Sabina Memishi, aktorja nga Tetova: Ata të cilët duan ta ndjekin aktrimin do ju kisha sugjeruar që të lexoni sa më shumë (VIDEO)

Skena ishte ajo që e ndiqte gjithmonë në jetë aktoren e re nga Tetova, Sabina Memishi. Që e vogël ishte pjesë e recitaleve, këndimeve dhe shfaqjeve që organizoheshin nga shkolla. Gjyshi i saj ishte ai i cili e ndiqte me një kamerë dhe Sabina gjithmonë e shijonte vëmendjen që e merrte. Ajo u mësua me atë ndjenjë që të jetë në skenë dhe tani është pjesë e trupës së Teatrit Shqiptar në Shkup. Studimet për aktrim i kreu në Universitetin e Tetovës, shkruan Portalb.

“Secilin rol që e kam punuar, qoftë në fakultet, qoftë në mënyrë profesionale, e kam vendosur veten time, eksperiencat personale apo teknikat shkollore që të ndihmojnë t’i qasesh personazhit më mirë. Prandaj nuk mundem t’i ndaj apo të them se te këto role specifike e gjej veten. Aktori duhet të vendos veten në personazhe të ndryshme.” tha Sabina.

Sa mbaroi vitin e parë në fakultet, Sabina luajti një rol në një shfaqje profesionale “Kuzhina”, me regji të Ilir Bokshit, në Teatrin e Tetovës. Që nga shfaqja e parë, Sabina u dekorua me çmimin “Aktorja më e mirë jo-protagoniste” në Festivalin e Teatrove në Dibër.

“Pastaj mora pjesë në një shfaqje që ishte një rol krejtësisht i ndryshëm nga natyra ime, shfaqja “Ushtria e Ui Thomasit”, me regji të Qëndrim Rijanit.  Një shfaqe shumë sfiduese, ngaqë isha studente e vitit të dytë, por e lumtur shumë që isha pjesë e saj. Nga secila shfaqje kam marrë mësime të ndryshme,secila shkollë në vete.” u shpreh Sabina.

Më 10 korrik u hap Teatri Shqiptar në Shkup, pas shtatë vitesh rinovim. Për këtë pjesë Sabina foli me shumë emocione:

“Këtë vit hapja e Teatrit ka qenë një miks i emocioneve, që vërtet s’di t’i shpjegoj, nga vetë shfaqja me të cilën u bë hapja. Gëzohesh se është vendi që prej kur kam parë shfaqjen time të parë nga ky ansambël, kam thënë dhashtë Zoti që të jem pjesë e kësaj trupe, dhe u bë. Por, pa njeriun që gjithëmonë më ka ndenjur afër edhe aq shumë donte që ne studentët e rinj të ishin pjesë e kësaj shtëpie. E di se Lurani na sheh nga lartë me çdo punë të mirrëfilltë që do sjellë Teatri!” tha Sabina.

Të premten e kaluar u mbajt premiera e shfaqjes “Murlin Murlo”. Një prej protagonistëve kryesorë në shfaqje ishte Sabina.

“Shfaqja ‘Murlin Murlo’ është projekt që e fitova para se të isha pjesë e trupës së Teatrit. Gëzim i madh por edhe përgjegjësi e madhe. Kemi punuar intensivisht, me plot përkushtim. Rol për të cilin duhet të gërmoja shumë, meqë është bipolar.” u shpreh Sabina.

Mesazhi që Sabina përcolli për të gjithë artistët e rinj është:

“Për të gjthë ata të cilët duan ta ndjekin aktrimin do ju kisha sugjeruar që të lexoni sa më shumë dhe të mos dorëzoheni asnjëherë.” përmbylli Sabina.

Në gusht do të shfaqet premiera e filmit me metrazhë të shkurtër “July” në DokuFest, ku Sabina është pjesë e filmit. Ndërsa për plane të tjera të saj, mbetet që ta ndjekim në të ardhmen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button