Arifi premton largim të deponisë, Bexheti takon pensionistët

Deponia e ashtuquajtur tranzitore funksionon pa pasur leje të posaçme dhe  pa plotësuar asnjë standard, tha kandidatja e BDI-së për kryetare të qytetit të Tetovës Teuta Arifi. Ajo vizitoi njërën nga deponitë e egra në dalje të Tetovës.

 “Unë do të angazhohem për të ndërtuar deponi tranzitore larg vendbanimeve duke plotësuar standardet ligjore.  Gjëja e parë që do ta bëj në qoftë se  fitoj besimin e qytetarëve për ta udhëhequr këtë qytet është organizimi i aksionit ‘Pastrimi i Tetovës’, ku do të pastrohen hapësirat publike, rrugët, parqet, oborret e institucioneve, lumi Shkumbin dhe deponitë e egra në zonat periferike të qytetit. Ky aksion do të zhvillohet në bashkëpunim  me ndërmarrjen publike për pastrim, OJQ-të , shkollat dhe të gjithë qytetarët e Tetovës. Tetova do të jetë qytet i druve, kopshteve me lule, parqeve të vogla për çlodhje dhe këndeve për fëmijë”, theksoi Arifi.

Bexheti takoi pensionistët

Kryetari aktual dhe kandidati i PDSH-së për Komunën e Tetovës, Sadi Bexheti, sot ka realizuar një takim me Shoqatën e pensionistëve të Tetovës. 

“Ne gjatë gjithë kohës kemi bashkëpunuar me këtë shoqatë dhe kemi ndihmuar me mundësitë tona. Para disa muajve edhe kemi përcaktuar prioritetet e përbashkëta në bazë të kërkesave të shoqatës. Është në plan rikonstrumi i plotë i hapësirave të shoqatës dhe transport publik falas për këtë grupmoshë”, tha Bexheti.

Kryetari Bexheti ka bërë të ditur se janë kryer të gjitha procedurat për realizmin e këtyre kërkesave. 

Në programin zgjedhor Bexheti ka thënë se  përveç projekteve që tashmë janë në realizim e sipër, grupmosha e tretë zë një vend të rëndësishëm me disa projekte tjera për një përkujdesje sa më të gjerë ndaj tyre.  

Lajme të ngjashme

Back to top button