RMV, prej nesër do të shpallet konkursi për regjistrues dhe instruktor për regjistrimin e popullsisë

Enti Shtetëror i Statistikave njoftoi se, prej nesër do të shpallet konkursi për paraqitjen e kandidatëve për regjistrues rajonal dhe instruktor. Konkursi do të shpallet në 4 gazeta ditore, si dhe në ueb faqen www.Popis2021.stat.gov.mk, ku prej nesër në orën 8:00 do të jetë aktive dhe aplikacioni për paraqitje elektronike, transmeton Portalb.mk.

“Ju bëjmë thirrje të gjithë të interesuarve, si dhe atyre të cilët u paraqitën në thirrjen e parë në mars të këtij viti, ta mbushin aplikacionin dhe të bëhen pjesë e ekipit të madh regjistrues i cili në shtator do ta zbatojë regjistrimin e shumëpritur të popullsisë, amvisërive dhe banesave në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftim.

Konkursi do të zgjas deri më 5 gusht, pas çka do të vijojë testim, zgjedhje dhe trajnim i kandidatëve të zgjedhur.

Në konkurs pritet të zgjedhen 5.055 regjistrues të rajoneve dhe 508 instruktorë rajonalë për 50 rajonet e regjistrimit”, informojnë nga ESSH.

Kushtet janë: kandidatët të jenë qytetarë të rritur të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të mos jenë të punësuar, të kenë përfunduar të paktën arsimin e mesëm dhe të kenë aftësi kompjuterike. Aplikimi do të bëhet përmes aplikacionit në internet që do të vendoset në faqen e internetit www.popis2021.stat.gov.mk, dhe dokumentet do të dorëzohen me postë në Entin Shtetëror të Statistikës, ose kandidatët duhet t’i sjellin ato ditën e caktuar të testimit në komisionet e rajoneve të regjistrimit.

ESSH i fton të gjithë të interesuarit që i plotësojnë kushtet të aplikojnë në Konkurs dhe të kontribuojnë në zbatimin me sukses të këtij veprimi më të madh statistikor që ka një domethënie të madhe për secilin prej nesh, por mbi të gjitha, për vendin në tërësi.

Paraprakisht, kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se në shtator, do të mbahet regjistrimi i popullsisë dhe se nuk i intereson aspak se sa janë maqedonas, shqiptarë, turq, romë, vllehë, boshnjakë.

Afati i zbatimit të këtij procesi të rëndësishëm pritej të jetë prilli i këtij viti. Megjithatë, përmes pazareve politike, Zaev dhe Mickoski, pa konsultim edhe të partive shqiptare opozitare, vendosën që ta shtyjnë këtë proces dhe të zhvillohet nga 5 deri më 30 shtator. Partitë shqiptare nga ana tjetër, nuk ishin aspak faktor për shtyrjen ose mos-shtyrjen e këtij procesi. Zaevi, përmes një bisede telefonike e informoi Ahmetin për vendimin që kishin marrë me Mickovski, kurse kreu i BDI-së vetëm i shtoi “aminin”.

Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button