Kërkohet hetim të pavarur ndërkombëtar për vdekjen e gazetarit Mlladenov

Partia opozitare VMRO-Popullore kërkoi sot një hetim të pavarur ndërkombëtar për të zbuluar shkakun e aksidentit tragjik, në të cilin humbi jetën pronari i revistës “Fokus”, Nikolla Mlladenov.
Nga kjo parti kërkojnë një hetim të pavarur, i cili sipas tyre do ti pastronte të gjitha dyshimet dhe versionet spekulative të vdekjes tragjike të gazetarit Mlladenov. 

Sipas tyre, çdo veprim dhe procedurë tjerë për hetimin e vdekjes së tij do të ishte i mbështjellë me shumë dyshime. 

“Nuk është e lejueshme kundrejt opinionit, dhe nuk është njerëzore kundrejt familjes së të ndjerit, që shtatë ditë pas vdekjes së tij të mos ketë ende informacion nga organet kompetente. Kjo bën që opinioni të fillojë të krijojë versione dhe spekulime lidhur me ketë rast. Duke vlerësuar momentin kur ndodhi aksidenti dhe për respektin ndaj gazetarit Mladenov, vlerësojmë se vetëm me ekspertizë ndërkombëtare do të dilte në shesh e vërteta e tragjedisë”, thuhet në reagimin partisë VMRO-Popullore.

Ndërkaq, hetimi për vdekjen e gazetarit Nikolla Mlladenov është në duart e gjykatësit hetues dhe MPB-ja nuk do japë informata për zhvillimin e hetimeve, deklaroi sot ministresha për punë të brendshme, Gordana Jankullovska.

Lajme të ngjashme

Back to top button