Kodra e Diellit në pritje të investuesit të ri, të cilit s’i tregohet as emri

Vazhdon të mbetet e paqartë se kush do të jetë investitori të cilit do t’i jepet me koncesion për 99 vitet e ardhshme ski-qendra Kodra e Diellit, ashtu siç ka paralajmëruar kryeministri Zoran Zaev dy muaj më parë. Ekzekutivi thotë se investitori, po punon në përgatitjen e projektit, por nuk e tregon emrin e tij, shkruan Portalb.mk.

Investitori i cili pritet që ta marrë me koncesion menaxhimin e ski-qendrës “Kodra e Diellit” momentalisht nuk dihet kush është, madje nuk dihet dhe nëse ka nënshkruar ndonjë marrëveshje me palën Maqedonisë së Veriut.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut me informata të shkurtra na informoi se investitori po punon në përgatitjen e projektit, por nuk tregon se kush është, madje as nëse i njëjti e ka fituar koncesionin.

“Në lidhje me investimin strategjik në ski-qendrën Kodra e Diellit ju informojmë se po rrjedh procedura. Për momentin investitori punon në përgatitjen e projektit”, thonë për Portalb.mk nga Qeveria.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili vazhdimisht ka bërë vizita e paralajmërime për investime në Kodrën e Diellit, nuk iu përgjigj thirrjes sonë telefonike. Madje, as porosisë me pyetjen: A është vendosur se cilës ndërmarrje do t’i jepet koncesioni për menaxhim me Kodrën e Diellit.

Zëdhënësja e Bekteshit, na tha që Ministria e Ekonomisë nuk është përgjegjës për këtë çështje, pasi që ata nuk japin koncesione, megjithatë na tha se do të konsultohet me personat përkatës për të na u përgjigjur në pyetjen që nuk u përgjigj ministri. Përgjigjen që e morëm është se “Ministria e Ekonomisë nuk e zbaton procedurën për zgjedhje të koncesionerit për Kodrën e Diellit. Në konsultim me Qeverinë, përgjigja e pyetjes suaj është se për momentin investitori punon në projektin”.

Nga ndërmarrja e cila momentalisht e menaxhon Kodrën e Diellit, ELEM Turs, thanë se ata nuk kanë kurrfarë` kompetenca të ndërhyjnë në lidhje me atë se kush e merr ose jo me koncesion ski-qendrën.

Në fund të muajit maj kryeministri Zoran Zaev ka bërë të ditur se në strategjinë kombëtare 2021-2027, është përfshirë edhe rivitalizimi i qendrës “Kodra e Diellit”. Marrëveshja është në fazën finale dhe parashihet dhënia me koncesion 99-vjeçar për një investitor evropian, emri i të cilit mbetet “i besueshëm”.

“Jemi në fazën finale për të arritur marrëveshje juridike finale në qendrën skijuese Kodra e Diellit në vlerë prej 50+50 milionë euro. Projekti është sipas Ligjit për koncesione me partneritet publik-privat apo investime strategjike, varësisht fazës përfundimtare të marrëveshjes. Thelbi është të jepen koncesione 99-vjeçare, njërit nga investuesit më të mëdhenj të qendrave të skijimit në Evropë për të cilin emri ende mbetet i besueshëm. Rendi është që investitori vetë të publikojë atë kur të vendoset. I gëzohemi këtij investimi, sepse do të japë një dimension të ri të turizmit dimëror”, ka thënë Zaev.

Investime në “Kodrën e Diellit” në vlerë prej 30 milionë eurove, ishin paralajmëruar edhe më 2012, nga kryeministri i atëhershëm, Nikolla Gruevski. Ai kishte paralajmëruar se projekti do të realizohej në disa faza dhe për të do të shpallej edhe ofertë për gjetjen e një investitori ndërkombëtar.

Investime për “Kodrën e Diellit” kishte paralajmëruar edhe ish-presidenti, Gjorgje Ivanov, i cili kishte thënë se një investitor nga Katari ishte i gatshëm të investonte në këtë qendër turistike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button