Tunizi, presidenti pezulloi parlamentin, mori mbi vete pushtetin ekzekutiv

Presidenti tunizian Kais Saied njoftoi mbrëmë vonë se ka marrë plotësisht autoritetin ekzekutiv dhe ka pezulluar parlamentin, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë një takimi me udhëheqësit ushtarakë, Saied tha se ai ka vendosur të shkarkojë kryeministrin Hicham Mechichi, sipas faqes zyrtare të Presidencës së Tunizisë në Facebook.

Ai shtoi gjithashtu se ka vendosur të heqë imunitetin e të gjithë anëtarëve të parlamentit, të njohur si Asambleja e Përfaqësuesve të Popullit.

Saied shtoi se këto vendime janë marrë në “konsultim” me kryeministrin Mechichi dhe kryetarin e parlamentit Rached Ghannouchi dhe se do të marrë vendime të tjera derisa paqja shoqërore të kthehet në vend.

Ghannouchi, nga ana e tij, tha se ky hap nga Saied nuk është asgjë tjetër veçse një “grusht shteti i plotë” kundër kushtetutës tuniziane, revolucionit dhe lirive në vend.

Ai gjithashtu i bëri thirrje popullit tunizian të “rivendosë demokracinë” nëpërmjet mjeteve paqësore, pasi, siç tha ai, kjo lëvizje e tërheq vendin në një “sundim nga një njeri”.

Duke folur për AA, Ghannouchi më vonë tha se ndien keqardhje për këtë hap të presidentit dhe vuri në dukje se parlamenti dhe qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike janë ende duke kryer detyrat e tyre.

Sipas tij, veprimi “i gabuar” i presidentit ka potencial për ta tërhequr vendin në një humnerë. Ai u bëri thirrje anëtarëve të parlamentit të qëndrojnë dhe të mbrojnë legjitimitetin e tyre kundër “grushtit të shtetit ndaj kushtetutës”.

Duke argumentuar se mënyra e presidentit e të kuptuarit kushtetutën është plotësisht e gabuar, ai më tej vuri në dukje se do të ftojë strukturat politike në parlament në një takim dhe të vazhdojnë aktivitetet e tyre si zakonisht sot.

Ndërkohë, ushtarët e vendosur në parlament nuk lejuan që Ghannouchi dhe ligjvënësit shoqërues të hynin në ndërtesë.

Nënkryetari i partisë Lëvizja Ennahda, Ali Larayedh, gjithashtu tha për kanalin e lajmeve Al-Jazeera se presidenti tunizian ka kryer një grusht shteti kundër kushtetutës dhe revolucionit të vitit 2011.

Larayedh ka vënë në pikëpyetje fatin e kryeministrit, duke thënë se është informuar se Mechichi është “ndaluar” në pallatin presidencial.

Presidenca tuniziane ende nuk ka komentuar në lidhje me pretendimin nga Larayedh.

Ish-presidenti tunizian Moncef Marzouki gjithashtu dënoi veprimin e presidentit Saied, duke e quajtur atë “grusht shteti i plotë dhe shkelje e kushtetutës dhe ligjit”.

“Çështja nuk është mbrojtja e Ennahda-s, por mbrojtja e demokracisë në vend”, tha Marzouki, duke shtuar se Saied i dha vetes të gjitha kompetencat, gjë që “është në kundërshtim me çdo logjikë”.

Ndryshe, zhvillimet vijnë pasi Tunizia është përballur me protesta kundër qeverisë dhe opozitës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button