Skejtparku në Tetovë ka mbetur në mëshirë të fatit, Komuna nuk mban premtimin për rikonstruim

Skejtparku në Tetovë vazhdon të mbetet i lënë pas dore nga ana e Komunës së Tetovës edhe pse në qershor kryetarja Teuta Arifi premtoi se do të rikonstruohet gjatë kësaj vere. Sot pamjet e flasin të kundërtën, kurse nga Komuna nuk u përgjigjën në pyetjet e Portalb.mk.

Hapësira afër Stacionit të Autobusëve në Tetovë që dikur dukej me shumë ngjyra dhe ishte një ndër vendet e rralla ku rinia e këtij qyteti kishin mundësinë të organizojnë ngjarje të ndryshme, sot është lënë në mëshirë të fatit dhe nuk e ka më pamjen që kishte dikur.

Gjatë muajit të kaluar, kryetarja Arifi premtoi se gjatë kësaj vere do të punohet që ky skejtpark të kthehet në formë më të mirë, madje ajo tha se në këtë zone do të vendoset edhe ndriçimi publik. Por në terren ende nuk ka ndonjë veprim konkret nga ana e komunës.

Qershorin e kaluar, aktivistët pastruan skejtparkun.

Në mungesë të përgjegjësisë dhe kujdesit nga autoritetet ndaj skejtparkut, disa aktivistë të rinj bënë pastrimin e kësaj hapësire nga mbeturinat, kositjen e barit, lyerjen e ulëseve të cilat ishin vjetërsuar si dhe rehabilitimin e përgjithshëm të tij nga vandalizmi i qytetarëve dhe nga mosmirëmbajtja institucionale.

Portalb.mk ishte në teren ku ndoqi punën e tyre dhe raportoi për të njejtën.

Arifi premtoi se do të punohet për mirëmbajtjen e skejtparkut.

Teuta Arifi, foto: Komuna e Tetovës.
Teuta Arifi, foto: Komuna e Tetovës.

Tre javë pas aksionit të qytetarëve për pastrimin e skejtparkut, kryetarja e komunës së Tetovës premtoi që gjatë stinës së verësdo të punohet që ky skejtpark të kthehet në formë më të mirë, ajo shtoi se aty do të vendoset edhe ndriçimi publik.

“Meqenëse skejtparku është vazhdim natyror i parkut, edhe për atë kemi ndarë buxhet që ta kthejmë në formë. Gjatë verës aty do të punohet. Te skejtparku do të vendoset ndriçim publik, pas kësaj do të shohim se çfarë mund të shtohet së bashku me ndriçimin” tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Por sot që jemi në mes të verës, pamjet flasin ndryshe.

Portalb.mk ishte te skejtparku në Tetovë, dhe situata ishte shumë ndryshe nga ajo që dukej në fillim dhe pas pastrimit nga aktivistët. Mbeturina, kullosa të gjata dhe degë pemësh janë tre elementet e para që të bien në sy në zonën e skejtparkut, grumbullimi i të cilave në disa pjesë edhe e pamundësojnë hyrjen deri tek skejtparku. Gjithashtu ddriçim publik  nuk është vendosur.

Nga Komuna e Tetovës nuk u përgjigjën në pyetjet e Portalb.mk në lidhje me premtimet e dhëna të Arifit për këtë zone.

Ka dy vite që të rinjtë dhe sektori civil bëjnë thirrje që kjo zone të mirëmbahet.

Përpara gati se dy vitesh, “Social Cultural Space Tetova” ka kërkuar edhe ndriçim në këtë pjesë të qytetit, siguri dhe mbajtje e rendit publik, mirëmbajtje të rregullt të hapësirave të gjelbra e kështu me radhë. Sidoqoftë, secila nga këto kërkesa të tyre ka hasur në vesh të shurdhër.

Nga Social Cultural Space Tetova për Portalb.mk thanë se fillimisht kanë kërkuar mirëmbajtje të rregullt dhe të paktën të ketë ndriçim nga shtyllat e rrugës nëse nuk mundet që të instalohet ndriçim i posaçëm.

“Aty, kohë-pas-kohë, ne kemi bë ndonjë pastrim, si dhe ndonjëherë është kositur bari nga komuna (apo janë mbjell disa bredha), por ne shpresojmë që të fillon mirëmbajtja e rregullt dhe serioze, e pse jo të plotësohet hapësira jo vetëm me ndriçim, por edhe me shtimin e objekteve për rekreacion dhe zhvillim të skejtbord dhe BMX kulturës, si dhe praktikave tjera rekreative urbane”, thanë nga Social Cultural Space.

Arifi e promovoi këtë projekt, por sot kjo zone nuk mirëmbahet

Në momentin kur u ndërtua ky skejtpark, kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ishte në vendngjarje nga ku u fotografua dhe projektin e promovoi në rrjetet e saja sociale.

Përveç kësaj, ajo në takim i kishte ftuar edhe iniciatorët e këtij projekti, të cilëve në mes të tjerash u kishte premtuar se përmes Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) do të mirëmbahet hapësira rinore, gjegjësisht skejtparku, kjo nuk ndodhi.

Ndryshe, kjo hapësirë së bashku me atë në ish Radio Tetova u realizua nga 45 vullnetarë të organizatës joqeveritare Toestand nga Belgjika, diku 20 nga organizata joqeveritare Termokiss nga Kosova si dhe vullnetarë të organizatës joqeveritare Democracy Lab nga Tetova.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button