Struganët: ‘Vota për Ziadin Selën është akt patriotik për çdo shqiptar’

Përpjekejet e palës maqedonase me të gjitha format dhe mënyrat për ta fituar komunën e Strugës ka ngjallur një eufori dhe reagim entuziast të rrallë, te elektorati shqiptar në Strugë, të cilët pa dallim se kujt subjekti partiak i përkasin, shprehen se do të votojnë Ziadin Selën për të fituar mandatin e kryetarit të komunës së Strugës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

“Të votosh për Ziadin Selën është një akt patriotik duke pasur parasysh rrethanat e krijuara, Sela e ka merituar mbështetjen e shqiptarëve jo vetëm të atyre të Strugës por të gjithë Shqiptarisë. Nuk do lejojmë në asnjë mënyrë që ta humbasim këtë rast dhe përfundimisht do ti japim mundësinë doktorit tonë, që në mënyrë të denjë ashtu si edhe në parlamentin e Maqedonisë të na përfaqësojë ne struganëve por edhe gjithë shqiptarët kudo që janë” shprehet M.A nga Struga.

“Në këto çaste nuk ekzistojnë parti politike, por edhe nëse ekzistojnë, ato të gjitha tashmë fuqishëm kanë apeluar tek popullata që të mbështetet kandidati Ziadin Sela në komunën e Strugës. E rëndësishme është që të gjithë të dalim në votime, kjo është shumë serioze, duhet të dëshmojmë se në momente të rëndësishme se dimë të unifikohemi dhe të tregojmë se ne jemi nipërit e Gjergj Kastriotit që të bashkuar shënojmë historinë e ndritur të atdheut”  thekson n?ë banor nga rrethina e Strugës për PORTALB.MK.

“Ne gjithmonë është dashur të luftojmë me pushkë dhe të derdhim gjak për të fituar pushtetin mbi tokat tona, është mëkat që sot në këto ditë të bukura për ne, të mos dalim dhe thjeshtë, përmes votës së lirë të votojmë për Ziadin Selën dhe të dëshmojmë se ne jemi të vendosur që qytetin e lashtë Ilir ta udhëheqë një shqiptar i ndershëm dhe punëtor” thotë një qytetar i Strugës.

“Nuk na frigojnë dot as me polici e as me ushtri, ne jemu qytetarë të lirë, nuk do të shitemi sepse nuk e kemi zakon, do të votojmë për djalin tonë të devotshëm, për mjekun të cilin duam të na udhëheqë. Përshëndes veprimin edhe të ish kandidatit tjetër shqiptar në Strugë, për mbështetjen dhe luftën e përbashkët. Jemi krenar me këto djem, tani nuk na interesojnë partitë” thekson një i moshuar nga qyteti i Strugës

Partitë politike shqiptare në Maqedoni, tashmë zyrtarisht kanë shprehur mbështetjen e tyre për Ziadin Selën në qytetin e Strugës. 

Duke u bazuar në të dhënat statistikore, fitorja e Selës në Strugë është e pa evitueshme, megjithatë për tu realizuar kjo, qytetarët shqiptarë më 7 prill duhet të dalin në votime në mënyrë masive, duke mbivotuar kandidatin e bllokut të partive maqedonase Vllado Koçovkin dhe në këtë mënyrë të sigurojnë fitoren kandidatit shqiptar Ziadin Sela. /Faton Arifi/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button