fbpx

RMV, të rinjtë të cilët e shfrytëzuan krizën e koronës për histori të suksesshme biznesi

Gjatë krizës me koronën, disa të rinj e panë mundësinë për të filluar bizneset e tyre ose bizneset të cilët i kishin filluar t’ia përshtatin kushteve të reja normale, të cilat u imponuan nga masat kufizuese për mbrojtjen kundër virusit, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Historitë, të cilat për “Meta.mk” i treguan sipërmarrësit nga Manastiri Teona Mango, Goran Bakrevski dhe Darko Milevski, janë shembull se ka edhe të rinj të cilët u përballën me krizën në mënyrë krijuese dhe pozitive.

Teona Mango – themeluesja e markës Beyond Green

Teona Mango është themeluese e markës Beyond Green, e cila është një markë eko-miqësore dhe e qëndrueshme që u themelua në vitin 2020. Produktet janë bërë prej materialeve ekologjike miqësore me mjedisin dhe të qëndrueshme, kurse ideja është që të promovohet mënyrë ekologjike dhe gjelbër e të jetuarit, duke e zvogëluar krijimin e mbeturinave dhe përdorimin e produkteve që e ndotin mjedisin jetësor.

“Kam jetuar në Londër deri në vitin 2020, por kur filloi korona u ktheva këtu dhe pa planifikuar qëndrova tashmë një vit. Në karantinë, si të gjithë, kisha shumë kohë. Kur u ktheva të jetoj këtu, vura re se sa e ulët është vetëdija ekologjike dhe sa nuk kemi produkte eko-të qëndrueshme, kështu që lindi ideja të filloj një markë të qëndrueshme eko-miqësore. Ndërsa koha e tepërt që e kisha, nga ana tjetër, më lejoi të hulumtoj dhe të zbuloj se cilat produkte dhe cilat materiale janë më të mirat, më të qëndrueshmet”, thotë Mango, duke shtuar se kriza e koronës i ka ndryshuar edhe shprehitë e blerjes.

“Njerëzit po blinin në internet, në vend se në dyqane, ndërsa të gjitha produktet e mia ishin në e-shop”, shtoi Mango.

Goran Bakrevski punon si dentist, por ky profesion ishte ndër të parët që u godit nga kovid-19. Ai thotë se në tre muajt e parë të krizës, nuk kishte punuar fare, kështu që kishte pas kohë të mjaftueshme për t’iu përkushtuar prodhimit të birrës “Bak”, e cila është 100 për qind natyrale.

Goran Bakrevski, prodhues i birrës “Bak”

“Plane për zhvillimin e fabrikës familjare për birrë kishim edhe para krizës me koronën, por punën e përshpejtuam gjatë kovid-19, sepse kishim mjaft kohë. Vëllai im është profesor i muzikës, por edhe ai ishte në shtëpi. Gjatë asaj periudhe punuam aktivisht në shijet e birrës dhe përmirësimin e teknologjisë së prodhimit. Njerëzit nuk dilnin jashtë, qëndronin nëpër shtëpi, gjë që ishte një mundësi e shkëlqyer për të provuar shijet e produkteve. Pastaj morëm mbështetjen e banorëve të Manastirit. Të rinjtë në atë periudhë qëndronin në rrjetet sociale ku bëmë një reklamë indirekte për produktet”, tha Bakrevski.

Darko Milevski është ish-futbollist dhe vetë profesioni ia ka imponuar që t’i kushtonte vëmendje mënyrës së ushqimit. Ka jetuar në Suedi, por është kthyer në Manastir ku tre vjet më parë hapi restorantin “Centar” për ushqim vegan dhe vegjetarian. Qëllimi, thotë ai, ishte që të edukojë të rinjtë për ushqim të shëndetshëm por edhe të kthehen në rrënjët e vjetra, pra ushqimet bimore të jenë më të përhapura në dieta.

Darko Milevski, pronar i 21/10 Fast & Healthy

“Kur goditi kriza e koronës, u shfaqën shumë vështirësi dhe ne ishim të mbyllur për gati pesë muaj. Në vitin 2020 mbijetuam disi, ndërsa në vitin 2021 ishte e rëndësishme të vazhdojmë. Zgjedhja ishte që të zvogëloheshin pak burimet, por të vazhdohej me të njëjtin intensitet. Prandaj bëmë ribrendim, prandaj u krijua “21/10 Fast & Healthy”, e cila është take away për ushqim të shpejtë dhe të shëndetshëm. Filluam në maj, kur ende kishte kufizime. Por punuam edhe nën kufizime të tilla sepse kishim vetëm kuzhinë”, thotë Milevski.

Ai shton se kriza e kurorës vetëm se i ka nxitur për të bërë ndryshimin sepse, siç thotë ai, të gjithë e kemi të vështirë të ndryshojmë dhe jemi mësuar në zona të rehatisë, ndërsa kjo i  përshpejtoi gjërat disi. Milevski është i kënaqur me atë se si ai pranohet nga banorët e Manastirit dhe ai dëshiron ta përhapë markën në qytete të tjera.

“Të rinjtë po eksplorojnë me dietën e tyre dhe ngadalë po i ndryshojnë shprehitë e tyre”, përfundon Milevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button