Në RMV dhe mbarë botën islame sot festohet Kurban Bajrami, gëzuar!

Në mbarë botën besimtarët myslimanë sot e festojnë Kurban Bajramin, një prej festave më të mëdha islame. Nën masa anti-kovid, maska dhe distancë, manifestimi qendror u mbajt në xhaminë e “Mustafa Pashës” në Shkup, i cili filloi prej orës 04:30 dhe u transmetua direkt në RTVM 2 deri pasi u fal namazi i Kurban Bajramit, njofton Portalb.mk.

Në ora 05:56, besimtarët në Shkup e kanë falur namazin e Kurban Bajramit. Pas faljes së namazit, myslimanët kanë uruar njëri tjetrin me mesazhe paqeje, mirësie respekti, dashurie dhe mëshire. Sipas traditës, myslimanët e festojnë këtë Bajram 3 ditë.

“Festa e Kurban Bajramit është festë e gëzimit të madh sepse me aktin e therjes të kurbanit besimtari e ngrit veten lartë duke shfaqur bindjen e vërtetë në një Zot, dhe kultivon moral të lartë, mbisundon epshin dhe emocionet. Me këtë sakrificë për hir të Zotit synojmë të mbisundojmë ndaj materiales dhe epsheve tona. Festa e Kurban Bajramit formon ambientin e paqes dhe tolerancën në mes njerëzve, është festë e gëzimit të ndërsjellë, afrimit në mes njerëzve, kujdes ndaj të varfërve, shtrirja e dorës së pajtimit, i buzëqeshjes me të tjerët, i shërbimit ndaj të tjerëve, i gatishmërisë për vepër madhore dhe vetëdijes për të triumfuar e mira dhe e vërteta, ndaj të keqes. E gjithë kjo ka një qëllim arritjen e kënaqësisë së Krijuesit tonë”, tha mes tjerash kryetari i BFI-së së RMV-së, reis ulema haxhi Shaqir efendi Fetahu.

Kurban Bajrami, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e profetit Ibrahim të flijojë djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë. Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tre pjesë. Familja mban një pjesë; pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.

Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit.

Gjatë kësaj feste urime kanë dërguar krerët e institucioneve shtetërore, njerëzit e jetës politike, akademike, e artistike në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri.

Redaksia e Portalb.mk të gjithë besimtarëve ua uron festën e Kurban Bajramit. Shëndet e gjitha të mirat!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button