Bisedimet me Bullgarinë do të rifillojnë pas formimit të Qeverisë së re në Sofje

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani deklaroi sot se, po presin formimin e Qeverisë së re në Bullgari që të vazhdojnë bisedimet për zgjidhjen e kontesteve mes dy shteteve. Ai tha se ka komunikim mes partive, por është e rëndësishme që të vendoset komunikim me përfaqësuesit legjitim të Bullgarisë, shkruan Portalb.mk.

“Është shumë e rëndësishme që të vendoset komunikim me përfaqësuesit legjitim me shtetin bullgar dhe prej këtu ne presim që aty të formohet Qeveria dhe institucionet dhe më pas të vendosim komunikim, përkatësisht të vazhdojmë me bisedimet aty ku kemi mbetur. Kuptohet se komunikime mes partive politike ka, megjithatë bisedime formale do të fillojnë në momentin që do të formohet Qeveri e re edhe pse, ne kishim bisedime edhe me Qeverinë teknike. Do të jetë shumë e rëndësishme se a do ketë formim të Qeverisë së re, apo do të sillet vendim për shpërbërje të Kuvendim dhe shkuarjes në zgjedhje të reja, sepse ajo do të imponojë një dinamikë të re dhe një kontekst të ri”, deklaroi Osmani.

Ministri i Jashtëm po ashtu shtoi se, nga kjo varet edhe çështja e hapjes së negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Sipas tij, ekzistojnë shpresa që kjo të ndodhë këtë vit, por kjo më nuk varet nga Maqedonia e Veriut.

“Unë vlerësoj se ka dritare të mundësive serioze deri në fund të këtij viti dhe të gjithë janë të angazhuar, partnerët tanë, ne, shpresoj se së shpejti edhe në Republikën e Bullgarisë do të ketë angazhim të tillë. Dritaret janë para dhe pas zgjedhjeve tona, kjo është në shtator, tetor dhe në dhjetor. Këto janë ato dritare tek të cilat ne targetojmë momentalisht dhe mendoj se ekziston shans që të gjendet zgjidhje, megjithatë dua që edhe njëherë të mos lidhemi me data, sepse shoqëria disi jeton me ato afate, shpresa dhe frustracione të datave dhe afateve. Është e dukshme se kjo çështje më nuk varet prej nesh, ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret për fillimin e negociatave, i kemi përcaktuar linjat e qartë nëpër të cilat nuk guxojmë të kalojmë, kështu që nuk varet prej nesh nëse do të miratohet vendim për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe as kur do të mbahet ajo”, theksoi ai.

Përndryshe më 22 qershor Bullgaria konfirmoi qëndrimin e saj për perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut në takimin e rregullt të Këshillit për punë të përgjithshme në Luksemburg, duke mbetur e hapur për dialog konstruktiv me presidencën e ardhshme sllovene me Këshillin e BE-së në gjetjen e zgjidhjes së ndërsjellë të pranueshme. Vetoja bullgare megjithatë bllokoi të dy vendet Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në procesin eurointegrues.

Kontesti mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për çështje të historisë dhe të gjuhës maqedonase, ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi paraprakisht dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button