SHBA-të dhe fuqi të tjera fajësojnë agjencinë kineze të spiunazhit se përdor hakera kriminalë të paguar

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera po akuzojnë Ministrinë kineze të Sigurimit të Shtetit se ka përdorur hakera kriminalë me kontrata për të kryer operacione kibernetike të pa-sanksionuara globalisht, nga të cilat përfitojnë personalisht hakerat, shkruan Zëri i Amerikës, transmeton Portalb.mk.

Sipas zyrtarëve amerikanë, aktivitetet përfshijnë operacione kibernetike kundër kompanive private që janë të detyruara të paguajnë miliona dollarë shpërblime për të rifituar qasjen tek të dhënat e tyre.

Shtetet e Bashkuara, së bashku me NATO-n, Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Japoninë, Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re, fajësuan të hënën Kinën për sulmin kibernetik në mars që preku dhjetëra mijëra organizata përmes serverave të shërbimit Microsoft Exchange.

Sulmet kanë ndodhur në një periudhë kur dihet se sistemet e shërbimeve në internet kanë dobësi, por që nuk kanë mundur ta ndreqin problemin teknik.

“Qeveria amerikane ka ngritur shqetësimet e saj me zyrtarë të lartë të qeverisë kineze në lidhje me këtë incident dhe aktivitetin kibernetik të zgjeruar me qëllim keqdashës, duke e bërë të qartë se këto veprime kërcënojnë kompetencën e sigurisë dhe stabilitetin në hapësirën kibernetike”, u tha një zyrtari i lartë i administratës gazetarëve në një telefonatë të dielën në mbrëmje përpara se të dilte njoftimi.

Përdorimi i hakerave kriminalë me kontratë nga agjencia civile zbulimit kineze ishte “me të vërtetë tronditëse dhe befasuese për ne”, tha zyrtari.

Sipas zyrtarit të lartë amerikan është gjithashtu domethënëse që ministria e sigurimit të shtetit po përdor këta hakera për të “kryer operacione kibernetike të pa sanksionuara globalisht, përfshirë edhe për përfitime të tyre personale”.

Kina vazhdimisht e ka mohuar përfshirjen në aktivitete të tilla.

Lu Kang, një zëdhënës i ministrisë së jashtme, u pyet në mes të muajit mars në lidhje me akuzat e bëra nga katër firma private të sigurisë që po hetonin sulmet kibernetike. Firmat fajësuan një grup kërcënues të avancuar nga Kina për ndërhyrjet e sofistikuara të rrjetit.

Lu u përgjigj se nëse akuza të tilla bëheshin me prova të besueshme, atëherë Pekini do t’i merrte ato seriozisht, por nuk kishte kohë për t’iu përgjigjur “thashethemeve dhe spekulimeve”.

Detajet e lëshuara të hënën në mëngjes në Uashington dhe në kryeqytetet aleate shihen si një përpjekje për t’i dhënë qeverisë së Kinës provat që kërkoi.

Në mënyrë të veçantë, Agjencia e Sigurisë Kombëtare, Agjencia e Sigurisë së Infrastrukturës dhe Kibernetikës dhe Byroja Federale e Hetimit, në një paralajmërim të përbashkët të publikuar të hënën, thanë se ato “kanë vëzhguar veprimtari kibernetike gjithnjë e më të sofistikuar, të sponsorizuar nga shteti kinez që vënë në shënjestër organizata të politikës ekonomike, ushtarake, arsimore, dhe të personelit të infrastrukturës kritike”. “Është me të vërtetë një grup i madh i aleatëve dhe partnerëve që e mbajnë Kinën përgjegjëse,” tha zyrtari i lartë amerikan në thirrjen me gazetarët.

Administrata e Presidentit Joe Biden ka qenë e zëshme në lidhje me një seri sulmesh kibernetike për të cilat janë fajësuar grupe që veprojnë në Rusi, por nuk i ka lidhur ato aktivitete drejtpërdrejt me qeverinë ruse.

Në një takim me Presidentin rus në Gjenevë muajin e kaluar, Presidenti Biden kërcënoi të merrte masa kundër Moskës nëse kriminelët kibernetikë vazhdonin të vepronin brenda Rusisë pa pengesa.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button