Raporti i dytë i BE-së për Sundimin e Ligjit: Drejt parandalimit ose sanksioneve?

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Në kulmin e verës, rreth një javë më parë, Komisioni Evropian e publikoi raportin e tij të dytë mbi sundimin e ligjit në BE. Kjo erdhi vetëm një muaj pasi rrethi u mbyll pas raportit të mëparshëm, me Rezolutën e Parlamentit Evropian të 24 qershorit 2021.

Rezoluta e Parlamentit Evropian mbi raportin e vitit të kaluar kryesisht i pasqyroi angazhimet dhe kritikën e ekspertëve dhe sektorit të shoqërisë civile. Ata së pari kërkojnë që raporti të jetë më gjithëpërfshirës dhe të mbulojë të gjitha vlerat e nenit 2 të Marrëveshjes për Bashkimin Evropian, si dhe të marrin parasysh listën e kontrollit për sundimin e ligjit të Komisionit të Venedikut. Rezoluta angazhohet që Raporti të përmbajë edhe rekomandime për secilin vend. Një nga kritikat kryesore ishte se ishte vështirë që në Raport të dallohen çështjet sistemore të sundimit të ligjit nga çështjet që janë raste sporadike, të izoluara. Më në fund, Parlamenti Evropian kërkon që të gjithë mekanizmat e sundimit të ligjit të BE-së të jenë komplementare dhe më efikase.

Është interesant që kjo Rezolutë përmban edhe rekomandim për të përfshirë raporte mbi vendet kandidate dhe kandidatët potencialë. Sigurisht që nuk do të ishte e vështirë në aspektin metodologjik, sepse Komisioni tashmë ka sistem të monitorimit dhe vlerësimit të rregullt të këtyre vendeve. Kjo gjithsesi do të ishte edhe e dobishme për vendet kandidate edhe kandidatët potencialë që të mund të krahasohen sipas standardeve të njëjta. Megjithatë, pyetja është se sa do të ketë vullnet politik për një veprim të tillë.

Le t’i kthehemi përmbajtjes së raportit të këtij viti. Raporti i dytë e ka mbajtur metodologjinë e raportit të parë dhe i mbulon fushat e sistemit të drejtësisë, kornizën anti-korrupsion, pluralizmin dhe lirinë e medieve, si dhe çështje të tjera institucionale që kanë të bëjnë me mekanizmat e kontrollit dhe baraspeshës. Sikurse vitin e kaluar, përveç raportit të përgjithshëm për të gjithë Bashkimin Evropian, raporte të veçanta u botuan për secilin nga 27 vendet anëtare.

Situata tani mund të monitorohet dhe të krahasohet me raportin e mëparshëm. Ky krahasim mundëson të kuptohen dallimet midis shteteve anëtare – mbi të gjitha në mënyrën se si ato kanë reaguar ndaj kritikave të raportit të parë. Hungaria dhe Polonia, për të cilat tashmë janë ngritur procedura në bazë të nenit 7 paragrafi 1 i Traktatit të BE-së i ashtuquajturi mekanizëm parandalues për sundim të ligjit – mbeten këmbëngulës edhe në injorimin e kritikave edhe të rekomandimeve të Raportit. Polonia nuk zbaton as masat e përkohshme të Gjykatës së drejtësisë të BE-së që kanë të bëjnë me pavarësinë e gjyqtarëve. Kritika e KE kanë të bëjnë edhe me përkeqësimin e pozitës së gazetarëve dhe përgjithësisht konstatohet se sistemi i baraspeshës dhe kontrollit është nën “presion serioz”. As autoritetet hungareze nuk reagojnë as ndaj kritikave të KE, veçanërisht për kërcënimin e mëtejshëm ndaj pavarësisë së gjyqësorit, për pavarësinë dhe pluralizmin e medias, si dhe për presionin mbi organizatat joqeveritare që janë kritike ndaj Qeverisë.

Shqetësojnë kritikat serioze ndaj shtetit që ishte lider i rajonit të Evropës Juglindore dhe kryesues aktual i BE – Sllovenia. Në Raport konstatohet përkeqësim të gjendjes me pavarësinë dhe pluralizmin e medieve, si dhe frikësim të gazetarëve.

Sa i përket Bullgarisë, pavarësisht faktit se e ka miratuar Planin e veprimit lidhur me Raportin e BE-së për sundimin e ligjit, konstatimet e raportit praktikisht tregojnë se reformat në drejtësi “vendnumërojnë”, ndërsa politikat anti-korrupsion nuk rezultojnë në zgjidhjen e lëndëve të profilit të lartë të korrupsionit.

Disa vende, ndërkohë, kanë reaguar ndaj kritikave kryesore të raportit të BE-së të vitit të kaluar. Këtu përfshihen, së pari, Sllovakia dhe Malta, të cilat kanë ndërmarrë masa, veçanërisht për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit.

Efektet e tilla të Raportit të KE për sundimin e ligjit u japin të drejtë kritikëve dhe mbështetësve të këtij mekanizmi. Kritikët marrin shembullin e vendeve që qëndrojnë të shurdhër ndaj kritikave nga KE dhe theksojnë se praktikisht nuk ka sanksione për “të pabindurit”, se ato janë shumë të ngadalta ose BE nuk i përdor as sanksionet që i ka në dispozicion. Ky debat nuk është vetëm teorik, sepse testi i vërtetë do të jetë zbatimi i sundimit të ligjit për përdorimin e fondeve të BE-së. Deklaratat nga Věra Jourová, nënkryetare e Komisionit për vlera dhe transparencë dhe komisioneri për drejtësi Didier Reynders, tregojnë qartë se theksi do të vihet në sanksione, jo vetëm në parandalimin.

Sidoqoftë, çështja e sundimit të ligjit po bëhet një linjë e ndasive të thella në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button