Osmani: Të ndërtojmë konsensus për pozicionet shtetërore në politikën e jashtme

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka thënë sot se duhet të investohen përpjekje të përbashkëte në ndërtimin e konsensusit dhe qëndrimeve të përbashkëta të politikës së jashtme. Ai në deklaratën e dhënë pas konferencës “Reflektime 2030 – Strategji dhjetëvjeçare e politikës së jashtme”, tha se pavarësisht sfidave aktuale në plan afatgjatë, pretendojnë të forcojnë rolin e Kuvendit në krijimin e politikës së jashtme me fokus të veçantë, ndërtimin e pozicioneve shtetërore dhe strategjike, shkruan Portalb.mk.

Sipas tij, anëtarësimi në NATO në mënyrë thelbësore i zëvendësoi prioritetet e politikës së jashtme dhe veçanërisht nga aspekti i politikës së sigurisë. Para nesh qëndron drejt edhe prioriteti i dytë strategjik, anëtarësimi në BE. Por, theksoi ai,  edhe këtu rruga është e pazëvendësueshme, gjendemi thellë në tunelin evropian dhe nuk ka kthim prapa. Ky është një qëndrim i përbashkët dhe për këtë nuk kemi as dallime shoqërore as politike e as institucionale.

“Duke e pasur parasysh mjedisin dinamik jo vetëm rajonal, por edhe në përgjithësi dinamikën agresive të përgjithshme ndërkombëtare, konsideroj se duhet të investojmë më shumë përpjekje në mprehjen e pozicioneve të përbashkëta, të qëndrimeve të përbashkëta veçanërisht në politikën e jashtme. Interesat shtetërore i kemi të përbashkëta, sigurisht se ekzistojnë edhe dallime sa i përket implementimit por pikërisht në aspektin e tejkalimit të këtyre dallimeve, roli i parlamentit është i pazëvendësueshëm. Politika e jashtme, suksesi i çdo vendi në planin ndërkombëtar varet drejtpërdrejt nga puna e përfunduar me sukses në shtëpi. Sa më i madh të jetë konsensusi për sa më shumë çështje politike, aq më të mëdha janë sukseset për vendin në planin ndërkombëtar. Nga këtu, përfshirja e Kuvendit në përgatitjen e strategjisë 10 vjeçare është hapi i parë, për të mos thënë i domosdoshëm në këtë proces”, tha Osmani.

Duke folur për rezolutën e VMRO – DPMNE-së që ka të bëjë me pozicionet shtetërore në negociatat me Bullgarinë, Osmani tha se cilado qoftë rezolutë që duhet t’i reflektojë interesat e shtetit, interesat nacionale duhet të miratohet me konsensus. Ai theksoi se, BDI do ta mbështesë rezolutën për linja të kuqe në negociatat me Bullgarinë, nëse përdoret emri kushtetues i shtetit. Sipas tij, rezoluta në të cilën nuk ka emër kushtetues, nuk ka formë juridike.

“Nuk them se kjo rezolutë mund të bëjë dëm, por mundet nëse jemi të pakujdesshëm. Dhe për këtë si ministër i Punëve të Jashtme kërkoj kujdes. Pozicionet që janë në tekstin e rezolutës, janë pozicione të cilat MPJ-ja dhe Qeveria i ka si qëndrime të tyre në strategjinë e saj. Por, është shumë e rëndësishme që në Kuvend të ketë konsensus etnik, politik dhe të mos hapen tema shtesë të cilat mund ta dëmtojnë procesin. Çështja për emrin kushtetues e cila u bë pjesë e kësaj rezolute është hapje e problemeve të tjera dhe jo mbyllje apo ndihmë për mbylljen e këtyre problemeve. Për këtë edhe njëherë do ta them qëndrimin tim; po për rezolutë në të cilën do të reflektohen pozicionet që i ka shteti por në bazë të konsensusit dhe në bazë të ndihmës së këtij procesi dhe jo hapje të problemeve të reja”, tha ai.

VMRO – DPMNE ka dorëzuar në Kuvend rezolutë në të cilat janë definuar dhe mbrojtur pozicionet maqedonase në kontestin me Bullgarinë. Lideri partiak, Hristijan Mickoski duke sqaruar këtë rezolutë, ka thënë ajo nuk është vepër autoriale e VMRO – DPMNE – në, por është definuar nga ASHAM dhe USHKM. Ai i bëri thirrje pushteti ta pranojë, ndërsa nëse nuk e bën atë, vetëm do të tregojë, siç theksoi, se negocion për identitetin.
Ndërkaq, partitë shqiptare që janë në opozitë, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa janë shprehur kundër rezolutës. Ato thonë, se nuk mbështesin asnjë dokument që cënon rrugën drejt BE-së dhe prishjen e raporteve të mira ndër-fqinjësore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button