Automjetet gjithnjë e më shumë shkaktar të ndryshimeve klimatike, autoritetet do të duhet ta ndërprejnë këtë me masa (Infografik)

Rritja e vazhdueshme e numrit të automjeteve në rrugë, fluksi i madh i automjeteve të vjetra nga jashtë, ulja e numrit të udhëtarëve në transportin publik dhe të përdoruesve të biçikletave, si dhe hekurudha e pazhvilluar bëjnë që Maqedonia të përballet me probleme me emisionet e gazeve serë nga transporti. Në vend që të zvogëlohet emetimi i gazrave të dëmshme që shkaktojnë ndryshime klimatike, gjatë tre dekadave të fundit pjesa e transportit, në vend, në emetimin e dyoksidit të karbonit të dëmshëm, oksideve të azotit dhe substancave të tjera të dëmshme në ajër po rritet, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Meta.mk” tashmë i ka publikuar të dhënat për emetimet e gazeve serë në sektorin – Energjetikë, të cilat tregojnë se transporti në mënyrë dramatike po e rrit pjesëmarrjen në përqindjen e prodhimit të gazrave të dëmshëm të matur në ekuivalentë të dyoksidit të karbonit në periudhën 1990 – 2016. Në periudhën para shpërbërjes së Jugosllavisë, transporti kishte pjesëmarrje prej 8,2 përqind, ndërsa në vitin 2016 përqindja e pjesëmarrjes tij u rrit deri në 28,1 përqind.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, për “Meta.mk”, thonë se rritja e emetimeve të gazeve serë nga transporti duhet të na shqetësojë. Arsyeja për këtë është konsumi përfundimtar në transport, që është rritur nga 2005 në 2019 ka shënuar rritje më shumë se dyfishi, si rezultat i rritjes së numrit të automjeteve në vend.

Me importin e lejuar të automjeteve të përdorura, sipas Ministrisë, autoritetet e atëhershme kishin planifikuar të rinovonin flotën e automjeteve në vend, por në vend që të ulnin moshën mesatare të automjeteve, në fund morëm shifrat e kundërta. Në 2005, mosha e automjeteve ka qenë 15 vjet, dhe në 2019 ajo do të rritet në 19 vjet. Çmimi i ulët i benzinës në vend është gjithashtu një shkak i rritjes së konsumit në transport, me ç’rast përdorimi i dizel karburantit në transport për vetëm 15 vjet është trefishuar.

Qeveria qendrore i referohet gjashtë masave për zbutje dhe efektit të tyre individual në kategorinë e Transportit, të cilat janë dhënë në Studimi mbi zbutjen e ndryshimeve klimatike në Raportin e tretë dyvjeçar të hartuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë (ASHMA). Ata pretendojnë se masat e propozuara nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë do të vazhdojnë të zbatohen, në mënyrë që të zvogëlohen emetimet e gazeve serë nga transporti.

Ndër gjashtë masat, e para është përdorimi më i madh i hekurudhës, e dyta është rinovimi i flotës kombëtare të automjeteve, e ndjekur nga: rinovimi i flotës kombëtare të kamionëve dhe autobusëve, përmirësim të mobilitetit (ndërtimi i infrastrukturës për biçikletave, sisteme për marrje të biçikletave me qira dhe subvencione), ndërtimi i hekurudhës për në Bullgari dhe elektrifikimi i transportit.

Në letër, në një dokument zyrtar, këto gjashtë masa kryesore, të cilat ndahen në dhjetëra aktivitete specifike që duhen ndërmarrë në transport, duken ideale. Megjithatë, në realitet numri i udhëtarëve të transportuar dhe mallrave me tren po zvogëlohet, numri i automjeteve të regjistruara dhe importi i flotës së automjeteve të përdorur po rritet, ndërsa përdorimi i transportit të biçikletave aktualisht është lënë si zgjedhje e ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe subvencioneve për blerje të këtyre mjeteve të transportit të një pjesë e komunave.

