Duke shfletuar veprat e Zija Çelës

Në një koment t’imin të shkrimtarit Kim Mehmeti, kur e citova Zija Çelën,  një student më ktheu përgjigjen: “Kush është Zija Çela?”

Kjo më çoi të mendohem për rininë tonë, sa lexon? Çka lexon? A ndan pak kohë për argëtimin e mendjes dhe pushimin e trupit?!

Zija Çela
Zija Çela

Prandaj, vendosa me pak fjalë të jap një pasqyrë të shkurtë për këtë mjeshtër të artit të fjalës dhe gjuetarit të mirëfilltë të veseve dhe virtyteve tona.

Zija Çela, Shkodran (i lindur në qytetin e Mjedës, Migjenit, Koliqit, Fishtës e një varg shkrimtarësh që historia e letërsisë sonë i ka në maje të kultit), gazetar, mësues, tregimtar, novelist romansier një emër i një shkrimtari mendjedritur  aq produktiv e aq pak i njohur këtu në Maqedoninë e Veriut, në vazhdimësi na del me vepra të papërsëritshme, tregime e romane që njëherë lexohen, pastaj ndjehen thellë në shpirt, e nuk të lënë të qetë, por të çojnë të mendosh, se sikur  ky  shkrimtar  ka qenë këtu në mesin tonë, dhe duke  lexuar…po,  unë e shoh jo vetëm qytetin tim , por edhe njerëzit, fjalët e punët dhe e dëgjoj si thotë “…e ndiej se shkallëve të hierarkisë gjëmon korri servil, dhe si njerëzorja nuk ka më vlerë, kur baltë bëhet dinjiteti dhe nderi qenërisht hidhet në erë…”

Citati i mësipërm është një prej tregimeve të këtij shkrimtari shumë të njohur të nënqiellit tonë shqiptar, Zija Çelës, në veprën e tij të fundit, “Thika pa Gjak”. Vepra ndahet në tri pjesë: “Perpetum”,” “Mobile” dhe “Horoskop” dhe secila nga ato ngërthen tregime në vete.

Pjesa e tretë, “Horoskopi”, ngërthen në vete 12 tregime. Këta shfaqin pamjet panoramike, provizore, që shkrimtari na i shpalos me një art mjeshtror, duke i parë gjithë ato trazime shpirtërore para sysh, që shtiremi që s’i shohim, ose e mbyllim njërin sy e vesh.

Këtu, njeriu i dashuruar klith duke mos mund ta ndalë vllugun e ndjenjës ndaj të dashurës që nuk e ka pranë dhe del “Stuhi stuhi…Ja Vdekje, ja Dashuri”.

Ajo dritë prafulluese e dashurisë…”shëëët, mos u shqetëso”… dhe ajo aq njerëzorja, që ne dimë se në vijë të normales është mirë por shpesh e tejkalon traektoren e vet – Xhelozia në “Hakmarrja”. Konvencionaliteti na bën të bëhemi sy e vesh “Bashkë kurrë e kurrë”, të vuajmë e të ngjizemi me murin duke mos pasur guxim në jetë, atë e merr në vdekje…eh… “Chat me sy”… shpesh pyetemi përse Zoti i plotëfuqishëm na i dhuroi shqisat…e me to edhe djallin Mefiston, që do apo  s’do e bën njeriun më të mirë të gabojë…ndonëse “Një grua”…jo vetëm Petrarka e Dante që e kaloi Ferrin dhe këtu nuk ndalet ai…vazhdon, Purgatorin e Parajsën…për një grua Beatriçen…e sa e sa autorë që jetuan, vepruan dhe deri në fundjetë e kishin një grua, pasqyrë të shpirtit të vet …dhe këtu nuk e mbaron rëfimin, jo ai në veprat e tjera me tregime, si “Princi i Buzëqeshjes”, e “Jari Kaçinari” dhe buzëqeshja si një porosi e mirësisë universale për njerëzimin. “Pikë Drite në Eklips, “Buza e  Kuqe” dhe “Gjaku i Errët”.

Veprat e Zija Çelës
Veprat e Zija Çelës

Duke i shfletuar këto tregime paraqitet një shkrimtar që bënte luftë me të keqen që e kaplon njeriun në përditshmërinë tonë, dashuria e tij për mirësi, por edhe një fshikullim të forte kamxhiku në ndërgjegjen e fajtorit. Ai kritikon, rreh , gjuan, por nuk e vret mëkatarin. Këtë e shohim në romanet e tij që i kam përpirë benda natës. Lexo e mendo: “Vallë kështu qenka bota që më rrethon e unë asgjë nuk shoh dhe nuk di?!”

Syri i mprehtë i shkrimtarit, parakalon nëpër hierarkinë e kategorive sociale, poltike e morale të shoqërisë shqiptare anë e mbanë kufirit, nëpër institucionet e ndryshme shtetërore duke ironizuar e satirizuar thekshëm gabimet e qëllimshme dhe të interesit personal të shumë e shumë personazheve burra e gra, duke i personalizuar e goditur drejt në fëtyrën e nënvetëdijes së tyre.

