Perceptimi i transparencës 

Në Maqedoninë e Veriut (MV) nuk mund të gjendet një individ që nuk ka hasur në pengesa burokratike, përbuzje etnike dhe mungesë së transparencës prej zyrtarëve. Praktikat e vjetra vazhduan edhe pas pavarësisë së vendit dhe ndërmarrjes së reformave evropiane apo thënë shkurt ëndrrës së MV-së që një ditë të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian (BE) me zakone të vjetra. Së fundmi, ishim dëshmitarë të dështimit të drejtësisë rreth lirimit të ish shefit të Shërbimit Inteligjent të MV-së gjatë qeverisjes së Gruevskit Sasho Mijalkov. Tre dekada prej pavarësisë, MV-ja ende nuk po gjen forca dhe kapacitete institucionale të tregohet së është një shtet që promovon transparencën, drejtësinë dhe barazinë.

Raste e raste janë raportuar nga organizatat ndërkombëtare, nga raportet e DASH-it Amerikan dhe Komisioni Evropian, në përpjekje për të ndikuar në përmirësimin e punës së institucioneve dhe ndërtimin e shtetit ligjor. Të gjitha këto raporte pothuajse kanë qenë pa- ndikim, pasi segmente të caktuara qeveritare kanë vazhduar me të vjetrën, duke mos dhënë llogari dhe natyrisht duke mos qenë transparente. Në disa raste, zyrtarët kanë qenë keqpërdorues duke shfrytëzuar pushtetin për të diskriminuar grupet më të vogla dhe të pafuqishme etnike. Zakonisht rrëfimet individuale janë pjesë e përjetimeve se si funksionimi i institucioneve në MV nuk ka ndryshuar aq shumë nga e sotmja, ku organet e drejtësisë dhe të rendit jo vetëm në MV por edhe më gjerë nuk e gëzojnë besimin e të gjitha qytetarëve apo grupeve etnike. Historitë individuale pavarësisht se kur kanë ndodhur na japin një pasqyrë të së tashmes dhe të së ardhmes që na pret poqese nuk e ndryshohet qasja ndaj të drejtave elementare.

Ishin vitet e 80-ta kur me fillimin e demostratave të punëtorëve në Gdansk të Polonisë, në Jugosllavinë e atëhershme filluan disa reforma nga Ante Markoviqi, por që nuk dhanë sukses. Nga pak ajo “liri” që ekzistonte në ish Jugosllavi, hapësira  shfrytëzohej për dëgjimin e lajmeve që vinin nga Evropa Qendrore dhe lëvizjeve për demokraci. Pamjet nga Gazimestani në vitin 1989 ishin tmerruese për ngjarjet që pasuan pas vitit 1991 me fillimin e luftës në Slloveni dhe gjenocidin me vonë në Bosnjë dhe Kosovë nga ushtria serbe. Ashtu si gjendja u vështirësua nga të gjitha anët e Federatës jugosllave, shumë të rinj u detyruan të largohen prej shërbimit të dhunshëm ushtarak dhe gjendjes së vështirë sociale-financiare. Ikja e fund viteve të 80-ta dhe fillim viteve të 90-ta, ishte një paralajmërim për migrimin masiv të ditëve të sotit që kryesisht buron nga qeverisja e keqe, diskriminimi dhe korrupsioni i lartë.

Ishte viti 1989, bënte vapë gjithandej, temperaturat e larta bashkë me problemet që solli nacionalizmi i ri serb në politikat institucionale të ish republikave e sidomos kundër grupeve etnike në rritjen e pabarazisë ekonomike, e rriti edhe më shumë dëshpërimin dhe idenë për ikje nga vendlindja. Nuk voni shumë një ditë vendosa të aplikoja për pasaportë, të vetmin lloj e me ngjyrë të kuqe që lëshohej në përdorim në atë kohë nga MPB-ja. “RSF- Jugosllavija” ishte dokumenti i udhëtimit aq i dëshiruar, pasi kishte nxjerrë dhe përcjellë drejt Perëndimit shumë të rinj, kushërinj dhe pa dyshim vëllaun tim i cili ishte larguar qysh moti nga mungesa e perspektivës ekonomike. Ishin ditë të vështira atëherë që të bindja zyrtarin se do të ktheja në RSM për shërbimin ushtarak. Nëna Asija dhe Neaziu babai im, bashkë me mua pas dita ditëve dhe keqtrajtimeve nga sporteli në sportel, me vështirësi arritëm të siguronim dokumentin me idenë të udhëtoja drejt Gjermanisë Perëndimore, pasi shumë çështje nuk shkonin mirë.

Në fakt, disa dekada pas konfliktit jugosllav, sjelljet e “reja” në politikë, nxorën mangësitë në qeverisje dhe papërgjegjësinë institucionale. Pengesat ideologjike dhe etnike që ishin rritur aq shumë në atëkohë, tregonin edhe për sistemin e keq të ndërtuar dhe paragjykimet ndëretnike që ishin si pasojë e politikave të republikës socialiste. Nuk voni shumë edhe në MV filluan të flasin për transparencën dhe shtetin ligjor e cila për më tepër se tre dekada vazhdon të jetë një ndër fushat ku politikanët tanë dëshirojnë të duken më perëndimor dhe se po punojnë për Evropën e Re.

Kryeministri Zaev para ca ditëve tha se kemi përparuar në fushën e korrupsionit dhe shtetit ligjor. Pa vepra konkrete, të gjitha deklaratat duhet marrë me rezervë deri në zbatimin e ligjeve për të gjitha grupet etnike, pa paragjykime dhe diskriminim të hapur. Me këtë duhet rritur transparencën dhe llogaridhënien e cila përfundimisht mungon në të gjitha institucionet e vendit. Evropa e Re cila lindi në Gdansk të Polonisë do të duhet të përfundojë në Ballkanin Perëndimorë, me pamje të re dhe aspak ideologjike. Ndërtimi i kapaciteteve demokratike në një shoqëri të hapur, kërkon ndërrime të thella në mënyrën e funksionimit të organeve dhe përgjegjësinë që duhet të kenë zyrtarët e zgjedhur nga politika dhe votuesit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button