fbpx

Kryeministri i Irakut thotë se vendi i tij nuk ka më nevojë për trupa luftarake amerikane

Kryeministri i Irakut thotë se vendi i tij nuk ka më nevojë për trupa luftarake amerikane për të luftuar Shtetin Islamik, por një afat kohor zyrtar për ridislokimin e tyre do të varet nga rezultati i bisedimeve me zyrtarët amerikanë këtë javë, transmeton VOA.

Mustafa al-Kadhimi tha se Iraku do të kërkojë ende ndihmë për trajnim dhe mbledhje të informacioneve të zbulimit nga Shtetet e Bashkuara. Komentet e tij bëhen përpara një udhëtimi të planifikuar në Uashington, ku ai do të takohet me presidentin Joe Biden të hënën për një raund të katërt të bisedimeve strategjike.

“Nuk ka nevojë për asnjë forcë të huaj luftarake në tokën irakiane,” tha kryeministri al-Kadhimi, duke mos arritur të jap një afat për largimin e trupave amerikane. Forcat e sigurisë dhe ushtria e Irakut janë të afta të mbrojnë vendin pa trupat e koalicionit të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara, tha ai.

Por kryeministri al-Kadhimi tha se çdo tërheqje do të bazohet mbi nevojat e forcave irakiane të cilat kanë treguar gjatë vitit të kaluar se kanë aftësinë për të kryer operacione të pavarura kundër Shtetit Islamik.

“Lufta kundër Shtetit Islamik dhe gatishmëria e forcave tona kërkon një afat kohor të veçantë, dhe kjo varet nga negociatat që do të zhvillojmë në Uashington,” tha ai.

Shtetet e Bashkuara dhe Iraku ranë dakord në prill që tranzicioni i trupave amerikane në një mision të trajnimit dhe këshillimit do të thoshte që roli luftarak i Shteteve të Bashkuara do të përfundonte, por ata nuk vendosën një afat kohor për përfundimin e këtij tranzicioni. Në takimin e së hënës në Shtëpinë e Bardhë, të dy udhëheqësit pritet të përcaktojnë një afat kohor, ndoshta deri në fund të këtij viti.

Prania e trupave amerikane ka qëndruar në nivelin e rreth 2,500 trupave që nga fundi i vitit të kaluar kur ish-presidenti Donald Trump urdhëroi një pakësim të 3000 trupave që ishin atje.

Misioni amerikan i stërvitjes dhe këshillimit të forcave irakiane e ka zanafillën e tij në vendimin e ish-presidentit Barack Obama në 2014 për të dërguar përsëri trupat amerikanei në Irak. Lëvizja u bë në përgjigje të rigjallërimit të grupit Shteti Islamik në një pjesë të madhe të Irakut perëndimor dhe verior dhe një kolapsi të forcave irakiane të sigurisë. Ish presidenti Obama pati tërhequr plotësisht forcat amerikane nga Iraku në vitin 2011, tetë vjet pas ndërhyrjes amerikane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button