Kreu shtetëror i Kosovës ka reaguar lidhur me aksidentin tragjik në Kroaci

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë reaguar lidhur me aksidentin tragjik të autobusit me targa të Kosovës në Kroaci ku humbën jetën të paktën 10 persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Lajm tragjik dhe të rëndë e ka konsideruar aksidentin e sotëm në Kroaci presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo tha se është informuar për vdekjen e 10 udhëtarëve në autobusin me targa kosovare si dhe për të tjerë udhëtarë të lënduar është informuar nga kontakti me Ambasadën e Kosovës në Zagreb dhe me autoritetet kroate.

Osmani i shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave, duke thënë se Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve u dëshiroi shërim të shpejtë.

“Veprimet tona shtetërore do të jenë në funksion të lehtësimit të dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre, ndaj zyrtarë të institucioneve të Kosovës tashmë janë nisur për në Kroaci për t`u dalë në ndihmë qytetarëve tanë të përfshirë në këtë aksident tragjik”, tha Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se me pikëllim të thellë ka mësuar për lajmin e aksidentit të autobusit me targa kosovare në rrugën magjistrale afër Slavonski Brod në Kroaci mëngjesin e sotëm.

Kurti, në një reagim në rrjetet sociale tha se për këtë aksident autoritetet kosovare ende nuk kanë konfirmime zyrtare për detajet, por tha se “lutemi të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit”.

“Ministri ynë i Punëve të Brendshme po niset për Kroaci, ndërkaq drejt vendit të aksidentit te autostrada e Sllavonski Brodit tashmë është nisur ambasadori ynë në Zagreb”, njoftoi kryeministri i cili shtoi se në këto çaste të rënda janë me shpresë dhe ankth pranë qytetarëve dhe familjarëve të të aksidentuarve.

Mediat kroate raportuan sot në mëngjes për aksidentin e rëndë të një autobusi të cilin Policia e Kroacisë e përcaktoi se është “autobus nga Kosova”.

“Situata është shumë e rëndë dhe ka ende një numër të madh të pasagjerëve në rrezik për jetën”, tha policia e qarkut Brod-Posavina, e cila nënvizoi se dhjetëra persona u transportuan në spitalin në Slavonski Brod për ndihmë mjekësore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button