Kështu duke e shfletuar romanin “Djalli Komik” lexoj: “…Se di. Po bota u bë kaq e keqe, sa zoçkat hanë aty ku nuk guxojnë shqipet. Që çdo horr u bë këtu fisnik, shumë fisnikë janë bërë horra. Ofiqe e zyra ndahen për fisnikë, të cilëve deri dje s’u dihej fara…”

Romani ”Djalli Komik” nis me paraqitjen e qytetit Horketë, personazhët kryesorë Aranit Lumbardi “mbreti” i qytetit, e shoqja Ledi Sara, Çeshku, At Kurjeli, Danieli(Jajuba),  Doktor Karapici, Edori…e një varg të tjerë që e bëjnë këtë vepër të lexohet pa frymë.

“Përmes karakteresh të individualizuara, të besueshme e të prekshme njëherësh…Zija Çela vjen me këtë roman ku përfshihet realiteti moral, psikik, shpirtëror, dramatik e grotesk i Shqipërisë, por edhe ai i Evropës e më gjërë…një roman që e bën letërsinë shqipe të duket më e pasur, po aq sa mund ta bëjë kritikën shqiptare të duket më e varfër se kurrë”, Rudolf Marku

Zija Çela në romanin tjetër të tij “Arkipelagu Spiritus”, siç thotë edhe vet se është më voluminozi e më kompleksi , sepse kemi të bëjmë sipas meje, me një qytet që mund të jetë Gjakova, Tirana , Durësi, Shkupi, Tetova  e Prishtina, sa real po aq imagjinar. Këtu udhëtojmë në një “anije” nëpër historinë e së kaluarës, duke qenë në të tashmen, rrotullohemi përqark vetes sonë duke u munduar ta shpëtojmë shpirtin e qytetit të  Lavidanit, por a mundemi vallë ta shpëtojmë?

“….në një vend ku disa mbjellin e disa vrapojnë për ta ngrënë farën, ka rrezik mos të mbijë asgjë. Por edhe nëse mbin, në krahasim me kallirin plot, boshi e çon kokën më përpjetë”.

Në romanin tjetër të Zija Çelës “Apokalipsi sipas Shën Tiranës” (Kthimi I Barbarëve),

Autori në fillim të veprës thotë: “Nëse ky titull ju tremb, po ju ftoj të gjeni vet një tjetër por pas leximit të librit”. Ndërsa, kritiku Mehmet Kraja nënvizon “I mbindërtuar në një realitet që autori e njeh fort mirë, në këtë “Apokalips” i bëhet gjëma Tiranës njerëzore, Tiranës intelektuale, Tiranës politike, Tiranës mikroborgjeze, Tiranës provinciale dhe hipokrite…të vërtetat e një shoqërie, vinë si të vërteta universale”.

Autorin e shohim vazhdimisht teksa ngjitet mundimshëm, e shohim t’u afrohet honeve të frikshme, e shohim të zbresë tek të vdekurit, për t’i sjellë te të gjallët, ose ato që mendojnë se janë të gjallë. Mjafton ta përkujtojmë  romanin “Las Varrezas”.

Në veprat letrare të Zija Çelës imazhi i krijimit të një letërsie transparente ku e lidh jeta, realiteti që e rrethon autorin që mbart në vete dy prirjet e egzistencës, të mirën dhe të keqen. Përballja e shkrimtarit me këto prirje, edhe në situatë kur duke e pamundur, ai e bën të mundur edhepse ndonjëherë është aq reale dhe fatkeqe.

Zija Çela ky gjeni i letrave shqipe, në romanin fantastik “Goja e Botës” shfaq qytetin  Fifarë së ndarë, Shqipëri-Kosovë-Maqedoni (trojet tona), ndërsa në romanin e fundit “Lavjerësi i Qytetit”, një roman që parashikon një të ardhme shumë të zymtë (të ndershmit përzihen me të të pandershmit, dhe vlerat morale këmbehen me pasione të ulëta duke i humbur krejt virtytet …), e “Ora e Zooparkut (aty ku në vend të kafshëve të egra brenda në kafaz janë njerëzit sipas funksioneve të tyre veshur me lëkurë të kafshëve një ambent aq qesharak e aq i trishtë)…dhe unë si  një lexuese bëj një pyetje: “vallë, ku shkoi Etika? Morali? Autori edhe sa do të na mbajë në grep si peshkun në ujë,ne lexuesit, që here mbushemi me frymë e here mbetemi pa te?!.”

Zija Çela, krijues i një letërsie transparente ku e lidh  për vete lexuesin, e kontakton dhe e dëgjon, prandaj ky shkrimtar që ngjitet deri në majet e modernes me fjalën, këshillën, qortimin e së pari të atyre që i sheh me gojë plot them, se kush e lexon njëherë një vepër të këtij autori madhështor…do ta ndjejë veten të nderuar, të privilegjuar e të  lumtur, sepse një herë lexohet përherë kujtohet.

Nonda Bulka ka një vepër që titullohet “Si thumba pa helm”, ndërsa vepra letrare e Zija Çelës, mund të titullohet “Si thumba me helm” që mund t’i gjehet kundërhelmi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button