Procedura për ndërtimin e pishinës në Komunën e Çairit nuk është publikuar siç u paralajmërua, tenderi do të shpallet në gusht

Procedura për furnizim publik për ndërtimin e pishinës në lagjen Fushë Topanë nuk është publikuar ende, edhe pse në muajin maj u tha se do të publikohet “për dy javë”. Nga Agjencia e Rinisë dhe Sportit thanë për Portalb.mk se procedura nuk është publikuar dhe se thirrja për tender do të publikohet gjatë muajit gusht.

“Procedura nuk është publikuar. Sipas planit vjetor për furnizime publike dhe në pajtueshmëri me programin tonë për investime në infrastrukturën sportive, pishinat i kemi parashikuar dhe ne duhet të shpallim tender. Agjencia e Rinisë dhe Sportit shpallë tender për zgjedhje të kontraktuesit, në atë tender e kemi planifikuar të shpallim deri në fund të muajit gusht, mund të ndodhë që të shpallet edhe më 2, 3 gusht, dua të them që është planifikuar të shpallet gjatë muajit gusht. Kështu që, mes të tjerëve që do të shpallen është edhe pishina në Komunën e Çairit”, thanë nga kjo agjenci.

Prej aty kanë shtuar se, nëse procedurat shkojnë siç është paraparë, atëherë ndërtimi i pishinës duhet të fillojë në fund të shtatorit apo fillim të tetorit.

“Procedura e tenderit, sipas ligjit, shpallja publike zgjatë minimum një muaj, deri sa të verifikohet ajo me dokumente 45 ditë minimum. Unë shpresoj, nëse gjithçka rrjedhë siç planifikojmë dhe nëse kanë sukses tenderët, në fund të muajit shtator apo fillim të tetorit do të fillojmë me ndërtim”, sqaruan nga Agjencia e Rinisë dhe Sportit.

Të pyetur nëse kjo paraqet parregullsi sepse sipas Kodit Zgjedhor në fushatë zgjedhore nuk duhet ndërtuar, duke pasur parasysh se zgjedhjet lokale do të mbahet në muajin tetor, nga ky institucion thanë se kjo nuk paraqet problem pasi ky projekt është paraparë para shpalljes së zgjedhjeve lokale.

“Nuk ka lidhje, sepse e kemi parashikuar në plan, nëse nuk e kemi të parashikuar në plan para se të shpallen zgjedhjet atëherë kemi problem dhe nuk mund ta shpallim. Megjithatë, me që është parashikuar në planin për furnizime publike dhe në programin tonë për punë këtë vit, atëherë nuk kemi problem për shpalljen e tenderëve edhe gjatë kohës së zgjedhjeve. Ligjërisht nuk kemi problem, por ne që të sigurohemi se me të vërtetë nuk kemi problem, zakonisht kërkojmë  mendim prej Komisionit për Antikorrupsion”, theksuan nga kjo agjenci.

Portalb.mk ka dërguar pyetje në lidhje me këtë temë edhe nga Komuna e Çairit, por deri në këto momente nuk ka marrë përgjijge.

Kjo do të thotë se kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu nuk do të arrijë të përmbushë premtimin që u kishte bërë qytetarëve për pishinë. Gjatë fushatës parazgjedhore në vitin 2017, Ganiu në kontratën e tij me të cilën fitoi votat e qytetarëve, premtoi se do të ndërtonte pishinë me fushëlojë sportive të hapur. Për këtë projekt, ai premtoi edhe një buxhet prej 83,945,350 denarë. Megjithatë, edhe përkundër këtyre premtimeve, Ganiut nuk i mjaftuan katër vite që të ndërtonte pishinën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button