Nga Qendra për ndryshime klimatike, për “Meta.mk”, theksojnë se Maqedonia me emetimet e përgjithshme të gazrave serë nuk ndikon dukshëm në rritjen e temperaturës mesatare të ajrit në botë. Por, me ratifikimin e Marrëveshjes së Parisit për ndryshime klimatike, vendi ka marrë obligime që duhet t’i përmbushe. Përveç kësaj, transporti është një nga ndotësit kryesorë të ajrit në qytete, dhe është shkaktar i  një numri problemesh të tjera në zonat më të mëdha urbane.

“Nëse dokumentet strategjike mbeten vetëm në letër dhe ligjet miratohen me synimin për të blerë paqen sociale, trendi i rritjes së emetimeve nga ky sektor do të mbetet, duke pasur parasysh lëvizjen e shtuar të qytetarëve dhe bizneseve nga njëra anë, dhe në anën tjetër status-quo-në lidhur me vjetërsinë e flotës së automjeteve dhe mungesën e masave për të stimuluar rinovimin e saj”, thonë nga Qendra për ndryshime klimatike.

Sipas tyre, është sektori publik ai që duhet të japë shembull për qytetarët. Shumë institucione publike dhe komuna kohët e fundit kanë blerë vetura të reja, por asnjëri prej tyre nuk mburret se automjeti kishte konsum të ulët të karburantit dhe emisione të ulëta të dyoksidit të karbonit, me përjashtim të automjeteve hibride të blera nga Qyteti i Shkupit. Në të njëjtën kohë, nga Qendra për ndryshime klimatike, shtojnë se kërkesat e tilla nuk përfshihen si kritere në prokurimin publik të automjeteve.

Ata e shtojnë edhe idenë se qeveritë publike dhe lokale duhet të punojnë në stimulimin e  punonjësve të përdorin biçikleta, madje edhe shpërblime ose stimuj financiarë për atë pjesë të administratës që vjen në punë me biçikleta ose trotinet. Institucionet gjithashtu duhet të punojnë në ngritjen e vetëdijes tek personeli për përdorimin sa më pak të mundshëm të automjeteve, përfshirë makinat zyrtare.

Përveç faktit që autoritetet duhet të fillojnë nga vetja e tyre si një shembull i suksesshëm për qytetarët e tjerë, nga Qendra për ndryshime klimatike mendojnë se duhet të punohet për të përmirësuar cilësinë e transportit publik në të gjithë vendin, si dhe në ndërtimin e infrastrukturës për automjete elektrike. Ata e mirëpresin qëllimin e Qeverisë së RMV-së për këtë vit për të kufizuar importin e makinave në standardin minimal EURO 5.

Masat e propozuara nga Qendra për ndryshime klimatike shkojnë në drejtim të përfshirjes së lehtësimeve përmes kompensimit për largim nga trafiku të ndonjë automjeti të vjetër me shtesë të caktuar të qytetarit për makinë të re të së njëjtës markë, stimuj financiarë për blerje të automjeteve të reja efikase për qytetarët, përfshirja e zonave në qytete më të mëdha ku, veçanërisht në dimër, automjetet me standardin EURO 4 nuk do të guxonin të lëvizin, si dhe përfshirje të transportit të kombinuar dhe sistemeve inteligjente të transportit në vend.

Për pyetjet që ia dërguam Qeverisë së RMV-së, nga ekzekutivi morëm përgjigje se ata janë të vetëdijshëm për emetimet e rritura të gazrave serrë nga transporti, por edhe për pjesën që ka në ndotjen e ajrit. Megjithatë, thonë se për të ekzistuar stimujt, duhet të sigurohen burime financiare, kurse një nga mënyrat është taksa e shpallur mjedisore. Të ardhurat nga taksa mjedisore për derivatet e naftës do t’u kthehen qytetarëve në formën e projekteve mjedisore, përfshirë programin për subvencionimin e blerjes së automjeteve të reja nga qytetarët.

“Kjo taksë tashmë aplikohet në vendet evropiane, edhe këtu janë bërë hulumtime për më shumë se 3 vjet, gjë që tregon se kemi qasje serioze për mbrojtjen e mjedisit”, thonë për “Meta.mk”, nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë.

