankat dhe institucionet e tjera. Integrimet e para do të bëhen diku nga mesi i muajit gusht. Takimi i planifikuar për të enjten (22 korrik), nuk u zhvillua, sepse një pjesë e madhe e të punësuarve kanë marrë pushime. Shpresoj të jemi në gjendje të të japim një datë konkrete së shpejti, sepse është çështje që varet nga shume faktorë, jo vetëm nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë”, thonë nga MSHIA, duke shtuar se do bëhet integrimi i njërës prej bankave me sistemin e Mastercard për e-ID dhe kështu do të bëhet për e-ID.

Aplikacioni prej para 4 muajve duhej të ishte gati dhe qytetarët tanimë do të duhej që të përfitonin nga i njëjti. Të paktën kështu ka premtuar qeveria nga një ngjarje ku kryeministri Zoran Zaev, bashkë me ministrat e Financave dhe Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Fatmir Besimi dhe Jeton Shaqiri si dhe përfaqësuesit e Bankës Popullore dhe Drejtorisë së Inteligjencës Financiare, mbajtën takim me përfaqësuesit e “Master Card”, një vit pas nënshkrimit të memorandumit.

“Ky është shërbimi i parë për identifikimin elektronik të qytetarëve dhe do të jetë i qasshëm në fund të muajit prill. Kjo do të thotë se për shërbimet për të cilat deri më tani qytetarët duhet të konfirmonin identitetin e tyre me prani fizike, këtë do të mund ta bëjnë atë nga kompjuteri i tyre, laptopi ose telefoni celular”, thanë më 19 shkurt nga Qeveria.

Përndryshe, digjitalizim i shërbimeve elektronike është më se i nevojshëm, sidomos në këtë kohë të pandemisë kur vetë autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që sa më pak të ketë kontakt mes njerëzve. Radhët e gjata nëpër banka e institucione që japin dokumente të caktuara, janë rrezik potencial për shpërndarjen e virusit KOVID-19. Veç kësaj, përfitimet nga shërbimet elektronike janë shumë të mëdha – qytetarët do të kursejnë kohë, para, pse jo dhe nerva nga pritjet dhe endjet prej sporteleve në sportel, me ditë a ndoshta dhe javë të tëra.

Por shërbimet elektronike duhet të jen funksionalisht të plota dhe efikase, e jo siç janë aktualisht që pavarësisht se aplikojnë qytetarët për dokumente digjital, ata sërish duhet të shkojnë në sportele.

Portalb.mk, në periudhën e kaluar ka bërë disa hulumtime për çështjen e shërbimeve elektronike. Nëpërmjet storjes hulumtuese, treguam rrugën e dy të rinjve për marrjen e certifikatës së kurorëzimit dhe sfidat që u përballën ky çift nga Shkupi, në mungesë të digjitalizimit. Në nëntor të vitit të kaluar, publikuam hulumtimin prej katër pjesëve në lidhje me vështirësitë e qytetarëve që hasin gjatë (mos)nxjerrjes së dokumenteve me një klikim në internet. Portalb.mk nxori në pah se në çështjen e shërbimeve elektronike, Maqedonia e Veriut është 10 vite mbrapa Bashkimit Evropian.

Storjet hulumtuese mund t’i lexoni më poshtë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button