Shkrim i jashtëzakonshëm për një vepër të jashtëzakonshme

Ndër shkrimet më të veçanta mbi veprën“Prometheu i lidhur” të Eskilit – njërit prej korifejve të letërsisë antike, pa dyshim është “Jeta dhe librat”, që vazhdon të jetë i freskët, si në kohën kur e shkroi Faik Konica, autori që përdori me mjeshtri të rrallë gjuhën e stisur e të figurshme, që ndoshta nuk është tejkaluar as pas një shekulli të plotë, pavarësisht të dhënës se Shqipja e sotme është pakrahasimisht me e pasur dhe më e lëvruar se ajo e kohës së Enciklopedisë së gjallë.

Eskili, shkruan Konica, është poeti më i lartë e më i thëllë i letërsisë klasike. S’ka as mjeshtërinë elegante dhe të mbaruar të Euripidit, as lirizmin e lulëzuar të Sofokliut. Eskili ka një madhëri fisnike si të artistëve që punojnë mermerët e Parthenonit. Shumë herë të kujton Shekspirin, jo Shekspirin e Juljetës ose të Rosalindës, po Shekspirin e Hamletit dhe të Leartit…

Më pas eruditi shqiptar, në stilin e introduktave të mikut të tij Nolit, jep me pak fjalë lëndën/subjektin e tragjedisë së mirënjohur të Eskilit: Prometheu, një gjysmëperëndi, pati mëshirë për njerëzit dhe u shpuri zjarrin, të cilin gjer ahere e dijnë dhe e gëzojnë vetëm, perënditë; Zeusi, i pari i perëndive, që ta ndëshkojë për vjedhjen e zjarrit vë ta lidhin Prometheun në një shkëmb të egër e të shkretë të Detit të Zi, ku do mbetet i munduar gjersa të pendohet e të kërkojë ndjesë: po ai, me një kryelartësi të hidhur, nuk do t’i përulet padrejtësisë. Aq. Pak punë për një dramë dhe me gjithë këtë është drama më e gjallë, më e fortë njerëzore, është drama e përjetshme e idealistit që vuan për mendimet e tij…

Në vijim Ai zgjedh për lexuesit edhe disa nga mendimet më të fuqishme të gjeniut të letërsisë antike, flijimin e të cilit e krahason me atë të Jezu Krishtit:

  • Tiranët kanë një ves të keq, që nuk u zënë besë miqve.
  • Është gjë e lehtë kur e ke këmbën jashtë greminës t’i japësh mësime, të këshillosh ata që vuajnë.
  • Kur u shërbeva njerëzve, e vura veten me të dhembura.
  • Fjalët janë mjekët që shërbejnë zemërimin.
  • Del më i fituar njeriu i mençur që bëhet sikur s’ka mend.
  • Më mirë vdes njeriu njëherë se sa të vuajë çdo ditë.
  • Koha duke përparuar do të japë gjithë mësimet…

Edhe mbyllja e esesë është briliante, tamam një kapak floriri: Një librëz dyzetfaqesh. Mund ta ngrejë një foshnjë me majen e një gishti se ky librës është i lehtë si një pendë. Dhe nuk është vetëm një libër. Është një monument. Dhe një monument me aq rëndësi, sa njerëzit viganë të bashkuar s’mund ta luajnë nga vendi…

Pas gjithë kësaj, nëse rastis të kërkojmë përgjigje në pyetjen: përse shkrimet e Faikut janë të gjithkohshme, të dashura dhe të freskëta si në momentin e shkrimit, përgjigjen më të plotë serish do ta gjejmë tek vet Ai, që, diku kah faqja e parë e shkrimit mbi Eskilin, ka shkruar: Një poet i madh që zbulon të vërtetat e kohës së vet, zbulon të vërtetën e të gjithë kohëve të pastajme…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button