Qeveria qendrore shton se po shqyrtohet mundësia që shteti ose komunat të japin lehtësime të caktuara për qytetarët që të përdorin transport që nuk ndot, dhe po konsiderohet mekanizmi për mënyrën e realizimit të kësaj.

Përndryshe, Qeveria e RMV-së me Ligjin për taksën e automjeteve tashmë ka vendosur që plotësisht të lirojë nga taksa automjetet elektrike gjatë importit të tyre, ndërsa plug-in automjetet hibride të paguajnë 50 përqind taksë më të ulët. Ata gjithashtu thonë se do të punojnë për të zbatuar gjashtë masat për të zvogëluar emetimet e gazeve serë të propozuara nga ASHAM.

“Po përgatitet ligj për futjen e detyrueshme të biokarburanteve, i cili do të kontribuojë në uljen e emetimeve të gazeve serë. Versioni draft është përgatitur, një numër i madh i konsultimeve janë bërë me numër të madh të palëve të interesuara”, informojnë nga Qeveria e RMV-së.

Ndërkohë, importi i automjeteve të përdorura nga jashtë gjatë kësaj periudhe jo vetëm që nuk ulet, por në gjysmën e parë të vitit 2021 u shënua më shumë se dyfishi i numrit të automjeteve të vjetra të importuara në Maqedoni krahasuar me vitin e kaluar. Sipas të dhënave të Administratës Doganore, importuesit e automjeteve të vjetra arritën të importojnë 20.505 automjete të përdorura në periudhën janar-qershor 2021, ndërsa si automjete të reja të papërdorura janë importuar gati tre herë më pak – 3.410.

Identike me vendin tonë, në vendet anëtare të BE-së, emetimet e gazeve serë nga transporti janë arsye për shqetësim në trajtimin e ndryshimeve klimatike. Të dhënat e Eurostat tregojnë se në vitin 2017 në BE trafiku rrugor ka qenë përgjegjës për gati 72% të emisioneve totale të gazeve serë nga transporti. Në të njëjtën kohë, emetimi i substancave të dëmshme në atmosferë në nivel të BE-së është rritur për 2.2 % në 2017, krahasuar me vitin paraprak.

Statistikat tregojnë se makinat luajnë një rol të madh në emetimet e gazeve serë në transportin e BE-së. Gjegjësisht, në vitin 2018, këto automjete të pasagjerëve morën pjesë në 60.4 % të sasisë totale të dyoksidit të karbonit të emetuar nga transporti, më pas janë kamionët dhe autobusët me 26,4 %, kamionët e lehtë me 11.9 % dhe motorët me 1, 2% të sasisë totale të dyoksidit të karbonit të lëshuar në atmosferë.

Ndryshe nga vendi ynë, BE planifikon masa të rrepta që do të duhet të zbatohen nga të gjitha vendet anëtare, pavarësisht nga niveli i tyre i zhvillimit, në të ardhmen. Komisioni Evropian tashmë ka miratuar një paketë ligjesh më të cilat, në të gjithë Unionin, nga viti 2035 do të ndalohet shitja e automjeteve të reja që përdorin për karburant benzinë ​​dhe dizel, gjegjësisht automjetet e reja nga 2035, që do të shiten në tregun evropian, do të duhet të kenë emisione zero të gazeve serë.

Përvoja evropiane e deritanishme tregon se kombinimi i masave kufizuese dhe stimuluese që do të zbatohen për të gjithë qytetarët është modeli i duhur që vendi ynë duhet të marrë nga BE-ja.

Për më tepër, ngritja e vetëdijes tek qytetarët e Maqedonisë është lëvizja kryesore për të cilën duhet të punohet. Efektet negative nga rritja e emetimeve të gazrave serë i ndjejmë të gjithë nëpërmjet rritjes së temperaturave të ajrit, periudhave ma thatësira, numrin gjithnjë e më të madh të fatkeqësive të motit me të gjitha viktimat njerëzore dhe dëmet financiare që ato sjellin. Duket se përveç sektorit joqeveritar në vend, autoritetet shtetërore dhe komunale do të duhet të jenë shumë më aktive në ngritjen e vetëdijes për ndryshimet klimës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button